Kur jeta bëhet luks, realiteti i hidhur në Kosovë
Nga Ujmir Krasniqi – Në një vend ku paga mezi mbyll muajin, rritja e çmimeve nuk është më thjesht një lajm ekonomik, është një goditje e drejtpërdrejtë mbi dinjitetin e qytetarit.
Çmimet e ushqimeve janë bërë të papërballueshme. Produktet bazë, që dikur ishin të zakonshme në çdo tryezë, sot po kthehen në luks. Një shportë e thjeshtë ushqimore tashmë kushton sa gjysma e një rroge mesatare.
Familjet po detyrohen të zgjedhin mes bukës dhe nevojave të tjera jetike. Dhe kjo nuk është zgjedhje, është mbijetesë.
Derivatet!
Çmimi i tyre është bërë një barrë e rëndë për çdo qytetar. Nga fermeri që punon tokën deri tek punëtori që udhëton çdo ditë për bukën e gojës, të gjithë po e paguajnë shtrenjtë këtë krizë. Çdo rritje e çmimit të karburanteve është zinxhir që shtrëngon edhe më shumë ekonominë e brishtë të vendit.
Energjia elektrike, një nevojë bazike, po trajtohet si privilegj. Faturat po rriten, ndërsa standardi i jetesës po bie. Ironia më e madhe është se qytetari paguan më shumë për të jetuar më keq.
Dhe në mes të gjithë kësaj, pyetja që bëjmë çdo ditë është DERI KUR?
Deri kur qytetari i Kosovës do të mbajë mbi supe barrën e një sistemi që nuk arrin ta mbrojë?
Deri kur do të normalizohet padrejtësia?
Sepse nuk është më çështje rehatie, është çështje mbijetese.
Nëse sot nuk flasim, nesër do të jetë vonë. “Një popull që mësohet të jetojë me pak, rrezikon të humbasë gjithçka”.

