Fundamenti

Katër fatlumët

/ 5 minuta lexim

Blerim Rrustemi, Afrim Rrustemi, Haku Turkaj dhe Hakif Fazliu ia panë hairin dekretit të Presidentes Atifete Jahjaga. Janë këta të vetmit persona që hynë në listën e shkurtër të të dënuarve që Presidentja vendosi t’ua falë burgun. Të gjithë, sipas zyrtarëve të burgjeve të Kosovës, kishin dënime të lehta, shkruan Express.

Presidentja e Kosovës e mendoi mirë se kujt t’ia falë dënimet për pesëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Kur vendosi t’i marrë në duar të gjitha kërkesat e të burgosurve që shkuan në adresën e saj, duket se e bëri planin mirë e mirë se kë ta lë jashtë burgut. Kështu ajo zgjodhi që në listën e saj t’i fusë vetëm të burgosurit që kanë pas dënime të lehta, e që kanë aplikuar për falje. Dhe kështu veproi. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga të dielën ua fali burgimin katër personave që ishin dënuar jo më shumë se me dy vite burg.

Fatin që të dekretohen nga Jahjaga ditën e pavarësisë e kishin Blerim Rrustemi, Afrim Rrustemi, Haku Turkaj dhe Hakif Fazliu. Kështu të paktën tha të martën Komisari i Burgjeve të Kosovës, Resmi Hoxha. “Vendimi me emrat e të falurve na ka ardhur sot (e martë)”, ka thënë Hoxha për Express. Sipas Hoxhës, që të katër të liruarit nga ana e presidentes kanë jo më shumë se dy vite dënim. “Blerim Rrustemi është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, njëjtë edhe Afrim Rrustemi. Haki Turkaj ka qenë i dënuar me një vit burg, kurse i fundit që është falur është Hakif Fazliu që ka qenë i dënuar me tri vite vurg, por që dy vite i ka vuajtur e i patën mbetur edhe një”. Veprat për të cilat janë dënuar tre të falurit e parë akoma nuk dihen, e për Hakif Fazliu Express merr vesh se ka qenë duke e vuajtur dënimin për një pyll që e ka vjedhur në Podujevë kohë më parë.

Sidoqoftë, numri i vogël i të dekretuarve nga ana e Presidentes nxiti të hënën shumë reagime nëpër të gjitha burgjet e Kosovës. Para se të ndodhte dekreti, plot 441 të burgosur nga të gjitha burgjet e Kosovës kanë dorëzuar kërkesat e tyre për falje. Por, dita kur festuan përvjetorin e pavarësisë i zhgënjeu shumë të burgosurit. Atyre iu kumtua lajmi se nga gjithë ai numër sa kishin aplikuar për falje, në fund fituan vetëm katër. Ishte kjo arsyeja që e shtyu Këshillin Grevist të Burgut të Dubravës të hënën të reagojë ashpër ndaj këtij dekreti.

Uji Dea

I kontaktuar nëpërmjet telefonit, njëri ndër anëtarët e këtij këshilli tha për Express se të burgosurit janë shumë të zhgënjyer me numrin e të falurve për përvjetorin e pavarësisë. Prandaj në emër të tyre, ai kërkoi urgjentisht nga kryetari i Kuvendit të Kosovës që në seancën e radhës të futet në rend dite kërkesa e të burgosurve dhe të miratohet ligji për amnisti.

Thirrje të njëjtë ai u ka bërë edhe Presidentes dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, sepse përndryshe, sipas tij, do të ketë një reagim të ashpër në një të ardhme të afërt nga ana e të burgosurve. “Nëse kjo nuk realizohet në një të ardhme shumë të afërt, të burgosurit nuk do të japin llogari për veprimet e tyre. Prej të mërkurës do të hyjmë në grevë”, tha të hënën ky anëtar i Këshillit grevist.

E ky reagim i Këshillit grevist të Burgut të Dubravës erdhi një ditë pasi presidentja Atifete Jahjaga, në pesëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, nxori një dekret për faljen e dënimit të mbetur katër të burgosurve, të cilët janë duke vuajtur dënimet nëpër qendrat korrektuese në vend. Dekreti u nxor duke u bazuar në nenin 84, pika 29 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në Ligjin Nr. 03/L-101 për faljen në Kodin Penal të Republikës së Kosovës si dhe në Dekretin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Nr. DF-001-2012, për Kriteret dhe Procedurat për Faljen e Personave të Dënuar, saktësohet në një njoftim të Zyrës së Presidentes.

Është viti i dytë qëkur presidentja e Kosovës pritet të shpallë dekret për falje. Vitin e kaluar, në katërvjetorin e shpalljes së pavarësisë, mes qindra kërkesave të arritura, presidentja pati marrë vendim për faljen e dënimit të mbetur apo uljen e dënimit për 15 persona. Një vit më herët, përkatësisht në trevjetorin e shpalljes së pavarësisë, asokohe ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, tashmë kryekuvendari Jakup Krasniqi, ishte treguar më “duarshlirë”. Ai kishte marrë vendim me të cilin kishte mëshiruar 103 persona të dënuar me vendim të plotfuqishëm. Në vitin 2010, ndërkaq presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, kishte amnistuar 62 të dënuar për vepra të ndryshme penale. Ndonëse kishte qenë e ndaluar që të amnistoheshin persona për disa vepra të caktuara penale e të tillë që ende janë në pritje të vendimit përfundimtar, Sejdiu kishte falur edhe të tillë.