Uji Dea

Kimera

/ 11 minuta lexim
KKVITI

Nga Petrit Selimi – Marrëveshja e arritur nga Kryeministri Thaçi dhe homologut të tij serb u quajt historike nga një shumësi zërash diplomatikë dhe politikë. A kemi të drejtë që mbrojmë dokumentin e parafuar që edhe vetë Kryeministri Thaçi e quajti jo-ideal? Çka i bën bashkë ata që kundërshtojnë marrëveshjen në Kosovë?

Jo vetëm sa për sy e faqe, mirë do të ishte t’i zbërthejmë argumentet kryesore të atyre që kundërshtojnë marrëveshjen. Më poshtë do t’i them ca fjalë edhe për aleancën modeste politike që kundërshton marrëveshjen.

Marrëveshja është jo-kushtetuese?

Disa sosh, kryesisht krerë të disa OJQ’ve dhe mediave, thonë se Kosova duhet të ketë marrëveshje dhe dialog me Serbinë, por se ky tekst specifik tejkalon kufijtë dhe vijat e kuqe të Kosovës dhe ndërhyn në sistemin kushtetues të Kosovës. Realisht, kjo dilemë hiqet shumë lehtë. Siç tha edhe Ministrja Çitaku në një kolumne te vetën, shoqëria civile, partitë por edhe qytetarët munden fare lehtë ta dërgojnë marrëveshjen në Gjykatë Kushtetuese. Delegacioni i Kosovës është kujdesur që Parimet e Para të normalizimit të jenë të fokusuara në mbylljen e strukturave paralele dhe rrumbullakësimin e shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në çdo cep të saj, si kusht sine qua non për zhvillimet e mëtejshme politike.

Edhe Asociacioni është konform Kushtetutës. Plani i Ahtisarit thotë: “përgjegjësitë komunale në fushat e kompetencave te veta dhe të zgjeruara mund të ushtrohen nëpërmjet partneriteteve komunale, përveç ushtrimit të kompetencave fondamentale siç janë zgjedhjen e trupave komunalë, emërimi i zyrtarëve komunalë, buxhetimi komunal dhe aprovimi i akteve rregullative që zbatohen në qytetarë”. Ky ishte një nga kompromiset e “dhimbshme” të cilat ne si shoqëri dhe shtet i kemi aprovuar që në ditën kur e kemi shpallur pavarësinë, dhe “ushtrimi i kompetencave komunale nëpërmjet asociacionit” është ndër shtyllat kryesore të garantimit të devolucionit të fuqisë politike sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Komunat e Kosovës kanë autonomi (fjala “autonomi” është veç një shprehje që do të thotë devolucion i pushtetit), por kjo autonomi assesi nuk është rajonale dhe territoriale.

Krahasimi i kësaj formule që mundëson asociimin ndërkomunal me Republika Srpskën që ka kompetenca ekzekutive, legjislative, policore, ushtarake, doganore, buxhetore, të politikës së jashtme dhe të drejtë supreme të vetos në çdo fushë të Bosnjës, është i tepërt dhe ka synim vetëm frikësimin e qytetarëve në mënyrë më cinike të mundshme.

Marrëveshja e arritur e ka bërë Serbinë aktor në çështje të brendshme të Kosovës

Disa zëra (shpesh me lojë inventive por demagogjike fjalësh) thonë se marrëveshja ka degjeneruar nga normalizimi i marrëdhënieve midis të shteteve në diskutim për çështje të brendshme të Kosovës. Them se është m’u e kundërta e vërtetë. Serbia tash e 14 vjet ka pasur gisht direkt në çështje të brendshme të Kosovës duke mbajtur ilegalisht struktura të drejtësisë dhe policisë, si dhe të mbrojtjes civile, në total mbi 1.000 persona që çdo ditë, çdo javë dhe çdo vit kanë marrë pjesë në mirëmbajtjen e një sistemi paralel të pushtetit.

Ky raund i dialogut (sepse do të ketë edhe shumë xhiro tjera gjatë jetës sonë, me dhjetëra e dhjetëra sosh) është fokusuar në përmbushjen e konkluzave të BE’së të fundvitit 2012, e një nga kryesoret që ka qenë m’u mbyllja totale e të gjitha strukturave paralele dhe respektimi i Kosovës si një njësi ligjore, doganore, kushtetuese. Prej verës së vitit 2013, asnjë polic i vetëm serb nuk do të gjendet në Kosovë, asnjë zyre e vetme paralele nuk do të ekzistojë, asnjë cent nuk mund të transferohet nga Beogradi pa e informuar Prishtinën. Prandaj Parimet e normalizimit e bëjnë atë që tash e 14 vjet nuk është arritur nga asnjë qeveri e Kosovës: të përthekohet territori i Kosovës me ligjet e Kosovës dhe të defaktorizohet Serbia nga çështjet e brendshme të Kosovës, pa derdhur më as një lot, pa shkrepur më asnjë plumb dhe pa derdhur më as edhe një kokërr gjak.

