Fundamenti

Idriz Seferi organizator i shumë kryengritjeve në Anamoravë

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan- Në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Gjilan u mbajt akademi solemne kushtuar figurës emblematike të luftës për liri e për Shqipëri, kalorësit të Karadakut, Idriz Seferi, me ç`rast kryetari i komunës, Qemajl Mustafa theksoi se Idriz Seferi ishte njeri i epokës, bashkë me Isë Boletinin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë, epokë kjo që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, njëqind vjet më parë.

Ai e cilësoi të jashtëzakonshëm dhe jashtë serik heroin kombëtar, Idriz Seferi. Pa ideator dhe pa unifikues siç ishte Idriz Seferi dhe shokët e tij, nuk do të ndërtoheshin shkallët e forta, nëpër të cilat u ngjitëm deri këtu. Dhe pa Shqipërinë e pavarur, nuk do të pasonin përpjekjet e shqiptarëve për çlirim dhe më vonë për pavarësi të Kosovës, tha Mustafa, nën përkujdesjen e të cilit u mbajt kjo akademi.

Historiani Aliriza Selmani nënvizoi se Idriz Seferi ishte organizator i zoti, që frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet tjera shqiptare. Ai deri në vdekje luftoi për liri dhe pavarësi. Nuk ishte vetëm prijës popullor e luftëtar i lirë, por ishte edhe strateg ushtarak që me sukses udhëhoqi popullin në luftë në disa beteja të epokës kur jetoi.

Fundamenti

Shkrimtari Ibrahim Kadriu tha se Idriz Seferi nuk ka lindur në Sefer, siç thonë historianët, por ka lindur në Elbasan, atje ku asokohe ndodhej familja e tij dhe si fëmijë u kthye në Karadak, ku u rrit dhe u edukua nëpër oda. Kundërshtoi të gjitha reformat e asaj kohe që ishin në kundërshtim me të drejtat e njeriut. U dënua disa herë dhe nga të gjithë pushtetet e asaj kohe, Serbia, Bullgaria, Turqia, madje edhe me burgim deri në 101 vjet, por nuk u thye. Kadriu tha se pushtuesit i njihnin mirë aftësitë e Idriz Seferit, prandaj i kishin ofrua të gjitha privilegjet nëse bashkëpunonte me ta, por Idrizi nuk pranoi asgjë. Ai ishte dhe tërë jetën mbeti me popullin e tij. Vdiq duke i thënë të birit se tërë jetën e tij është munduar që ta bëjë këtë tokë Shqipëri, por zor qenka.

Ndërkaq, historiani Fitim Rifati, i cili foli për dimensionin real dhe ideal të Idriz Seferit, tha se ai ishte komandant i kryengritjeve dhe lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare dhe mbetet figura më emblematike e luftës për çlirimin e viseve shqiptare.

Akademia u shoqërua edhe me pjesën muzikore, ku u interpretuan këngë për Idriz Seferin./rajonipress/