UBT

Komunat kanë nevojë për një fond social emergjent

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan- Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka miratuar raportin e punës 9-mujore të Qendrës për Punë Sociale (QPS), të cilin e ka prezantuar drejtori Beqir Selmani dhe i ka rekomanduar Kuvendit Komunal të shikojë mundësitë për krijimin e një fondi emergjent për nevoja sociale, kompensimin e punëtorëve socialë për punën që bëjnë jashtë orarit si dhe sigurimin e veturave të terrenit për këtë institucion të përkujdesjes sociale.

Selmani ka thënë se QPS ofron shërbime dhe asistencë sociale, në bazë të ligjeve të cilat janë në fuqi në Republikën e Kosovës, përgjegjësi këto që janë bartur në komuna nga viti 2009.

Ai ka prezantuar edhe statistikat e lëvizjeve sociale në komunën e Gjilanit, duke thënë se niveli i asistencës sociale është i njëjtë me vitin e kaluar. Në skenën e asistencës sociale janë të përfshira rreth 1.200 familje, të cilat marrin një ndihmë mujore prej 65 euro, që trashuar me nevojat, është simbolike.

Në këtë nëntë mujor kanë shënuar rritje disa tregues. Selmani ka thënë se janë regjistruar 27 raste të fëmijëve me sjellje asociale, që përbën një rritje të ndjeshme, 62 raste të delikuencës së të miturve, 21 raste të dhunës në familje. Në rritje e sipër janë edhe kërkesat për përkujdesje ndaj personave të moshuar, por Gjilani nuk ka ende shtëpi të pleqve, prandaj ka kërkuar që të punohet në këtë drejtim, sepse nevojat po rriten nga dita në ditë.

Hidromorava

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dr Xhemajl Salihu ka thënë se për themelimin e një fondi emergjent në komuna, mungon baza ligjore, ndërsa sa i përket strehimit të personave të moshuar, ka sqaruar se edhe ky aspekt është në përgjegjësi të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Duke e marrë parasysh se kërkesat për asistencë sociale janë në rritje, Sami Ahmeti, ka kërkuar që të rritet edhe përkrahja për Qendrën për Punë Sociale, e cila merret me këto shërbime, kurse dr Jashar Jashari ka shtruar pyetje rreth kritereve për birësim, trajtimin e rasteve, kohën e shfrytëzimit të ndihmës si dhe interesime të tjera të fushës sociale.

Ndërkaq, dr Hajriz Ibrahimi u interesua rreth fëmijëve të braktisur në familjet mikpritëse.
Dr Bajram Shaqiri, kryesues i KSHMS ka shprehur interesim të dijë nëse punëtorët socialë i përcjellin rastet e vjetra, procesin e risocializimit të fëmijëve delinkuentë dhe çështje të tjera, në të cilat ka dhënë përgjigje drejtori i QPS, Beqir Selmani.

Selmani tha se mundësitë financiare kushtëzojnë reduktimin e disa shërbimeve dhe të asistencës dhe është përgjigjur edhe në interesimet konkrete të anëtarëve të KSHMS./rajonipress/