UBT

KIPRED: Me task forcë s’luftohet korrupsioni

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Prishtinë – Gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova vazhdon të vlerësohet si një vend shumë i korruptuar. Gjatë këtyre viteve është vërejtur një mungesë serioze e vullnetit politik dhe insititucional në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk ka dhënë rezultatet e pritura, veçanërisht për shkak të mekanizmave të shumtë të krijuar për këtë qëllim.

Për më tepër, këto mekanizma për luftë kundër korrupsionit kanë mandate të paqarta që shpie deri tek konfuzioni institucional dhe mos-efikasiteti.

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) ka publikuar sot raportin “Lufta kundër korrupsionit: Analizë krahasuese mes Kosovës dhe Kroacisë”, i cili adreson çështjen e nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë, me theks të veçantë në krahasimin mes Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Zyrës për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (USKOK) të Kroacisë.

Modeli i USKOK-ut është një shembull i përshtatshëm për homologun e këtij organi në Kosovë, sidomos për shkak të rezultateve që ajo ka qenë në gjendje të ofrojë në rrugën e Kroacisë drejtë BE-së.

Sipas autorëve të këtij raporti, themelimi i mekanizmave të ndryshëm dhe krijimi i task forcave rrezikon zbatimin e ligjeve dhe politikave ekzistuese, duke shpenzuar buxhetin në drejtime të ndryshme ndërsa rezultatet në luftën kundër korrupsionit duken të dobëta dhe numri i dënimeve mbetet i ulët.

Thjeshtësimi i rolit dhe përgjegjësisë së secilit institucion me institucionet udhëheqëse të caktuara në luftën kundër korrupsionit është shans që Kosova nuk duhet të humbasë. Ky është mësimi kyç i mësuar nga rasti i Kroacisë.

Kosova mund të përdorë mësimet dhe praktikat nga vendet e tjera që kanë luftuar me sukses korrupsionin si për shembull Kroacia që ka një eksperiencë shumë të mirë në këtë fushë. Zyra për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është analizuar si model për Kosovën për të përdorur dhe potencialisht të përshtatet me mandatin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në përputhje me fushëveprimin e USKOK-ut PSRK-ja e reformuar duhet të jetë autoriteti udhëheqës në vend posaçërisht në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar me një strukturë të qartë të punonjësve të tyre të policisë, prokurorëve special dhe ekspertëve. Për më tepër, duke përfituar nga praktikat e mira të USKOK-ut, PSRK-ja në Kosovë duhet të rrit transparencën e saj nëpërmjet përforcimit të marrëdhënieve të saj me publikun.

Raporti rekomandon masat e mëposhtme për reformën institucionale në luftën kundër korrupsionit:

RCCOLA

• Fuqizimi i legjislacionit për PSRK-në: Duke përdorur shembullin e ligjit kroat për USKOK-in, të ndryshojë Ligjin mbi PSRK-në për të përfshirë një mandat të qartë për prokurorët special të Kosovës, të hartojë një kornizë të vetme ligjore duke përfshirë strukturën dhe përbërjen e PSRK-së me një menaxhim dhe strukturë të qartë organizative në lidhje me atë se kush kujt i raporton.

Roli i PSRK-së për korrupsionin dhe luftën kundër krimit të organizuar duhet të definohet si i udhëheqësit, duke përfshirë qasje të pakufizuar në të gjitha nivelet e informacioneve të kërkuara për rastet e hetimeve të profilit të lartë, dhe duhet tu ofrohet mbrojtje e plotë prokurorëve specialë dhe familjeve të tyre.

• Hetimet dhe aktakuzat nga PSRK-ja duhet gjithashtu të trajtohen nga gjyqtarët specialë ose nga dhoma e posaçme, si në rastin e USKOK-ut, dhe ligji i PSRK-së duhet të krijojë policinë e PSRK-së sikurse në modelin e policisë së USKOK-ut nën rekrutim dhe strukturë të menaxhimit të drejtpërdrejt nga PSRK-ja. Raportimet dhe monitorimet në lidhje me përcjelljen e menaxhimit të rasteve nga hetimi, aktakuza, aktgjykimi dhe vendimet e formës së prerë duhet të mblidhen nga PSRK-ja dhe të publikohen në baza të rregullta. Ky ligj duhet pra të qartësojë dispozitat përplasëse ekzistuese në Kodin Penal të Kosovës, Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Gjykata të rregullta.

• Dyfishim i fondeve për PSRK-në – Qeveria e Kosovës duhet të dyfishojë fondet për PSRK-në deri në 1,120,000.00 € (nga shuma e tanishme prej 593,000.00 €) i bazuar në modelin kroat të përdorimit prej 0,62 € për kokë banori për anti-korrupsion dhe luftën kundër krimit të organizuar. Kosova aktualisht ndan vetëm 0,32 € për kokë banori në këto përpjekje.

• Të shfuqizojë organet e paefektshme institucionale: Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit nga Zyra e Presidentit, Task Forca dhe/ose njësitë speciale anti-korrupsion; si dhe Koordinatori Kombëtar për Antikorrupsion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit. Shfuqizimi i këtyre mekanizmave duhet të ndiqet nga mbështetja e plotë politike, ligjore dhe financiare për të forcuar mandatin e përgjithshëm të PSRK-së i cili duhet të ketë rol udhëheqës në luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar.

• Udhëheqje e përbashkët e SPRK-së nga prokurorë të EULEX-it dhe Kosovës: Në mënyrë që Kosovës t’i sigurohet më shumë pronësi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, PSRK-ja duhet të udhëhiqet bashkarisht nga dy kryesues – një prokuror shtetëror i Kosovës dhe një prokuror i EULEX-it për një afat kohor me kohëzgjatje të kufizuar 2 vjeçare.

Pas dy vjetësh, PSRK-ja duhet të kryesohet tërësisht nga Prokurorët kosovarë.

• Kërkesat e kryesuesit të PSRK-së së Kosovës: Prokurori shtetëror i Kosovës, bashkë-kryesuesi i PSRK-së, duhet të gëzojë reputacion të shkëlqyer, me një minimum prej 10 vjet pune në Prokurorinë Speciale, i pavarur nga përkatësia politike, dhe me një histori të shkëlqyer të të dhënave.