Kabashi përkujton 74 shqiptarët e masakruar më 1913, zbulohet lapidari në nderim të viktimave
Viti – Në shenjë nderimi dhe përkujtimi për viktimat e Masakrës së Kabashit të vitit 1913, është mbajtur akademi përkujtimore, në kuadër të së cilës është bërë edhe zbulimi i lapidarit në vendin ku u vranë 74 shqiptarë nga forcat serbe.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili mbajti një fjalë rasti, duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe dokumentimit të ngjarjeve tragjike që kanë shënuar të kaluarën e popullit shqiptar.
Haliti e cilësoi zbulimin e lapidarit si një akt nderimi, respekti dhe përgjegjësie historike ndaj viktimave dhe sakrificës së tyre.
Ai theksoi se brezat e sotëm kanë obligim që historinë, emrat e viktimave dhe të vërtetën për ngjarjet e së kaluarës t’ua përcjellin gjeneratave të reja.
“Ne kemi për detyrë që emrat e viktimave, historinë dhe sakrificën e tyre t’ua përcjellim brezave të rinj. Sepse një popull që e ruan kujtesën historike, ruan edhe identitetin, dinjitetin dhe të vërtetën e tij. Është veçanërisht e rëndësishme që këto ngjarje të dokumentohen, të studiohen dhe të kujtohen me dinjitet, në mënyrë që viktimat e pafajshme të mos mbeten vetëm emra në faqet e historisë, por të jenë pjesë e kujtesës sonë kolektive”, u shpreh Haliti.
Sipas të dhënave historike të përmendura gjatë ceremonisë, në Masakrën e Kabashit, të kryer nga forcat serbe në vitin 1913, u masakruan 74 shqiptarë.
Zbulimi i lapidarit në vendin e të rënëve shënon një moment të rëndësishëm për ruajtjen e kujtesës historike dhe nderimin e viktimave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Përmes kësaj akademie përkujtimore, u përcoll mesazhi se kujtimi për viktimat dhe dokumentimi i së kaluarës mbeten përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe shoqërisë./rajonipress/


