RCCOLA

Konferenca për mësimin në diasporë, një qasje ndryshe

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Konferenca për institucionalizimin e mësimit plotësues në diasporë që u mbajt ditë më parë në Prishtinë u karakterizua me pjesëmarrje të shumicës së aktorëve që e bartin këtë mësim, në diasporë dhe në vend. Gjatë zhvillimeve të punimeve dhe në bashkëbisedimet në pauza pati edhe qasje të ndryshme, që dallonin nga ato zyrtare apo të përfshira në konkluzione.

Albinfo.ch ka marrë opinionet e disa prej pjesëmarrësve të cilat do t`i publikojë në ditët në vazhdim.

Ndër pjesëmarrësit që u dalluan me qasje paksa më kritike në këtë konferencë ishte Nuhi Gashi, përgjegjës për arsimin e diasporës në Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës. Krahas faktit se ai përshëndet punimet e konferencës, Gashi bën vërejtje për rrezikun që nismat të duplifikohen, pasi që sipas tij, duhet pasur parasysh se edhe para kësaj konference ka pasur organizime të kësaj natyre, mbi rezultatet e të cilave do të duhej të mbështetej edhe kjo konferencë.

“Jam në rol të përditshëm ekzekutiv të politikave të Ministrisë së arsimit për diasporën, duke filluar nga kurikula deri në produktet aktuale si tekstet dhe mjetet mësimore etj. U përpoqa të luaj rolin e profesionistit, njeriut që përditë merret me këto kategori didaktike që lidhen me punën në baza ditore të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Në këtë plan jo rrallë kam dalë prej skemës, shablloneve. Fundja shkolla është fushë ku krijohet, është një zanat krijues, që dallon prej dogmës, religjionit. Në këtë plan ndoshta është prishur idili për diçka që ec si një sahat i kurdisur etj”, thotë Nuhi Gashi.

Pastaj ai bën fjalë për atë që e quan “një ideal brendashqiptar që është aktualizuar sivjet që nënkupton integrimin në kuptim të politikave që nisin me një kurikulë të përbashkët. I kemi dy kurikula që dallojnë formalisht por në esencë janë të njëjta. Është kurikula e Ministrisë së Arsimit të Kosovës (nga viti 2007) dhe dokumenti i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë nga viti 2010. Hapi i parë që duhet bërë në unifikimin e mësimit shqip në diasporë edhe me dokumentet formale të dy shteteve shqiptare është harmonizimi, shkrirja e këtyre dy dokumenteve në një. Jemi në rrugë të mbarë dhe këtë konferencë e shoh si një mundësi për fuqizimin e kësaj pune që e kemi nisur me projeksione të mëhershme brenda Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë pastaj edhe me përpilimin e teksteve të përbashkëta. Sepse, duhet thënë se shkolla shqipe në perëndim prej fillimit i ka thyer kufijtë shtetërorë”, shprehet Gashi.

Sidoqoftë, sipas Gashit, kjo konferencë ishte një mundësi e mirë për tu takuar, për tu parë tri subjekte shtetërore, të dy qeverive të koordinojnë jo vetëm politikat por ndoshta për të përshtatur edhe buxhetet në funksion të punëve të përbashkëta që na presin. E mira më e madhe ishte vetë prezenca e mësuesve që punojnë jashtë. U këmbyen përvoja nga më të ndryshmet, me të cilat ata konsolidojnë njohuritë lidhur me mënyrën e rregullimit të çështjes së mësimit plotësues në vendet përkatëse.

Eco Higjiena

Me një fjalë ajo do të shërbejë si kambanë për trokitjen në ndërgjegjen edhe të qarqeve profesionale në atdhe si dhe të qarqeve zyrtare të shteteve që duhet të bëjnë diçka më të madhe, më konkrete”.

Ndërsa i pyetur se sa janë realiste pritjet e shprehura në këtë konferencë për ndonjë linjë buxhetore për arsimin në diasporë, Gashi është skeptik: “Kjo konferencë nuk prodhon një politikë në shifra dhe fakte. Ajo prodhon një rikonfirmim vullneti se do të bëhet diçka konkrete kur të projektohen buxhetet në mënyrë që të shpëtohet shumëçka që realisht është rrezikuar. Kemi të bëjmë me një brez të ri që ka lidhje karakteristike me atdheun dhe kulturën. Rrezikohet qenia e tyre identitare etj. Në këtë plan duhet bërë ende shumë.

Realisht ende ndodhemi në identifikim problemeve sado që mund të ketë shenja premtuese por nuk do të jenë të mjaftueshme.

Ne si institucione kemi detyrë që të gjemë ndonjë mënyrë për pagesën e mësuesve që punojnë në bazë vullnetare, që punën ta kryejnë me dinjitet. Kështu duhet përcaktuar një gjeografi prioritetesh marrë parasysh vendet ku është më e koncentruar diaspora, pastaj ku është më i lehte organizimi dhe specifikat tjera”.

Ndërkaq, lidhur me nivelin në të cilin zhvillohet mësimi plotësues, z. Gashi thotë: “Ne si ministri kemi dhënë një ekspertizë profesionale. Unë jam përpjekur gjatë konferencës të ofroj një opinion që ka tingëlluar më ndryshe, të ofroj një ekspertizë profesionale. Unë besoj se shumëçka nga ajo që bisedua do të futet në projeksionet e institucioneve tona./(albinfo)