Uji Dea

Jemi vonë me digjitalizim

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Mentor Shala- Në qershor të vitit 2015 qytetarët e Kosovës mund të mbesin pa transmetim televiziv tokësor, pasi që deri atëherë duhet të përfundojë procesi i digjitalizimit. E, këtë proces ne akoma s’e kemi filluar.

Procesi i digjitalizimit si një ndër proceset më të rëndësishme të kohës në të cilën jemi, vendin tonë e gjen shumë mbrapa, si në aspektin teknologjik ashtu edhe në aspektin ligjor. Ky është një proces i cili në Kosovë është në vullnetin e mediumeve transmetuese. Në këtë proces nuk janë përfshirë institucionet qeverisëse.

Kosova si edhe vendet tjera të rajonit ka afat deri kah gjysma e vitit 2015 që ta përfundojë kalimin nga sistemi analog i transmetimit në sistemin digjital. Disa vende të rajonit kanë filluar këtë proces, e disa e kanë përfunduar e disa të tjera janë në fazën përfundimtare.

Nisur nga praktikat e disa vendeve të rajonit që kanë përfunduar procesin ose janë në përfundim e sipër, për ta përfunduar kalimin nga sistemi analog në atë digjital, nevojitën së paku 3 vjet, ndërsa ne jemi në mesin e vitit 2012, kështu që nëse tash fillojmë me këtë proces dhe atë me ritëm shumë të shpejt, e kemi shumë të vështirë që ta përmbyllim këtë proces. Dhe nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin se ky proces është mjaft i kushtueshëm, atëherë pothuajse e kemi të pamundur që në vitin 2015 të shkyçim tërësisht sistemin analog edhe pse për këtë jemi të obliguar. Për këtë arsye ndihma shtetërore në këtë aspekt është e domosdoshme sidomos në aspektin financiar por edhe atë ligjor.

Vendet e rajonit janë në gjendje shumë më të mirë se Kosova. Shqipëria ka më shumë se një vit ka filluar me transmetim tokësor digjital dhe janë duke punuar në finalizimin e këtij procesi. Maqedonia sapo ka filluar këtë proces, Mali i Zi gjendet në situatë të ngjashme me Kosovën, por që institucionet qeverisëse kanë ndarë buxhet për fillimin e këtij procesi. Kroacia dhe Sllovenia tashmë e kanë shkyçur transmetimin analog dhe janë duke transmetuar në sistemin digjital.

Në Kosovë, deri më tash, përpos disa përpjekjeve të Komisionit të Pavarur të Mediave, për të hartuar një strategji për digjitalizimin, dhe disa përpjekjeve të vet transmetueseve që të fillojnë me këtë proces nuk vërehet ndonjë angazhim tjetër institucional për ta përshpejtuar këtë proces. Kuvendi i Republikës së Kosovës është përgjegjësi kryesor për këtë proces. Por si duket parlamentarët ende nuk e kanë kuptuar rëndësinë e madhe të digjitalizimit.

Deputetët më shumë duhet të merren me fillimin e këtij procesi që është edhe standard europian në rrugën e Kosovës drejt integrimit ne BE. Kuvendi duhet të hartojë bazën ligjore sipas së cilës pastaj do të rregullohej çështja e ndarjes së frekuencave, licencimit të operatorëve të përmbajtjes, televizioneve me frekuencë kombëtare dhe atyre me frekuencë lokale. Komisioni i Pavarur i Mediave pat filluar me hartimin e një strategjie për digjitalizimin por për arsye tashmë të njohura, ky proces u përcoll me telashe dhe nuk doli të jetë serioz. Tash ka rifilluar procesi dhe strategjia për digjitalizim është në përfundim.

Pas aprovimit në Kuvend të kësaj strategjie, duhet të fillohet në hartimin e ligjit për digjitalizimin. Duke u nisur nga praktikat e hartimit të një ligjit, që prej momentit kur propozohet një draft dhe formohen grupet punuese për hartimin e tij e deri të dërgimi për miratim në Kuvend nevojiten së paku 6 muaj, nëse shkon gjithçka në rregull.

