ARKATANA

Kakofonia politike e Luginës

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Nehat Hyseni – Vizita e fundit e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, më 29 janar 2014 në Tiranë, më në fund e hodhi në sipërfaqe situatën alarmante të kaosit politik dhe raporteve të patolerueshme e tmerruese midis përfaqësuesve politikë të tyre.

Disiplinimi i përfaqësimit

Në “lokomotivën” e liderëve të Luginës, që kësaj here ia kishin mësyrë Tiranës, ishte përfshirë, si zakonisht, një brigadë e tërë lider(ucash), duke ia kaluar edhe Amerikës me “kallaballëkun” që krijuan, duke i sjellë në siklet, si gjithnjë, nikoqirët për t’u gjetur vend atyre për t’u ulur në “tavolinën e bisedimeve”.

Kjo situatë tragjikomike e gjendjes së mjerë të kaosit politik të Luginës, ku të gjithë e ndiejnë veten” i pari”, duke u shtyrë me bërryla që ta marrin sa më parë fjalën, për të pasur çfarë të tregojnë kur të kthehen në vendlindje, ku do t’i pyesin militantët e vet: “A e patë çka thashë”? Duke pretenduar se e kanë bërë namin dhe për këtë duhet të informohet bota.

Natyrisht, nuk e çajnë fare kokën për agjendën e përbashkët se për çka është shkuar në takimin në Tiranë dhe çka kërkohej nga Tirana zyrtare për ta ndihmuar çështjen e shqiptarëve të Luginës.

Sepse, në fakt, kjo vizitë e tyre as që kishte ndonjë farë agjende. Ashtu si nuk kishte edhe në takimin e paradokohshëm në Beograd, ku nuk dihej kurrfarë rendi dhe ku u tregua “trimëri” duke eskaluar situatën e “flaktë patriotike” në mbrojtjen heroike të nderit të një ministre kosovare që kishte vizituar zyrtarisht Beogradin pak ditë më parë.

Natyrisht se situata joserioze e krijuar me atmosferën banale, kishte mundësuar arritjen e qëllimeve të Daçiqit edhe më me sukses se që kishte mundur ta imagjinojë ndokush nga stafi i tij profesionist.

Fytyrat e qeshura dhe të ngazëllyera e të gëzuara të zyrtarëve serbë në atë takim tregonin qartë faktin se ata ndiheshin të relaksuar dhe të gëzuar nga fakti sesa joserioz e çfarë niveli i ulët i përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës aktualisht mbretëron në Luginë.

Madje edhe nën çdo nivel që kishin parashikuar ata vetë, meqë Beogradi zyrtar asnjëherë nuk na ka marrë seriozisht, duke na nënçmuar e poshtëruar dhe duke urryer pafundësisht.

Nga Beogradi na u kthyen “trimat” tanë, të cilët na krekoseshin se ia kishin thënë në sy Daçiqit se “nuk i tremben”. Mashallah. Të mos i marrim mësysh “heronjtë” tanë.

“Orkestra” e çakorduar

Por, për dreq, dikush nga gazetarët, e besa edhe nga aktivistët partiakë paska pyetur: “Çfarë u morët vesh në Beograd?”. Na doli se kjo pyetje ishte aq e papritur për disa prej tyre, sa që i shtangu në vend, sepse iu kujtua thënia preshevare “si Syla në Bilaç”, d.m.th. shkuan në Beograd dhe u kthyen, por pa e ditur se pse shkuan?!

Atëherë e patëm lehtë t’i arsyetojmë “heronjtë” tanë, madje disa prej nesh duke rrahur gjoks, “a e pa çka i tha…” dhe duke u ndjerë të lehtësuar për faktin se një vit më parë nuk i kishte dalë gjumi me kohë për ta mbrojtur lapidarin në fundjavën e 20 janarit 2013, të cilin xhandarmëria serbe e hoqi pa kurrfarë problemi apo rezistencë minimale.

Por, për sherr, Ministri i Shqipërisë, Bushati, nuk i përgëzoi për këtë përfaqësim tragjikomik që përngjet një “orkestra të çakorduara” e të çoroditur politik dhe u paska thënë troç: “Kështu të mos na vini. Caktoni një apo dy koordinatorë apo përfaqësues me të cilët mundemi të merremi vesh dhe t’i koordinojmë aktivitetet!”

Pra, gjatë kohë e kemi parë këtë gjendje të tmerrshme në Luginë. Por, e keqja është se nuk ka pasur gatishmëri dhe sinqeritet të mjaftueshëm as nga Shqipëria e as nga Kosova që kësaj pune t’i vihet pikë, duke ftuar dhe mbështetur grupin unik që premton implementim të marrëveshjeve dhe koordinim të suksesshëm të aktiviteteve.

