RCCOLA

Kosova dhe Shqipëria – dy shtete që mund ta bëjnë një ekonomi

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Prishtinë – Kosova e Shqipërisë, tashmë janë dakorduar të organizojnë mbledhje të përbashkëta të të dy qeverive. Takimi i parë pritet të ndodhë pas festës së 28 Nëntorit në Prizren. Qëllimi i kësaj nisme është vendosja e një partneriteti strategjik më të strukturuar dhe institucionalizuar në mes dy shteteve tona.

Ekonomistët dhe bizneset shprehen të kënaqur për këto takime të paralajmëruara dhe presin rezultate konkrete.Mbledhja e parë e përbashkët e të dy qeverive do të shënonte edhe simbolikisht fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit. Ekonomistët shprehen të lumtur që po fillojnë takimet e tilla dhe shpresojnë se do të ketë ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se ky është një rast i mirë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, transmeton RtK.

Uji Dea

“Më gëzon fakti që është avancuar kjo formë e bashkëpunimit, mirëpo kur kemi të bëjmë me partneritete me Shqipërinë, besoj se është koha që kur këto raporte duhet të dalin nga një idil politike dhe nga emocionet e tepruara. Është koha kur duhet të jemi shumë më konkret, më pragmatik, dhe tani e tutje të mos na e dirigjojnë emocionet në bashkëpunim, por le të jetë interesi, ai i cili i avancon këtë raporte”, thotë Safet Gërxhaliu.

Edhe deri më tani, marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare, kanë qenë në nivel të lartë. Por nga këto takime pritet diçka më shumë, sidomos në aspektin ekonomik. Prandaj, kryetari Gërxhaliu kërkon rezultate konkrete nga të dyja qeveritë.

“Nuk duhet gjithmonë këto takime të kenë shumë më tepër rëndësi formale sesa substanciale. Nuk kemi nevojë për fotografi, nuk kemi nevojë për dekor. Kosova edhe Shqipëria kanë nevojë për zhvillim ekonomik, kanë nevojë për projekte konkrete, dhe nëse deri tani janë bërë investime në infrastrukturë edhe ato mbeten të pashfrytëzuara, nuk duhet që kjo infrastrukturë të jetë në funksion vetëm 3 muaj të verës, por duhet të ketë qëndrueshmërinë dhe kontinuitetin, por mbi të gjitha duhet të debatohet për mundësitë komplementare, që i kanë dy ekonomitë e dy shteteve të një populli të ndarë”, shton Gërxhaliu.