Ku është Radio Televizioni i Kosovës si transmetues publik në procesin e digjitalizimit?

Eco Higjiena

Transmetuesi Publik e ka barrën kryesore në procesin e kalimit të plotë në transmetimet digjitale, siç theksohet në një numër dokumentesh të Këshillit të Europës.

Transmetuesi publik e ka për detyrë t’u ofrojë përdoruesve në të gjithë territorin e vendit, me mbulueshmëri 100%, pavarësisht nga vendosja gjeografike, programe informative, edukative e argëtuese. Për shkak se mënyra e financimit është e rregulluar me ligj, transmetuesi publik e ka për obligim që pjesën më të madhe të përmbajtjes programore ta shpërndajë të hapur (të pakoduar). Në këtë mënyrë sigurohet që në përgjithësi popullata të marr një numër programesh televizive pa paguar shtesë.

Me ligj, RTK e ka të lejuar të vendos rrjetin e saj të transmetimit digjital dhe të transmetojë në këtë sistem. Radio Televizioni i Kosovës është në fazën e ndërrimit të teknologjisë analoge me atë digjitale, por ky proces po shkon shumë ngadalë për shkak se procesi është shumë i kushtueshëm, ndërsa buxheti i RTK’së nuk është i mjaftueshëm për ta realizuar shpejt këtë kalim të teknologjisë nga analoge në digjitale. Një problem tjetër për RTK’në është se me ligjin e ri, nuk është zgjidhur prona e mediumit publik dhe kjo është një pengesë shumë serioze në procesin e digjitalizimit.

Mungesa e pronës e pamundëson RTK’në që të investojë, për shkak se nuk jemi pronar e as shfrytëzues të ligjshëm të pronave ekzistuese. Me një përkushtim më të madh institucional si nga qeveria por edhe nga Kuvendi i Kosovës, do të përmbyllet më shpejt se në afatin e kërkuar kalimin nga transmetimi analog në atë digjital. RTK do të ndërtojë kapacitete të nevojshme që i mundësojmë transmetuesit publik që të ketë dy multipleksa (dy frekuenca që mundësojnë hapjen e disa kanaleve), bazuar në përvojat rajonale. Pse duhet të ketë dy multipleksa RTK?

Për shkak se do të ishte një balancues i tregut medial transmetues në Kosovë dhe do të krijonte një hapësirë për një treg të lirë dhe fer në rrafshin e transmetimeve televizive në Kosovë. Transmetuesit në Kosovë është mirë që të mendojnë për ndërtimin e një rrjeti të përbashkët, për arsye se kjo do të shkurtonte në masë të madhe koston shumë të lartë që ka ndërtimi i një rrjeti të tillë dhe në këtë mënyrë mjetet financiare që janë paraparë për investim në rrjet transmetues të shfrytëzohen për digjitalizimin teknologjik të produksionit e cila gjithashtu ka një kosto të lartë.

Mund të konkludojmë se kalimi nga sistemi analog në atë digjital është një proces i vonuar në Kosovë dhe për këtë arsye duhet që të gjitha institucionet, si Kuvendi, Qeveria, Komisioni Europian, por edhe vet transmetuesit dhe Komisioni i Pavarur i Mediave që të shpejtojnë në masë të madhe përpjekjet në mënyrë që me kohë të kalojmë në sistemin digjital.

Zhvillimet e shpejta teknologjike, janë duke krijuar një mjedis shumë dinamik, prandaj nëse menaxhimi i kësaj situate nuk ec paralel me këtë zhvillim, pra nëse metoda tradicionale mbetet e pandryshuar, shoqëria jonë do të privohet nga e drejta që të jetë pjesë e këtyre zhvillimeve të kohës. Thënë më thjesht në qershor të vitit 2015 qytetarët e Kosovës mund të mbesin pa transmetim televiziv tokësor.

Autori është:

Zëvendësdrejtor i RTK’së. Komentet e shprehura në këtë kolumne, nuk përfaqësojnë qëndrimin e RTK’së.