Hidromorava

Isa Kastrati, shembull i veçantë se si duhet sakrifikuar

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Musa Musliu – Më 21 prill 1999, duke luftuar ballë për ballë me forcat Serbo-Çetnike, në fushën e nderit ra heroikisht ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isa Kastrati, rruga jetësore e të cilit është një shembull i veçantë sesi duhet sakrifikuar e punuar për komb, atdhe e shtet.

Isa Kastrati ishte një shembull model, ishte një shembull tipik i atyre burrave patriotë e të ditur, i cili sakrifikoi vetën për t’i shpëtuar të tjerët.

Selatin Novosella, monografinë kushtuar Isa Kastratit e titullon “Isa Kastrati Kryengritësi i përjetshëm”- dhe vërtetë i tillë ishte. Kisha fatin dhe nderin që Isën ta njoh për së afërmi, sepse në shkollë të mesme (unë si maturant e ai si nxënës i klasës së parë) e kam pasur cimer (shok të dhomës) e më vonë edhe si kolegë pune në Gjimnazin e Dardanës në paralelet e ndara në Hogosht. Këto kontakte kanë vazhduar pothuajse tërë jetën.

Ai ishte një intelektual i rrallë dhe një trim që nuk dinte se çka është frika. Këto veti të tij i verifikon edhe oficeri i Ushtrisë Shqiptare Adem Shehu, që kishte ardhur për ta ndihmuar UÇK-në në Kosovë, i cili në ditarin e tij ndër të tjera thotë: “Isa Kastrati dhe frika ishin dy antipode. Ai njeri nuk e ka njohur këtë fenomen dhe këtë ndjenjë të njeriut”.

Isa Kastrati si 21- vjeçar ishte në ballë të demonstratave historike të 27 nëntorit 1968, në Prishtinë për çka dënohet me 60 ditë burg. Ndonëse formalisht nuk ishte në rrethin e ngushtë të organizimit të demonstratave të 27 nëntorit 1968 në Prishtinë, ai u dallua me organizimin e tyre në Fakultetin Filozofik, ku studionte si dhe në rrethin e tij të gjerë familjar si miqve e shokëve të tij edhe në fshatin e lindjes së tij. Prandaj, edhe në Hogosht u shënuan këto demonstrata falë organizimit të tij. Pastaj Isa në moshën 23- vjeçare së bashku edhe me heroin Rexhep Malën, hogoshtasin tjetër, kaluan kufirin Kosovë – Shqipëri me qëllim që atje ta vazhdojnë jetën dhe studimet.

Isa Kastrati është lindur më 9 prill të vitit 1947 në fshatin Hogosht, që shtrihet rrëzë maleve të Kikës legjendare dhe duke qenë edhe si zonë kufitare me Serbinë, vend ky ku janë zhvilluar shumë luftëra të përgjakshme me hardhitë barbare serbe. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Gjilan, ndërsa në vitin 1967 vazhdoi studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, dega e Matematikës në Prishtinë. Pas mbarimit të shkallës së parë të Fakultetit të Matematikës, vazhdoi Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Ruse, të cilin e kryen për dy vite me notën mesatare 9,75.

Isa rrjedh nga një familje e njohur patriotike, që ka qenë gjithnjë në shënjestër të pushtetit serbo-jugosllav. Ndjenjat politike, burgosjet dhe keqtrajtimet e këtij pushteti nuk kishin të ndalur ndaj kësaj familje atdhetare. Kështu më 1960 burgoset Mumin Kastrati – axha i Isës, pastaj Rexhepi, Qemajli, Ismajli (për themelimin dhe udhëheqjen e Odës Ekonomike të Kosovës) duke mos u përjashtuar edhe babai i Isës, Sabit Kastrati. Të gjithë këta ishin dënuar për shkak të krenarisë së tyre kombëtare, por edhe pse ishin vëllezërit e Muharrem Fejzë Kastratit, i cili ishte likuiduar si një nga organizatorët e rezistencës kombëtare kundër forcave pushtuese serbe në vitin 1945.

Prandaj, Isa kishte një ndjenjë të lartë të atdhedashurisë dhe gatishmërisë për sakrifica sublime. Si rezultat i shpirtit kryengritës të Isës, i cili nuk ishte pajtuar me padrejtësitë që bëheshin ndaj shqiptarëve në vitin 1975 u burgos me 34 veprimtarë tjerë, në krye me Adem Demaçin, simbolin e rezistencës kombëtare. Isa edhe gjatë kohës së vuajtjes së dënimit dënohet edhe dy herë të tjera. Ky lirohet pas gati 12 vjet të torturave të tmerrshme nga UDB-ja serbo-jugosllave.

Uji Dea

Isa edhe pas daljes nga burgu, vazhdoi misionin e tij për çështjen kombëtare. Pas rënies së Murit të Berlinit filloi edhe dekompozimi i shtetit jugosllav. Në rrethana të tilla historike, si imperativ i kohës u formua LDK-ja, si parti e parë legale e shqiptarëve të Kosovës. Në këtë parti u angazhuan një numër i madh i veprimtarëve të Çështjes Kombëtare e në të u angazhua edhe Isa dhe u zgjodh kryetar i Degës së Tretë të kryeqytetit të Kosovës, për tri mandate rresht.

Dalja në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimi i rezistencës së armatosur e inkurajojnë Isën dhe tërë familjen Kastrati. Kështu, ky së bashku me shumë veprimtarë dhe aktivist të tjerë organizuan demonstratat me përkrahje të UÇK-së, duke qëndruar në ballë të 100000 demonstruesve. Pastaj më 1998 e udhëhoqi Këshillin e Emergjencës në Prishtinë, i cili do të luaj një rol të rëndësishëm, sepse i strehoi një numër të madh të shpërngulurish nga zonat e luftës duke ua siguruar edhe ushqimin. Isa në këtë kohë të luftës lëshoi edhe shtëpinë e tij, ku u vendosën të shpërngulurit nga zonat e luftës e sidomos nga territori i Drenicës.

Pra, Isa kishte gatishmëri që ta paguante edhe me jetë realizimin e Republikës së Kosovës. Prandaj, në janar të vitit 1999, Isa Kastrati rreshtohet në radhët e UÇK-së të Zonës Operative e Llapit, ku emërohet komandant për moral dhe politikë të brigadës 151 “Zahir Pajaziti”. Isa shpesh kalonte nga Zona Operative e Llapit në atë të Karadakut.

Isa vritet më 21 prill të vitit 1999 së bashku me dy shokë të luftës, Sokol Sopin dhe Afrim Vitinë të cilëve u kishte shkuar në ndihmë në çastin kur ata ishin plagosur.

Është detyrë e jona t’i kujtojmë figurat e shquara shqiptare, sepse falë punës, aktivitetit dhe kontributit të tyre ne sot kemi krijuar shtetin, institucionet tona shtetërore e publike, kemi shënuar rezultate të lakmueshme në shumë sfera dhe segmente të jetës.

Përderisa për shumë gjenerata, pra edhe për Isa Kastratin, liria e Kosovës ishte ideal, për ne sot kjo është realitet. Prandaj ne duhet t’i kujtojmë, t’i çmojmë dhe mos t’i harrojmë për asnjë çast të gjithë ata personalitete që sakrifikuan jetën për të sotmen.

Pra, lavdi jetës dhe veprës së Isa Kastratit dhe të gjithë të rënëve për liri!/rajonipress/