Kadrijaj kritikon qeverinë Kurti: Nga luftimi i oligarkëve, në mbrojtje të tyre

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka ngritur kritika ndaj mënyrës së funksionimit të Kuvendit dhe ndaj qeverisë aktuale të drejtuar nga Albin Kurti.
Ajo nga ulësja e deputetes në Kuvend tha se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po pengojnë në mënyrë të qëllimshme debatin parlamentar dhe po minojnë zërin e opozitës.
“Po e shihni se si po zhvillohen seancat e Kuvendit – me ndërprerje, me ofendime, dhe me pengesa ndaj deputetëve që kërkojnë ligjshmëri. Deputetët e frustruar të VV-së, me britmat e tyre, po pengojnë edhe atë pak fjalë që po na lejon kryesuesi i Kuvendit”, tha Kadrijaj, përcjell Telegrafi.
Duke iu referuar premtimeve të bëra nga Albin Kurti para ardhjes në pushtet, Kadrijaj tha se premtimi për luftimin e oligarkëve është kthyer në një hipokrizi të hapur.
“Albin Kurti erdhi në pushtet me premtime të mëdha, ndër to edhe lufta kundër oligarkëve – një prej premtimeve që i solli më së shumti vota. Por sot, çfarë përfaqëson kjo qeveri? Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i akuzuar nga Prokuroria e Specializuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për abuzim me miliona euro. A kemi dëgjuar ndonjë kritikë apo kërkesë për shkarkim nga ana e qeverisë? Jo”.
Kadrijaj përmendi edhe emra të tjerë të përfshirë në skandale që, sipas saj, janë mbrojtur nga pushteti aktual: “Nagip Krasniqi, ish-kryeshef i KEK-ut, është akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe manipulime me tenderë në vlerë prej 35 milionë eurosh, përfshirë edhe shpërndarjen e informacioneve konfidenciale tek akterë brenda Vetëvendosjes. A u ndëshkua? Jo. Po ashtu, Dejona Mihali, koordinatore e tenderëve – asnjë reflektim, asnjë përgjegjësi”. /Telegrafi/