RCCOLA

A është i njëjti Milan?

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj – Është pak e besueshme që Mimoza Kusari-Lila të ketë komunikuar me Milan Radoiçiqin pa dijeninë e shefit të saj. Serbi kontravers, të cilin Vetëvendosja e konsideronte “kriminel” dhe i kritikonte të tjerët që bashkëpunonin me të, tash po del të jetë i dobishëm për pushtetin e Albin Kurtit. Një Milan tjetër.

Para pesë vjetësh, në korrik të vitit 2018, Ramush Haradinaj, atëbotë kryeministër, kishte pritur në zyrën e tij Milan Radoiçiqin, nënkryetar i Listës Serbe dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq. Në një komunikatë të shkurtër nga Zyra e Kryeministrit atëherë thuhej se në këtë “takim pune” ishte diskutuar për situatën e përgjithshme në vend, me theks të veçantë për aspektet e sigurisë, si dhe zhvillimit ekonomik e social.

Para pak muajsh, ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, rrëfeu sesi në kohën kur po tentohej të formohej koalicioni PAN, Haradinaj i kishte telefonuar atij dhe ai e kishte gjetur kryeministrin e ardhshëm në shtëpinë e Radoiçiqit, bashkë me serbin kontravers.

Emri i Radoiçiqit kishte shkaktuar përplasje edhe ndërmjet Haradinajt dhe Hashim Thaçit, kur i pari kishte thënë se ky i dyti po ashtu e kishte takuar serbin gjatë kohës sa ishte president.

Këto raporte dhe takime Lëvizja Vetëvendosje i ka kritikuar vazhdimisht, madje duke iu dhënë edhe konotacion të njëfarë tradhtie karshi interesave të vendit. Ndërkaq vetë Radoiçiqin, zyrtarë të VV’së e kanë cilësuar “kriminel”, “kontrabandist” e çka jo tjetër.

Pritjen e Radoiçiqit në zyrë të shtetit e kam kritikuar edhe vetë, duke ia thënë edhe Haradinajt. Kam konsideruar se, pavarësisht që ai vepron si politikan, mbetet kontravers dhe i dyshuar për shumë vepra, ndër të cilat edhe për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Mobi Casa

Por veprimet, të cilat dikur Vetëvendosja i kritikonte, po del t’i ketë bërë vetë. Në përgjimet e publikura nga Gazeta Nacionale merret vesh se me Radoiçiqin ka biseduar në telefon shefja e grupit parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila. Pra ajo ka folur, në emër të partisë që dikur demonizonte Radoiçiqin, me vetë atë – njeriun i cili gjendet në listën e zezë të Amerikës, i dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit dhe për rastin Brezovica. Pra, Kusari-Lila ka biseduar me një të arratisur, të kërkuar nga Policia e Kosovës.


Publikimi i përgjimeve të bisedave të Kusari-Lilës me Slavko Simiqin, në të cilat përfshihet edhe Radoiçiq, ka shkaktuar me të drejtë reagime të ashpra. Pa marrë parasysh kush qysh i interpreton, një gjë është e sigurt: shefja e deputetëve të partisë në pushtet ka biseduar me Radoiçiqin. Pra, partia e Kurtit, e cila në të kaluarën nuk ka lënë të zezë pa thënë për ata që bashkëpunonin me serbin, tash pa pikë brejtje të ndërgjegjes bisedon dhe bashkëpunon me të.

Në një tjetër situatë, brenda disa kritereve etike të proklamuara vazhdimisht nga vetë Lëvizja Vetëvendosje, më e pakta që do të duhej të ndodhte do të ishte dorëheqja e Kusari-Lilës. Por, kjo nuk ndodhi dhe as që pritet të ndodh. Siç nuk kanë bartur kurrfarë pasojash edhe plot veprime të tjera të zyrtarëve të kësaj partie – krejt ndryshe nga ato që janë thënë e stërthënë gjatë kohës sa kanë qenë në opozitë.

Është shqetësuese dhe e frikshme njëkohësisht sesi partitë politike, si ato që kanë qenë në pushtet, ashtu edhe Vetëvendosja tash, e shohin Milan Radoiçiqin partner për të ecur përpara në çështjet që kanë të bëjnë me veriun dhe qytetarët serbë atje. Është shqetësuese papërgjegjësia e politikanëve kosovarë që përpiqen të arsyetojnë këto veprime, thua se nuk ka ndodhur asgjë, thua se nuk bëhet fjalë për një njeri të kërkuar nga drejtësia, i cili shfaqet si partner dhe njeri kyç për veriun.

Nëse Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur ndër vite se kurrsesi nuk bën të negociohet as bashkëpunohet me Radoiçiqin dhe njerëz si ai, atëherë si u bë që vetë të bisedojë me të? Si u bë që përnjeherë ai, i cili cilësohej kriminel, të shfaqet si partner në zgjidhjen e krizave? Si u bë që veprimet dhe fenomenet që dikur konsideroheshin skandaloze dhe të dëmshme tash të amnistohen nga partia në pushtet?

Milan Radoiçiq nuk ka ndryshuar. Apo mbase tash, sipas optikës së Vetëvendosjes, nuk qenka edhe bash bash i keq.