ARKATANA

Shaqiri: Kongresi i manastirit është një akt i madh i vetëdijes kombëtare

/ 5 minuta lexim

Intervistë me Avni Shaqirin, Kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” nga Lugina e Preshevës, intervistoi Sevdail Hyseni.

z. Shaqiri, Kongresi i Manastirit ka një rëndësi historike të jashtëzakonshme për shqiptarët. Si e vlerësoni rolin dhe rëndësinë e këtij kongresi për gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare?

Avni Shaqiri: Kongresi i Manastirit është themeli mbi të cilin u ngrit ndërgjegjja jonë kombëtare dhe kulturore. Vendimi për alfabetin e përbashkët jo vetëm që unifikoi gjuhën shqipe, por forcoi edhe identitetin kombëtar të shqiptarëve. Ky kongres ishte një akt i madh i vetëdijes kombëtare, një hap përpara drejt ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe ndërtimit të së ardhmes. Ai vazhdon të jetë një burim frymëzimi për brezat e sotëm e të ardhshëm.

Ngjarjet kulturore që po organizohen gjatë muajit të nëntorit gjithandej hapësirave shqiptare, sa janë të rëndësishme për ruajtjen e identitetit tonë?

Avni Shaqiri: Ngjarjet kulturore të këtij muaji janë një moment i veçantë për shqiptarët kudo. Përmes tyre, ne jo vetëm kujtojmë ngjarje dhe figura të shquara historike, por forcojmë lidhjet mes shqiptarëve në trojet tona dhe në diasporë. Aktivitetet si panairet e librit, koncertet, ekspozitat dhe diskutimet shkencore janë dëshmi e gjallë e vitalitetit të kulturës shqiptare. Ato janë ura që na lidhin me të kaluarën, ndërsa ndërtojmë të ardhmen.

Manastiri është një qytet me një peshë të veçantë historike dhe kulturore për shqiptarët. Si i shikoni sot përpjekjet për ta promovuar këtë qytet dhe trashëgiminë e tij?

Avni Shaqiri: Manastiri është një gur kilometrik në historinë tonë. Si qytet i Kongresit të Alfabetit, ai mbetet simbol i unitetit dhe përparimit kulturor. Për fat të mirë, ka një vëmendje në rritje për të promovuar këtë qytet si një destinacion kulturor dhe historik për shqiptarët dhe jo vetëm. Organizimi i aktiviteteve kombëtare dhe përfshirja e të rinjve në njohjen e këtij qyteti janë hapa të rëndësishëm. Besoj se promovimi i Manastirit duhet të jetë pjesë e një strategjie më të gjerë kombëtare.

Mobi Casa

Delegatët kongresistë kërkuan, që gjuha shqipe të mos shkruhej me shkronja arabe e as me ato greke, por me alfabet latin. Si e vlersoni një qëndrim të tillë?

Avni Shaqiri: Në Kongresin e Manastirit, i cili u mbajt nga 14-22 nëntor, u takuan kokat më të ndritura, zemrat më të zhuritura për përpilimin e Alfabetit të Shqipes, për mbarësinë e shqipes dhe bashkimit gjuhësor kombëtar. Në Kongres, ishin të pranishëm 160 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Gjergj Fishta, nënkryetar Grigor Cilka nga Korça dhe 11 anëtarë të tjerë nga të gjitha fetë (konfesionet). Kumtesa e mbajtur nga Gjergj Fishta i preku të gjithë pjesëmarrësit, një hoxhë ngarendi ta përqafojë Fishtën. Kërkesa e kombëtaristëve ishte që gjuha e ëmbël shqipe të mos shkruhej me shkronja arabe e as me ato greke, por me alfabet latin. Kongresistët votuan unanimisht ta lënë mënjanë alfabetin e Stambollit dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, i cili alfabet përdoret edhe sot.

Si po i pret Lugina e Preshevës festat kombëtare të nëntorit dhe sa janë të përfshira komunitetet shqiptare në këto aktivitete?

Avni Shaqiri: Lugina e Preshevës, pavarësisht sfidave të shumta, i pret me emocion dhe krenari këto festa kombëtare. Për shqiptarët e Luginës, nëntori është një muaj i kujtimeve të lavdishme dhe një moment për t’u ndier më afër kombit tonë. Aktivitetet kulturore, përkujtimoret dhe pjesëmarrja në ngjarjet që lidhen me Ditën e Alfabetit dhe Ditën e Pavarësisë janë një tregues i gjallë i lidhjes sonë me identitetin kombëtar. Megjithatë, duhet të theksoj se mbështetja institucionale për organizimin e këtyre aktiviteteve duhet të jetë më e fortë, në mënyrë që shqiptarët e Luginës të ndihen më të përfaqësuar dhe të vlerësuar.

Mesazhi juaj për lexuesit në këtë muaj të rëndësishëm?

Avni Shaqiri: Le të shërbejë ky muaj si një moment reflektimi dhe bashkimi. Të kujtojmë sakrificat e paraardhësve tanë dhe të angazhohemi për të çuar përpara misionin e tyre për një komb të bashkuar dhe të fortë, përmes dijes, kulturës dhe solidaritetit. Nëntori është më shumë se një muaj i festave, është një thirrje për përgjegjësi dhe angazhim. Urime Dita e Alfabetit, të gjithë shqiptarëve gjithandej, në të katër anët e botës ku shqipet e zogjët e tyre frymojnë, jetojnë e punojnë! Rrofsh e qofsh përjetësisht Alfabeti ynë!