Eko Higjiena

Koncepti i kombit

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Nga Nexhmedin Spahiu – Me rënien e komunizmit, shumë standarde janë njësuar me ato të Perëndimit. Për fat të keq në paraqitjet publike, në Shqipëri dhe në territoret e ish Jugosllavisë ende përdoret termi komb në vend të etnisë.

Kur përkthimi nga gjuha angleze, ose nga cilado gjuhë tjetër perëndimore, shkakton huti apo moskuptim ndodh shpesh që fjala “komb” të përkthehet si “shtet”. Ky është një gabim i madh.

Koncepti i kombit lidhet ngushtë edhe me shtetin, edhe me etninë edhe me religjionin, edhe me racën edhe me territorin. Mirëpo, edhe pse kombi në disa raste mund të përputhet me njërin prej këtyre koncepteve ai megjithëkëtë është një koncept shumë më kompleks.

Që nga gjermani Johann Gotlieb Fichte (1762-1814) dhe francezi Ernest Renan(1823-1892), të cilët mund te konsiderohen si etër të teorisë për kombin, me konceptin e kombit janë marrë shumë teoricienë e liderë politikë. Vlen të përmendet Emil Durkheim (1858-1917), V.I. Lenin (1870-1924), Mustafa Kemal Ataturk (1881-1938), J.V. Stalin (1878-1953), Edvard Kardel (1910-1979), Karl Deutsch (1912-1992), Eric Hobsbawm (1917-2012), Ernest Gellner (1925-1995), Miroslav Hroch (1932-), Benedict Anderson (1936-), Anthony Smith (1939-), Urs Altermat (1942-), Francis Fukuyama (1952-), Rogers Brubaker (1956-), Will Kymlicka dhe shumë të tjerë.

Shumica e tyre kombin e kanë definuar sipas mënyrës së vet. Natyrisht, në shtetet ish komuniste ka qenë i njohur vetëm (apo kryesisht) definicioni Stalinit, i cili kombin e lidh me etninë, kështu që te nxënësit dhe studentët në këto vende, është krijuar bindja që kombi në fakt është etnia, apo në rastin më të mirë “etnia në shkallë më të lartë të zhvillimit”.

Thelbi i gjithë këtyre definicioneve për kombin është se kombi është një bashkësi e njerëzve që është e aftë të ndërtojë shtet. Kjo do të thotë se kombi është pronar i shtetit.

Ngjarja që e ndanë Mesjetën dhe kohën moderne është pikërisht paraqitja e kombit.

Në Mesjetë, pronarë të shteteve kanë qenë mbretërit, perandorët, sulltanët, kanët, shahët, raxhët etj., ndërsa në kohën moderne, pronarë të shteteve janë kombet. Përjashtim bënë shteti i Vatikanit, i cili nuk është anëtar i OKB, për shkak se pronar i këtij shteti është Papa dhe jo ndonjë komb.

Kur është paraqitur kombi i parë është çështje debati mes teoricienëve. A janë suedezët me Gustav Vasa Eriksonin në vitin 1523, apo janë holandezët me republikën e tyre në vitin 1581- kjo është shumë kontestuese. Ndërsa më pak kontestuese është që anglezët bëhen komb në vitin 1649 me revolucionin e Oliver Kromuelit.

Nuk është fare kontestuese që me revolucionin e vitit 1789 lindi kombi francez. Slogani “Liberte, fraternite, egalite” (Liri, vëllazëri, barazi) në të vërtet paraqet formulën e kombit. Pjesëtarët e një kombi janë ata të cilët mes vete konsiderohen vëllezër, të lirë dhe të barabartë.

Në njërin rast, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një etnie dhe një religjioni në kuadër të një territori, siç është rasti me serbët, grekët, rumunët, bullgarët etj.

Në rastin tjetër, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një etnie në një territor të caktuar pa marre parasysh religjionin siç është rasti me shqiptarët, hungarezët, gjermanët dhe shumë të tjerë.

Në rastin e tretë, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e një religjioni në territorin e caktuar pa marrë parasysh në përkatësinë etnike siç është rasti me turqit, belgët dhe të tjerë.

Ne rastin e katërt, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e disa etnive e të disa religjioneve të caktuara siç është rasti me zviceranët etj.

Ne rastin e pestë, vëllazëri, barazi dhe liri kanë krijuar mes vete pjesëtarët e të gjitha etnive të religjioneve të caktuara të një race siç është rasti me amerikanët, kanadezët, australianët etj.