Mitrovica dhe Kosova po mbeten të ndara etnikisht

Thjeshtë në baza parimi dhe në shikim të parë, njëri edhe mund të ketë parasysh se Parimet e Normalizimit po “legalizojnë” çelësin etnik për zgjidhje të sfidave në Kosovë. Policia dhe gjyqësori do të reflektojnë përbërjen e popullatës. Por a të bëhemi pak të sinqertë? Parimet e Normalizimit e kanë një zanafillë. Qeveria e Kosovës është e bindur se ato janë konform Kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës është rezultat i procesit të negociatave në Vjenë. Negociatat në Vjenë u lansuar me raportin e të dërguarit të OKB Kai Eide. Raporti Kai Eide u nis si rezultat i ngjarjeve të marsit 2004. Nuk janë të paktë zëra që thonë se ngjarjet e 2004, përkundër humbjes së jetëve dhe shkatërrimit të pronës, megjithatë e thyen status-quonë e OKB-së që thirrej në Standardet Para Statusit.

Eco Higjiena

Njëkohësisht harrojmë ta përmendim se reputacioni i shumicës në ruajtje të të drejtave të pakicave etnike ka përjetuar një grusht të jashtëzakonshëm dhe reputacioni i kosovarëve është dëmtuar tej mase me dhunën – po pra etnike – që erdh si cunami i paparashikueshëm. Edhe vetë Ahtisaari në planin e vet reflekton në nevojën që të mbrohen të drejtat e pakicave etnike, pikësëpari serbe. Për “tango nevojiten dy”, dhe ishin shumë prej neve ata që iu bashkëngjiten valles serbe që synonte tërë kohën problemet e Kosovës t’i transferojë dhe t’i projektojë nëpërmjet prizmit etnik. Është dyfytyrësi kur ata që kërkojnë Shqipërinë Etnike të ankohen se solucionet e aprovuara kanë parasysh komponentën etnike të sfidave.

E vetmja mënyrë të kundërshtohet etnicizimi Kosovar është normalizimi i marrëdhënieve që sjell deri te interaksioni më i madh në mes serbëve dhe shqiptarëve në baza njerëzore, qytetare dhe biznesore. Shtrpce dhe Graçanica janë sukses jo se janë enklava etnike, por se situata është çtensionuar falë punës nën një kulm të përbashkët Kosovar, proces që do të përforcohet edhe më shumë me proceset mbështetëse të dialogut siç janë koncesionimi i Brezovicës apo privatizimi i Trepçës të cilat nuk janë të mundshme as në teori nëse nuk ka bashkëpunim midis komuniteteve. Po ashtu, të drejtën e kthimit të shqiptarëve dhe pronave të tyre në veri, por edhe serbëve në pjesë tjera të Kosovës e garanton vetëm respektimi i plotë i ligjeve të Kosovës me gjykata dhe polici të Kosovës, me agjenci pronash të Kosovës dhe Agjencion të Privatizimit të Kosovës. Prandaj afatgjatë, Parimet e Normalizimit garantojnë veglërinë me të cilën qytetarët kosovarë të cilido nacionalitet do t’i kërkojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre, përfshi kthimin në vendlindje dhe të drejtën e pronës. Një gjykatës serb që punon me ligje të Serbisë do të kishte vështirë të ndihmonte ndonjë shqiptar në kthim të pronës, por një gjykatës serb që punon me ligje të Kosovës i ka konsideratat juridike shumë më të afërta shqiptarit që kërkon pronën.

Anëtarësia në OKB nuk është përfshi në Marrëveshje

Disa ditë para marrëveshjes, mediat furishëm filluan të raportojnë për pikën e famshme 14 rreth mos-bllokimit të palëve për hyrje në Kombe të Bashkuara. Në fund të raundit të dhjetë, u spekulua se Kosova “hoqi dorë” nga kërkesa për anëtarësi në OKB dhe u pajtua “vetëm për integrime europiane”.

