UBT

Minatori i Trepçës: E jap jetën për shokët, nuk e ndalim grevën pa realizimin e kërkesave

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Njëri nga minatorët e Trepçës ka theksuar ata nuk do të ndalin grevën deri sa kërkesat e tyre të realizohen, duke rikujtuar se janë të vendosur të mbrojnë të drejtat e tyre dhe sigurinë në punë për veten dhe kolegët e tyre.

Minatori i Trepçës, njëri prej grevistëve, ka thënë se nuk do ta ndalin grevën derisa të plotësohen të gjitha kërkesat që ata i konsiderojnë minimale, por shumë të rëndësishme për ta.

“Se sa do të qëndrojmë këtu varet prej kërkesave se si do të realizohen, sa më shpejt që realizohen, më shpejt përfundon greva, nëse vazhdojnë të mos realizohen, minatorët do të qëndrojnë në grevë”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

Gjithashtu, ai i emocionuar e me lot në sy ka shprehur shqetësimin e tij se pse kërkesat e tyre nuk janë realizuar në një kohë të shkurtër.

Ai ka theksuar se stafi udhëheqës i minierës dhe institucionet e Kosovës duhet të merren me kërkesat e tyre dhe të kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh minator në kushte të vështira.

Fundamenti

“Asnjë familjar te shtëpia nuk është në gjendje të mirë, çfarë po mendojnë udhëheqësit tanë, unë nuk vij këtu të punoj vetëm për vete, për këta shokë e dha jetën për ta, unë e di se çfarë pune bëjnë, pse të mos vijnë këtu të japin një përkrahje morale, nuk është paga asgjë, duhet me vlerësua minatorin, nuk mund të bëhet gjithkush minator. Derisa të realizohen kërkesat tona, minatorët nuk do ta dalin nga miniera, sepse janë kërkesa të arsyeshme”, është shprehur ai.

Ai ka shprehur edhe shqetësimin për familjet e minatorëve, të cilat nuk janë në gjendje të mirë, derisa ka kërkuar përkrahje morale të udhëheqësve.

Gjithashtu, minatori ka treguar se ai është pjesë e një greve të mëparshme në vitin 1989, por situata aktuale tash është edhe më e rëndë.

“Unë jam punësuar në vitin 1985, domethënë që 33 vite jam minator në Trepçë. Unë jam pjesë e grevës të vitit 1989, por këso gjendje në këtë kohë tonën në këtë demokraci të jetë kjo gjendje kështu nuk e kam menduar kurrë kështu. Ne minatorët e Trepçës nuk e kemi gëzuar asnjë të drejtë pa bërë protestë, pa u ndal prej pune ose pa bërë grevë”, ka thënë ai.