Natyra e një kombi mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Me zgjedhjen e Barak Obamës për President të SHBA-ve, kombi amerikan ka dëshmuar se më nuk është një komb mono-racor por është bërë një komb multi-racor. Zaten kalimi prej mono në multi është trend për shumë kombe.

Pas rënies së komunizmit kombi shqiptar po tregon se po kalon nga një komb mono-etnik në një komb multi-etnik. Dëshmi për këtë është se prej pesë presidentëve dhe shtatë kryeministrave post-komunistë të Shqipërisë, katër prej tyre nuk kanë qenë shqiptarë ne kuptimin etnik, edhe pse më shume se 90 për qind apo 95 për qind e banorëve të Shqipërisë etnikisht shqiptarë.

Shumë kombe nuk kane arritur të krijohen ashtu siç i kanë paramenduar ideologët e tyre. Vuk Karaxhiqi (1787-1864) ka insistuar qe kombin serb ta përbëjnë serbët e të gjitha religjioneve, mirëpo nuk pati sukses. Doli që serbet ortodoksë veten e konsideruan serbë të rendit të parë, ndërsa serbët katolikë si të rendit të dytë, kurse serbet myslimanë si serbë të rendit të tretë.

Në shumë raste krijimi i kombeve mbi bazën etnike nuk ka funksionuar ashtu siç është parapare nga ideologët e tyre. Rumunët ortodoksë kanë tentuar të zhvillojnë një komb të vetëm, por fati historik (invadimi BRSS-së në Moldavi në vitin 1944) ka bërë që nga rumunët ortodoksë të bëhen dy kombe (rumunët dhe moldavët). Moldavët gjuhën e tyre e quajnë rumune dhe nuk e mohojnë etninë rumune.

Hidromorava

Rast i kundërt janë malazezët, të cilët me të dalë në jetë si komb, pretendojnë që edhe etnia e tyre është e ndryshme nga ajo serbe, dhe gjuhën e tyre kanë filluar ta quajnë gjuhë malazeze, përkundër faktit që krye-heroi i tyre kombëtar, Njegoshi, e ka konsideruar veten e tij serb.

Kjo ka ndodhur më herët edhe me bullgarët. Pasi Serbia përmes luftërave ballkanike pushtoi Maqedoninë dhe procesi i serbizimit të bullgarëve të Maqedonisë dështoi, ngjarjet historike rezultuan me formimin e kombit maqedon. Ideologët e tyre, për të forcuar sa më shume identitetin kombëtar, shkuan aq larg sa edhe mohuan etninë e tyre bullgare. Gjuhën e tyre e quajnë maqedone edhe pse gjatë bisedave mes zyrtarëve maqedonë dhe bullgarë nuk ka nevojë për përkthyes. Sidoqoftë, është e drejtë e tyre politike që etninë e tyre ta konsiderojnë ashtu siç duan vet përkundër faktit se krye-heroi i tyre Goce Delçev vetën e ka konsideruar bullgar dhe që VMRO –ja ka synuar që territori i Maqedonisë t’i bashkëngjitet Bullgarisë.

Ne botë ekzistojnë një mori rastesh ku disa kombe, që e pranojnë njëri – tjetrin, pajtohen me faktin që e ndajnë të njëjtën përkatësi etnike siç është rasti me gjermanët-austriakët, malaj(zian)ët-indonezianët, kombet arabe dhe shume të tjerë.

Sintagma “Kombi Kosovar” për herë të parë është përmendur në vitin 1941 nga Mitrush Kuteli në një poezi kushtuar Kosovës. Si koncept politik kjo sintagmë për herë të parë është promovuar nga ana e autorit të këtyre rreshtave para njëzet viteve.

Për elitën shqiptare në Tirane e Prishtinë etnia dhe kombi ishin sinonime. Akuzat për tradhti kombëtare, përçarje dhe prishje të unitetit të kombit shqiptar nuk pushuan për vite të tëra. Në vitin 2004, kur u promovua libri “Drejt Kombit Kosovar”, kopjet e librit iu morën me dhunë autorit dhe u dogjën para kamerave televizive.

Kjo situatë ndryshoi pasi Kosova shpalli Pavarësinë e saj, kur Toni Blair e Hilary Clinton, gjate vizitave të tyre në Kosovë, i dëshiruan “jetë të gjatë kombit të ri kosovar. Pas këtij urimi përkrahësit e kombit Kosovar u shumuan aq shumë sa edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në paraqitjen e tij para Këshillit të Sigurimit të KB, e pa të arsyeshme të argumentojë se kombi kosovar nuk ekziston .

