Gërxhaliu: Vendimi i BQK-së për 500 eurot është anti-ligjore, rrezikojmë “eksod” të këtyre kartëmonedhave

/ 3 minuta lexim

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e ka quajtur anti-ligjore vendimin e BQK-së për ndalimin e kartëmonedhave 500-she.

Gërxhaliu për Ekonomia Online ka thënë se vendimi është marrë me ngutim dhe se dëmi do të jetë mbi sektorin privat.

Për këta të fundit, Gërxhaliu ka kërkuar trajtim më të dinjitetshëm.Profesori i ekonomisë, thekson se për vendime është dashur të ketë kampanja informuese. Ndërsa, konsideron se vendime për ndalim të kartëmonedhave mund ta bëjë vetëm Banka Qendrore Evropiane.

Mobi Casa

“Në rend të parë duhet të kuptohet që për vendime të tilla duhet të një kampanjë informuese paraprakisht dhe në rend të dytë vetë vendimi i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës është në kundërshtim ku është shkruar në një formë krejt tjetër dhe të nesërmen kërkohet heqja e fjalisë së parë dhe duhet të kuptohet që Kosova nuk ka të drejtë ndalimi por ka të drejtë vetëm të zbatimit të asaj se çka është vendosur në nivele më të larta dhe niveli më i lartë është Banka Qendrore Evropiane dhe në këtë drejtim jemi dëshmitar të asaj që falsifikim, jemi dëshmitar që parregullsi dhe rrisk dhe e tëra kjo definitivisht duhet të na orientojë që të jemi të orientuar shumë më tepër drejtë digjitalizimit, shumë më tepër drejtë shfrytëzimit të kartelave bankare se sa të sjellet një vendim i tillë”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Ish-kreu i OEK-ut ka kërkuar që për vendime të tilla të bëhen dialog me sektorin privat. “Kam dronë që është një vendim me ngutim, nuk ka pasur një debat të mirëfilltë, nuk ka pasur dialog publiko-privat, që vërtetë të informohen bizneset dhe në këtë drejtim besoj që mund të quhet edhe anti-ligjore dhe kjo me siguri se do të ketë konsekuenca në të ardhmen por kjo është dëshmia e asaj se është duke u vepruar në Kosovë por definitivisht sektori privat meriton trajtim më të denjë, të paktën nëse nuk kemi mbështetje duhet të ketë së pari informim”, u shpreh Gërxhaliu.

E shkak i këtij vendimi, Gërxhaliu ka thënë se qytetarët mund t’i dërgojnë nëpër Evropë. Kështu, sipas tij do të dëmtohet buxheti i shtetit.“Kosova mund të bëjë grumbullimin e kartëmonedhave 500 eurove, mirëpo nuk e ka të drejtën për asgjësim të tyre sepse asgjësimi i këtyre parave është vetëm kompetencë e Bankës Qendrore Evropiane dhe në anën tjetër nëse vërtetë është një periudhë kohore më afatgjate, atëherë definitivisht krahas rritjes së importit të mallrave nga jashtë, komuniteti i biznesit vendor duhet ta gjejë një zgjidhje, do të ketë ‘eksod’ të parasë të kartëmonedhave sepse pjesa dërmuese e bizneseve ato para i kanë të akumuluara në këtë formë, do të shkojnë në perëndim, do t’i këmbejnë ato dhe do të paguajnë provizion dhe prapëseprapë do të jetë i goditur buxheti dhe sektori privat në Kosovë”, ka deklaruar ai.