Ata që kundërshtojnë marrëveshjen duke përdorur argument se kinse marrëveshja nuk mundëson anëtarësinë e Kosovës në OKB nuk janë duke lexuar fort dokumentet më elementare të OKB-së e as deklaratat zyrtare të shteteve, votën e të cilës ne kërkojmë për anëtarësi. Një nga argumentet kryesore kundër njohjes së Kosovës nga ana e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit por edhe shteteve tjera ka qenë unilateraliteti i perceptuar i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Marrëveshja me Serbinë e adreson m’u këtë “brengë” – dhe aq u konfirmua edhe nga përshëndetja dhe përkrahja e fuqishme që iu bë marrëveshjes nga shtetet si Sllovakia, Rumania, Greqia. Vetëm marrëveshja dhe asgjë tjetër pos marrëveshjes e fut Kosovën ngadalë në struktura multilaterale.

Prioritet kryesor i Kosovës momentalisht janë hyrja në rrjedhat formale të integrimeve europiane, qasja në programe dhe financime që ofrohen proporcionalisht më shumë me çdo hap progresiv drejt BE-së. Mungesa e çfarëdo reaksioni zyrtar rus kundrejt marrëveshjes vetëm sa sinjalizon se çështja e jonë në OKB do të jetë e komplikuar edhe një kohë dhe kjo assesi nuk duhet të na bllokojë proceset tjera dhe hyrjen tonë në organizma tjerë, përfshi pse jo – edhe ato europiane të OKB-së. Ishte një kompromis që reflekton realitetin por që esencialisht nuk e prek agjendën apo nuk e dëmton Kosovën në këtë fazë në të cilën jemi.

Saktësisht veprimet unilaterale, mungesa e dialogut, protestat e dhunshme kundër marrëveshjes dhe ikja nga përgjegjësia historike dhe politike për të vulosur paqen në Ballkan janë metoda që garantojnë që Kosova kurrën e kurrës mos të konsiderohet si e denjë për të hyrë në BE dhe OKB.

Fare në fund, të hedhim pak dritë edhe mbi ata që kundërshtojnë sot marrëveshjen. Përbëjnë më pak se 1/3 të Kuvendit dhe gjithsesi një grupth të vockël në popull: një parti etno-nacionaliste që beson në teori të gjakut dhe tokës dhe që kërkon ndryshim të dhunshëm të pushtetit (sipas propozimit që Albin Kurti i ka bërë Ramush Haradinajt para ca kohe, mjaftojnë 40,000 njerëz të “dalin në rrugë” për “t’u marrë RTK-ja dhe Kuvendi me dhunë sipas modelit të sheshit Tahriri”). Pastaj janë disa organizata të ashtuquajtura joqeveritare që kanë drejtorë po s’kanë aktivistë dhe që marrin fonde për projekte të pajtimit me serbë në Beograd, por i Refuzojnë të drejtat ahtisariane pakicës serbe në veri me frikësime qëllimisht cinike se po “bosnjizohet Kosova”. Janë edhe një a dy media që po mbesin dita-ditës pa para për shkak të ndryshimit të pejsazhit medial, e që kujtojnë se me ndryshim të pushtetit mund të shpëtojnë disi.

Kjo himerë nuk e kanë në të vërtetë problemin me marrëveshje. E kanë problemin me Qeverinë e Kosovës dhe Hashim Thaçin personalisht. Inati nuk i lë të pranojnë se edhe një herë, Komandant Gjarpri përforcoi pozitën e vet dhe të Kosovës duke u treguar si i vetmi lojtar kredibil dhe serioz në skenë politike që mund të bëjë veprime të guximshme dhe t’i garantojë ato para partnerëve kryesorë të popullit të Kosovës.

Prandaj edhe i tërë debati është i kotë. Asnjë nga kundërshtuesit nuk kanë guxim ta dërgojnë marrëveshjen në Gjykatë Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe do të vazhdojnë me zhurmë anti-europiane të arrijnë saktësisht të kundërtën e asaj që synojnë: ta përforcojnë këtë qeveri dhe këtë nomenklaturë politike, e cila me të gjitha mangësitë që ka, së paku e di se rruga euro-atlantike konsiston nga dialogu, dialogu dhe vetëm dialogu.

Autori është Zëvendës Ministër i Jashtëm. Opinioni nuk përfaqëson doemos edhe qëndrimin e organizates ku punon. Për më shumë, përcillni nofkën në Twitter: @petrit