Kombi është konstrukt politik dhe e natyrshme që pasi për Presidentin e Serbisë nuk ekziston shteti i Kosovës rrjedhimisht nuk ekziston as edhe kombi kosovar. Po të ekzistonte për Presidentin e Serbisë kombi kosovar atëherë ai do ta pranonte shtetin e Kosovës.

Kombi kosovar nuk ekziston edhe për liderët politikë edhe të 84 shteteve tjera, por ky komb tashmë ekziston për 108 kombe anëtare të OKB.

Paradoksi qëndron në atë se gati të gjithë liderët politikë të Kosovës, dhe e ashtuquajtura elita kosovare pajtohen me Presidentin Tadiq që nuk ekziston kombi kosovar. Ky qëndrim i liderëve kosovarë, i bënë të duken qesharakë e budallenj në sytë e kolegëve tyre nga Perëndimi. Edhe kërkojnë anëtarësim në OKB, edhe deklarojnë se nuk janë komb!

Kombi kosovar nuk përmendet as në Kushtetutën e Kosovës. Por kombi kosovar përmendet shprehimisht ne Planin e Ahtisaarit në Nenin 1.7 ku shkruan se Kosova duhet të ketë simbolet e veta kombëtare, përfshi flamurin, emblemën dhe himnin kombëtar. Politikanët kosovar dhe shumica e medieve kosovare këto i quajnë simbole shtetërore, kurse simbole kombëtare i quajnë vetëm simbolet kombëtare shqiptare.

Disa komentues kosovarë grinden me kolegët e tyre në Tiranë, “pse ata në Tiranë, reprezentacionin e Kosovës e quajnë Kombëtarja e Kosovës” pasi sipas këtyre komentuesve nuk ekziston kombi kosovar .

Me Planin e Ahtisaarit në mënyrë eksplicite definohen se kush janë minoritetet në Kosovë dhe të drejtat e tyre pozitivisht të diskriminuara. Kjo do të thotë që kombin në Kosovë e përbën komuniteti shqiptar, për vetë faktin se komunitetet tjera janë të definuara si minoritete.

Sipas Pakos së Ahtisaarit del se kombi kosovar është komb mono-etnik dhe bi-religjioz (mysliman-katolik). Me Planin e Ahtisaarit dhe rrjedhimisht edhe me Kushtetutën e Kosovës, shqiptarët katolikë nuk kanë vende të rezervuara në Parlamentin e Kosovës. Pse? Sepse Ahtisaari e ka konstatuar që ata janë pjesë integrale e kombit kosovar. Prej përfundimit të luftës dhe deri me sot, kishte deputetë dhe ministra katolikë përtej përqindjes që përbën ky komunitet në shoqërinë kosovare pa kurrfarë nevoje për ndërhyrje ligjore a kushtetuese.

Plani i Ahtisarit nuk është pengesë që kombi kosovar në të ardhmen të zhvillohet në një komb multi-etnik. Përkundrazi, Plani i Ahtisarit e synon pikërisht këtë perspektivë.

Prej të gjitha komuniteteve në Kosovë, më së paku pritet që komuniteti serb të bëhet pjesë integrale e kombit kosovar.

Sipas planit të Ahtisaarit, serbët mbeten pjesë integrale e kombit serb, sepse çdo serb i Kosovës mund ta mbajë shtetësinë serbe. Po ashtu ata janë njëkohësisht edhe minoritet në Kosovë, por për dallim nga minoriteti boshnjak apo ai turk që vijojnë mësimet në shkolla kosovare në gjuhën boshnjake përkatësisht turke, shkollat në gjuhën serbe në Kosovë janë praktikisht shkolla të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës.

Serbët e Kosovës janë komuniteti i vetëm në Kosovë që ka bërë jetën e kombit për gati një shekull. Për këtë arsye rasti i Kosovës është Sui Generis. Serbët në Kosovë e kanë statusin e minoritetit, ashtu siç e kanë edhe serbët në Rumuni, por për dallim me serbët në Rumuni të cilët nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë pjesë integrale e kombit serb, serbët e Kosovës kanë qenë për afro një shekull dhe vazhdojnë të jenë pjesë integrale e kombit serb. Për Ahtisaarin ka qenë e panatyrshme që një komunitet, pas gati një shekull jete si komb, të mos vazhdojë të ketë këtë kualitet jetese.

Se si do të zhvillohen gjërat në të ardhmen mbetet për t’u parë. Por, sido që të përvijohen zhvillimet në dekadat e ardhshme, shembulli Kosovës do t’i kontribuojë zhvillimit të teorisë për kombin.