ARKATANA

Kosova ka përshpejtuar lëvizjet drejt integrimeve evropiane

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Kosova para disa ditësh u pranua me të drejtë të plota në Komisionin e Venedikut, ku edhe pse bëjnë pjesë Rusia e Kina, votimi për Kosovën kaloi me një shumicë solide prej 2/3 e votave.

Ky pranim sipas zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi i ka përshpejtuar shumë proceset e integrimit të Kosovës në drejt Evropës.

Ndërkohë Ngërçi politik që është krijuar ditëve të fundit dhe krijimi i bllokut opozitar sipas tij nuk ka asnjë vlerë politike thjeshtë por vetëm një qëllim emocional “ta rrëzojnë Thaçin”.

Sipas tij kjo nuk do të ndodh pasi që PDK është partia e parë në vend dhe do të arrij të krijoj qeverinë. Ndërsa në rast se do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme ai mendon se PDK vetëm do të pësoj rritje. Ndërkohë në një intervistë për “Zeri”-n ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave dhe punën e ministrisë së jashtme.

Çfarë do të thotë për Kosovën pranimi në Komisionin e Venedikut me të drejta të plota dhe pa fusnotë?

Anëtarësimi i Kosovës në Komisionin Evropian është i rëndësishëm për dy arsye. Fillimisht, ka qenë edhe një test për atmosferën dhe mënyrën e votimit eventual për Kosovën në vetë Këshillin e Evropës. Komisioni Evropian ka edhe anëtarë si Rusia apo Spanja, dhe ka qenë me rëndësi të testohet nëse Kosova ka një shumicë solide përtej 2/3 të votave në trupat e Këshillit Europian.

Brenda një viti, MPJ ka pasur sukses në anëtarësimin e Kosovës në Bankën Zhvillimore të KE dhe tani në Komisionin Europian dhe kjo strategji ndihmon edhe anëtarësimin e Kosovës në vetë KE-në. E dyta, Komisioni i Venedikut është një nga instrumentet më të rëndësishme ligjore dhe kushtetuese në botë, ku ekspertët më eminentë japin opinione dhe vlerësime për sisteme dhe çështje juridike të shteteve anëtare.

Fakti që Kosova është pranuar pa fusnotë është e natyrshme sepse fusnota nuk përdoret jashtë organizatave rajonale apo dokumenteve të BE-së ku mosnjohësit kanë fuqi vetoje. Në organizata ku votohet dhe ku nuk ka veto, Kosova do të pranohet pa pasur nevojë për ndonjë referencë tjetër.

A do të thotë kjo që shteti i Kosovës dalëngadalë po shkon drejt integrimeve evropiane dhe po bëhet pjesë e agjendës së tyre?

Kosova e ka përshpejtuar shume lëvizjet drejt integrimeve evropiane, sidomos gjatë vitit të fundit dhe pas Marrëveshjes së Brukselit. Anëtarësimet si kjo në Komision të Venedikut vetëm sa çimentojnë pozicionin tonë në proceset integruese. Kosova ka përfunduar edhe negociatat për MSA dhe nënshkrimi pritet gjatë verës, dhe ky do të jetë hapi i parë zyrtar i procesit të anëtarësimit të Kosovës në struktura evropiane.

Të kthehemi pak te situata e fundit politike në Kosovë. Si e vlerësoni bllokun e krijuar nga opozita?

Pasi që certifikimi i rezultateve pritet këtë javë ndërsa çështja e të drejtës së mandatarit ka shkuar edhe në Gjykatë Kushtetuese, komente për koalicione, aleanca dhe miqësi personale janë pak të tepërta. Nga paraqitjet mediale të disa prej liderëve, si qytetar e kuptoj se shumë është folur kundër Kryeministrit Thaçi por ende nuk kemi dëgjuar për ndonjë plan konkret apo marrëveshje se çka është synimi i këtij koalicioni? Pos me rrëzu Thaçin, ku është vlera apo koncepti politik? E vetmja pikë mediale që po flitet është ndërprerja e dialogut me Serbinë, synim ky programatik i Lëvizjes Vetëvendosja, por asgjë tjetër tash e disa javë nuk është thënë. Pak gjynah për qytetarët që nuk kanë mënyrë se si të krahasojnë alternativën fituese të programit Misioni i Ri me ofertë tjetër alternative.

A do të ketë vështirësi PDK të krijoj qeverinë, nëse jo atëherë me kë pritet të bëjë numrat?

PDK ka fituar zgjedhjet bindshëm. Më bindshëm se sa që kanë bërë “hesap pa hanxhine” disa nga analistat partizanë. Ka rritur numrin e deputetëve në krahasim me 2010.

ARKATANA

Nuk kam dyshim që ekzistojnë akterë të mjaftueshëm në skenën politike dhe parlamentare kosovare që nuk janë të fokusuar në politika dhe agjenda personale, por në të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë. Numrat janë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe mënyra se si kombinohen varet nga negociatat që tek pritet të fillojnë në mes partive për një program të përbashkët qeveritar dhe për cakun që synon të arrin Qeveria e re e Kosovës.