Madje, të jem i sinqertë deri në fund, edhe kësaj radhe nuk jam i sigurt se ministri Bushati e ka sinqerisht. Sepse, si kryediplomat i shtetit të Shqipërisë që është, ai duhet ta dijë se edhe uniteti i përfaqësimit të shqiptarëve të Luginës duhet ndihmuar nga shteti amë dhe Kosova. Shtrohet pyetja:

Ç’ka bërë Shqipëria dhe Kosova deri tani për krijimin e unitetit të lidershipit të Luginës së Preshevës?

Eco Higjiena

Mjerisht, shumë pak, ose aspak! Këtë e them me bindje të plotë. Sepse, Shqipëria deri më tani ka krijuar kaos të vërtetë p.sh., lidhur me pranimin e studentëve të Luginës në universitetet e Shqipërisë, duke anashkaluar kompetencat ligjore e politike të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, me dërgimin e kuotave dhe listave kryetarëve të komunave.

Pra, anashkalohej kompetenca ekskluzive e KKSH dhe krijohej rrëmujë, kaos e tensione politike me rrezik të përleshjeve fizike tek ne.

Ngjashëm, madje shumë më keq ka vepruar Qeveria e Kosovës, duke mos pranuar për pesë vjet rresht asnjëherë, po e përsëris: asnjëherë të vetme përfaqësuesit e Luginës, për t’i ndihmuar për të krijuar unitet veprimi në këtë pjesë të shkretë të Shqiptarisë.

Konsullata e Shqipërisë dhe Zyra e Kosovës, të domosdoshme!

Kjo praktikë duhet ndërprerë një herë e mirë. Duhet dhënë fund këtij kaosi politik dhe katandisjes deri në zhbërje të qenies sonë kombëtare nga bajraktarizma, patriotizma e “izmat” e tjerë. Janë formuar parti politike të panumërta për t’u siguruar karrige liderëve të tyre. Këto parti as nuk kanë kurrfarë programesh, e as parimesh politike.

Krijohen mishmashe koalicionesh e makinacionesh nga më të ndryshmet, duke ia mundësuar Serbisë që ta zbatojë lehtësisht politikën e vet antishqiptare, duke i suprimuar gjykatat, duke reduktuar buxhetin e KKSH, buxhetet komunale dhe duke i reduktuar të drejtat e shqiptarëve deri në absurd.

Mjerisht, kjo është gjendja aktuale në Luginë. Partitë politike shqiptare mjaftohen me deklarata e kumtesa “patriotike” dhe kaq.

Nga kjo gjendje e pashpresë shqiptarët e Luginës nuk mund të dalin pa ndihmën e sinqertë dhe vëllazërore të Shqipërisë dhe Kosovës.

Them të sinqertë, sepse mendoj se pikërisht sinqeriteti na ka munguar deri më tani. Sepse, Qeveria e Kosovës, p.sh., nuk e ka implementuar Marrëveshjen e miratuar më 6 qershor 2013 në Kuvendin e Kosovës për hapjen e zyrave të Luginës në Prishtinë e Gjilan. Kurse për domosdoshmërinë e hapjes së zyrës së Kosovës në Preshevë, si pjesë e zyrës së vet ndërlidhëse në Beograd, as që bëhet fjalë.

As Shqipëria nuk e ka aplikuar një praktikë, që është tejet normale në diplomacinë evropiane e botërore të hapjes së Konsullatës shqiptare në Preshevë, si pjesë e Ambasadës së vet në Beograd.

Hapja e tyre është e domosdoshme. Sepse, Beogradi është larg nga Presheva mbi 400 km. Kurse Prishtina është 75 km dhe Tirana rreth 350 km. Pra, më afër se Beogradi.

Prandaj, po qe se dy shtetet tona shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, vërtet e kanë me sinqeritet përkushtimin për këtë pjesë të Shqiptarisë, ata duhet ta bëjnë këtë pa hezitim. Pra, t’i hapin përfaqësitë diplomatike e shtetërore në Luginë, ashtu si ka formuar Trupin Koordinues Serbia, si përfaqësuese të Qeverisë serbe për Luginën. Sepse, vetëm në atë mënyrë do të mund t’i përcillnin dhe koordinonin aktivitetet e tyre në mbrojtje të bërthamës tone kombëtare në këto troje tona stërgjyshore.

Atëherë nuk do të nevojiteshin vizitat e lokomotivës së përfaqësuesve të Luginës, gjysma prej të cilëve as që e kanë idenë elementare për situatën reale tonën, por marrin pjesë në ato takime sa për t’u treguar sa “të rëndësishëm” janë.

Pra, mund të konkludojmë se gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës Shqipëria dhe Kosova nuk duhet ta shikojnë si diçka të largët, që nuk u përket atyre.

Përkundrazi, ato duhet angazhuar me përkushtim dhe dashuri vëllazërore për ta disiplinuar përfaqësimin dhe unitetin e tyre. Kjo nuk është punë e lehtë, por është obligim i dy shteteve tona kombëtare.

Sepse, siç e dimë, as Shqipëria e as Kosova nuk do ta fitonin pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit dhe disiplinimin e skenës së vet politike pa ndihmën e miqve të sinqertë ndërkombëtarë.