RCCOLA

Kadare kërkon falje, Rugova kishte të drejtë

/ 3 minuta lexim

Ai kishte kritikuar ashpër Ibrahim Rugovën në veprën e tij “Ra ky mort e u pamë”, por shumë vjet më vonë, shkrimtari i madh shqiptar me renome botërore, Ismail Kadare, e pranon se koha e ka dëshmuar se e drejta ishte në anën e Rugovës.

“Është e vërtetë që i kam kritikuar Rugovën dhe Demaçin. Ju tash mund të mendoni se unë do të them se kisha të drejtë me kritiken që i bëra Rugovës. Jo, koha e dëshmoi së e drejta ishte në anën e Ibrahim Rugovës. Unë e kisha kritikuar, kisha qenë i ashpër me të, ai më fali në takimin që kishim në shtëpinë e tij menjëherë pas luftës, ishte meritë e tij. Ai vdiq në paqe, ne u pajtuam, ishim miq“, kështu ka thënë Kadare javën e kaluar gjatë një pritjeje në Këln.

Ai së bashku me bashkëshorten e tij, shkrimtaren Helena Kadare, ishin ftuar me iniciativën e Luan Krasniqit së bashku me Asociacionin Shqiptar për Kulturë dhe Integrim, transmeton “Zëri”.

Në një ambient të mbushur me shqiptarë, Kadare u pyet rreth raporteve të tij me Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin.

Duke iu drejtuar të pranishmëve ai dhe tha se autori i romanit “Krushqit janë ngrirë”, i cili me këtë libër, përmes botimeve në gjuhën angleze dhe frënge, i bëri të njohura në shkallë planetare, qysh në vitin 1983, kërkesat e studentëve për Republikën e Kosovës tha se “kishte qenë ëndrra ime ta takoj presidentin e Kosovës”.

Fundamenti

Sa i përket Demaçit, Kadareja tha se ai e ka tepruar pa dyshim me kritikat ndaj tij, mirëpo Demaçi, megjithatë, gaboi për Rambujenë.

Teksa pritej me kureshtje nga të pranishmit të shpalosë qasjen e tij për gjendjen e shqiptarëve, ai që e kishte ftuar Kadarenë, Luan Krasniqi në fjalën e tij, në shqip dhe në gjermanisht, tha se më lehtë e ka pasur në ring se të mbajë një fjalë para Kadaresë.

Megjithëse rrjedha e fjalës së tij brilante e dëshmoi të kundërtën, fjalët e tij e impresionuan jo vetëm publikun, por edhe vetë Kadarenë. Kampioni i dyfishtë evropian foli për rrugën që e çoi atë deri te takimi i tij i parë me Kadarenë në Tiranë vitin e kaluar, në shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Fillimisht, tha ai, gjithçka pikënisjen e ka në Berlin, në takimin e tij në përvjetorin e dytë të shpalljes së pavarësisë me ambasadorin, Vilson Mirdita. Pasi mori serinë e veprave të tij në 20 vëllime, botim i “Onufrit“ të Tiranës, ai lexoi shumë vepra të shkrimtarit shqiptar, por libri “Mbi krimin në Ballkan“ ishte një lekturë tronditëse për të.

Luan Krasniqi tha më tej se idetë dhe mendimet e Kadaresë vazhdimisht e përcjellin dhe se për të është një nder i madh që të bëjë diçka për veprën e tij. Luan Krasniqi i impresionuar nga Kadare ishte ai që e ndihmoi botimin në gjuhën gjermane të librit-intervistë të Ismail Kadaresë “Çlirimi i Serbisë prej Kosovës“, vitin që shkoi. /Telegrafi/