A i mendoni zgjedhjet e jashtëzakonshme?

Situata mund të zhvillohet edhe në atë drejtim. Ka ndoshta zëra që thonë se nëse hyjmë në krizë kushtetuese që duhet t’i kthehemi sovranit për ta konfirmuar se kënd e sheh si parti udhëheqëse në Republikën e Kosovës. Zgjedhjet ishin dashur të mbahen në cikle më të rralla, por sistemi ynë politik me gjasë ka imperfeksione që mund të rregullohen me procese demokratike. Në këtë rast, PDK ka mjaft hapësirë për ta rritur votën popullore, edhe pse besoj se qytetarët dëshirojnë zhvillim ekonomik, vende të reja punës e jo zgjedhje apo konflikte personale që po projektohen në funksionimin e sistemit tonë demokratik.

Si i shihni ju nenet e kushtetutës 84. Pika e 14 dhe Nenin 95. Kush sipas jush do të marr të drejtën e mandatarit për krijimin e qeverisë kur dihet që edhe presidentja ka pasur paqartësi dhe ka kërkuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese?

Unë nuk jam i thirrur të bëj interpretim të neneve dhe bile frikësohem se komentimi nga politikanët i këtyre çështjeve me pasion mund të konsiderohet si një lloj interferimi në punën e Gjykatës Kushtetuese. Por kam lexuar këto ditë se ka shumë shtete me sistem proporcional ku fituesi i zgjedhjeve ka një avantazh të kuptueshëm dhe racionalisht të shpjegueshëm.

Në Greqi për shembull, fituesi edhe po t’i ketë vetëm 0,1% vota më shumë se vendi i dytë, megjithatë i merr 50 ulëse shtesë me automatizëm në parlamentin grek. Disa nga ekspertët më eminentë kushtetues e që janë në struktura të larta të PDK e kanë shpjeguar mirë këtë çështje se Kushtetuta e Republikës ja jep fituesit së shumicës mandatin për qeverisje por edhe obligimin të identifikon partnerë koalicioni për qeverisje. Nuk besoj se ka ndonjë dyshim se PDK është fitues i shumicës në zgjedhjet e 8 qershorit, me një fushatë tepër pozitive që u morr si shembull për mungesë të gjuhës së urrejtjes që rëndom dëgjohet në Ballkan.

Të rinjtë që kanë votuar për herë të parë që i kanë mbushur 18 vjet këto vite, kanë votuar PDK me të madhe dhe kur disa analistë i quajnë klientelistë një çerek milion qytetarë të Kosovës, kjo len një shije të hidhur se konflikte të vjetra të para dhe pas luftes ende po mjegullojnë debatet racionale.

Liberalizimi i Vizave. Ministrja e integrimeve Vlora Çitaku para disa ditësh tha se kanë marrë lajme të mira në këtë drejtim. Sa jeni ju në njohuri rreth këtij procesi, dhe a mund të flasim për ndonjë afat?

Është e qartë që Kosova i ka përmbushur kushtet teknike dhe tani pritet që ekipet monitoruese të BE-së të japin edhe evaluimin e tyre rreth progresit të arritur në Kosovë. Një pjesë e këtij evaluimi është gjithmonë edhe i ndikuar nga politika dhe shpresojmë se Kosova do të vlerësohet për nga standardet e arritura, që janë gjithsesi më të larta se çka është pritur prej shteteve tjera të Ballkanit, e jo të ndikohet nga zhvillime tjera si lodhja e një pjese të pejsazhit politik në BE me politikën e zgjerimit dhe investimit në rajone më të varfra.

Me çka mund të krenohet Ministria e Punëve të Jashtme gjatë mandatit të saj?

MPJ në 3 vitet e fundit ka ndryshuar paradigmën e politikës së jashtme kosovare. Më herët kemi pasur një politikë uniforme të dedikuar vetëm për njohje bilaterale dhe atë fokusuar kryesisht në OKB në Nju Jork.

Tani kemi një portfolio kompleks të interaksioneve diplomatike, prej anëtarësimit në organizata multilaterale, deri tek zhvillimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve bilaterale si dhe përdorimi inovativ i Diplomacisë Publike dhe Digjitale në promovimin e Kosovës. Më kujtohet se më 2011 Kosova as që ka mundur të viziton Bratislavën, Bukureshtin, Kajro, Bangkok, Athinën dhe nuk ka pasur eksperiencë në organizim të konferencave, seminareve, shkembimeve.

Në projektin e përbashkët me Qeveri Britaneze, Norvegjeze dhe Këshillin Britanik, kemi mundësuar shkëmbimin e mbi 1000 vizitave individuale që kanë ndihmuar shumë procesin e njohjes së Kosovës dhe ndryshimit të perceptimit mbi Kosovën. Projektet e dialogut ndërfetar si pjesë e diplomacisë publike si dhe lajmet që u përhapën globalisht si njohja e Kosovës nga Facebooku, ishin për mua personalisht ndoshta momente që më bëjnë krenarë sepse janë hetuar dhe komentuar pozitivisht nga majat e diplomacisë botërore.