Kadri Ferati libër për fshatrat e Medvegjës

Medvegjë – Nga Jonuz Fetahu , Botoi shtëpia botuese “Radio Kosova e lirë”, libri i ka 80 faqe, shtypi “Shkrola”, Prishtinë, 2013.
Kadri Ferati lindi më 5 mars 1961, në Tupallë të Medvegjës, ku e kreu shkollimin fillor, ndërkaq më pas vijoi në Prishtinë, ku e mbaroi edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, Drejtimin për Matematikë. Pas përfundimit të aftësimit profesional, punoi si mësimdhënës i matematikës në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Banjë të Siarinës, prej vitit 1987-1999.
Gjatë kësaj periudhe ai ishte bartës i shumë aktiviteteve në shërbim të çështjes kombëtare, ndër të cilat edhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik për Medvegjë. Duke qenë i rrezikuar nga soldateska serbo-sllave, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, më 1999 u detyrua të emigrojë në Zvicër, ku jeton dhe vepron bashkë me familjen e tij.
Ëndërroja të të shihja
Dhe të pashë
Deti ta shtonte bukurinë
Ndërsa malet – krenarinë
Pashë ashpërsinë e Veriut
E butësinë e Jugut
Dhe krenarinë e përbashkët
Aq mirë e plotësonin njëra-tjetrën
Pashë
Të shenjtën e të shtrenjtën
Shqipëri
“Poezia e Kadri Feratit është kryesisht poezi malli për vendlindjen, për Tupallën e Siarinën, për Medvegjën, Kapitin, Ramabajën, Svircën…, për trojet e lashta shqiptare, që fati i keq historik i katandisi, sepse: “S’ka gjë në botë më të vështirë se në shtëpinë tënde të jesh mysafir”.
Kjo ndjenjë malli e pikëllimi për vendin dhe “humbja” e vendlindjes janë dhembjet më të mëdha të shpirtit të poetit, dhembjet e pashërueshme, të cilat ai i reflekton në poezitë e tij. I vetëdijshëm se jeta vazhdon, pavarësisht rrethanave tragjike të njerëzve në një moment të caktuar, poeti nuk shket në pesimizëm, përkundrazi ai i beson njeriut, së vërtetës, drejtësisë, sepse forcat e territ e të tmerrit nuk e bëjnë zap botën.
Ato lajmërohen si stuhi shkatërrimtare, por nuk janë të përjetshme, sado që lënë pasoja. Ai beson fort se e ardhmja i takon humanizimit të njeriut, zhdukjes së errësirës dhe mbretërimit të së mirës. Besimin për një ardhmëri të lirë ia forcojnë edhe “malet krenare të vendlindjes, shtati i tyre që ngrihet lart në qiell, male plot me jetë, që kurrë nuk u trembën, as nuk u përkulën…”, shkruan, ndër të tjera, Ahmet Qeriqi, në parathënien e librit./medvegja.net/