Kosova mbron me ligj investitorët e huaj

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot tre projektligje, një udhëzim administrativ, dy rregullore, një strategji dhe katër vendime nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, njoftohet përmes një komunikate nga Kryeministria.

Kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar kabinetin qeveritar dhe ministrin e Financave dhe tërë spektrin politik në Kuvendin të Kosovës për miratimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2013, duke vlerësuar si buxhetin më të lartë të Kosovës deri tani dhe garanci për zhvillim dhe qëndrueshmëri të Republikës së Kosovës.

Kumtesa citon kryeministrin të ketë thënë se buxheti garanton vazhdimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës në Kosovë, duke përfshirë pjesën e autostradës nga Sllatina në drejtim të Besisë, fillimin e autostradës Prishtinë- Hani i Elezit, si dhe vazhdimin e punëve në zgjerimin e rrugëve nga Prishtina në drejtim të Pejës dhe Mitrovicës. Nga viti i ardhshëm do të fillojë edhe studimi i projektit për zgjerimin e rrugës që lidhë Prishtinën me Besianën.

Projektligji i parë, i cili është shqyrtuar dhe aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, është Projektligjit për investimet e huaja. Ky projektligj rregullon mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimi i investimeve të huaja në Kosovë, duke u ofruar investitorëve të huaj të drejta dhe garanci fondamentale dhe të ekzekutueshme që u japin siguri investitorëve të huaj në pajtim të plotë me ligjet, standardet dhe praktikat ndërkombëtare.

Projektligji parasheh masa ndëshkuese ndaj çdo autoriteti publik që shkel apo dështon të respektojë të drejtat dhe garancitë e siguruara për investitorët e huaj dhe investimet e tyre, duke i detyruar ata që të paguajnë kompensimin për humbjet dhe harxhimet e shkaktuara si pasojë e një shkeljeje apo dështimi të tillë.

Qeveria ka vlerësuar se miratimi i këtij Ligji do të përmirësojë edhe renditjen e Kosovës në ranglistën e Bankës Botërore për kushtet e vendeve për të bërë biznes.

Projektligjit për Produktet e ndërtimit, i miratuar sot në Qeveria e Kosovës, përcakton kërkesat teknike në përdorimin e produkteve ndërtimore. Projektligji, gjithashtu përcakton edhe vlerësimin e konformitetit të tyre, si kusht për vendosje në treg, distribuim dhe shfrytëzim në masën qe i plotësojnë kërkesat themelore për objektet e ndërtimit.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për Institutin e Kosovës për Administratë Publike. Ky projektligj mundëson funksionim më të mirë dhe përmirëson shërbimet që ofron ky Institut në nivel qendror dhe lokal me qëllim të aftësimit dhe profesionalizimit të nëpunësve civil në vazhdimësi.

UBT

Me Udhëzimin administrativ për Cilësinë e ujit për konsum nga njeriu, të cilin Qeveria e ka miratuar në mbledhjen e sotme, përcakton standardet e cilësisë së ujit për konsum nga njeriu. Veprimi kryesorë i këtij udhëzimi është mbikëqyrja e cilësisë së ujit për pije , ujit të ambalazhuar, ujit për prodhim të ushqimit dhe ujit rekreativ përmes krijimit të qendrës së monitorimit të ujit për konsum njerëzor.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Rregullorja për pagesën dhe shtesat e kryetrarëve/kryesuesve dhe anëtarëve të Bordit për rishqyrtimin e ankesave, komiteteve të kuditimit, Këshillit kosovar për raportim financiar. Po ashtu Qeveria ka miratuar edhe Rregullore për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të pPunës në Ministrinë e Integrimit Evropian.,

Sipas komunikatës, Strategjia vjetore e borxhit për vitin 2013, i miratuar sot, paraqet një pamje të përgjithshme të borxhit ekzistues, analizën e kapaciteteve aktuale të Qeverisë për huazim, si dhe planin e financimit ndaj deficitit të parashikuar për vitin 2013. Një pjesë e konsiderueshme e boshllëkut financiar të projektuar për vitin 2013 planifikohet të financohet duke emetuar bono të thesarit në vlerë prej 80 milionë eurosh.

Ministria e Financave do të bëjë ridestinimin e mjeteve të pashpenzuara nga organizata buxhetore te ato organizata buxhetore që kanë nevojë për mjete shtesë për përmbylljen e viti buxhetor.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Vendimin përfundimtar për shpronësimet, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale N9, Fushë Kosovë-Arllat–Gjurgjicë, zonat kadastrale Arllat dhe Llapushnik të Komunës së Drenasit.

Është miratuar edhe vendimi për themelimin e Komisionit disiplinor për kryeshefin ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrim Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për aplikimin e regjimit të vizave hyrëse në Republikën e Kosovës, për shtetasit e 37 vendeve të ndryshme të botës.