Fundamenti

I zemëruari dhe i diskredituari

/ 12 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enver Robelli- Shpërthimi i Jakup Krasniqit kundër krimit e korrupsionit mund të duket i vonshëm, por prapë është i dobishëm për shoqërinë. Ndërsa sulmet e Fatmir Sejdiut kundër LDK-së janë hiç më pak se hipokrizi: sikur të mos e kishte humbur pushtetin, ai kurrë s’do kishte folur për keqpërdoruesit nga radhët e partisë së tij, tash gëzohet që “disa nga ata tashmë janë duke u hetuar për krime, shantazhe e kërcënime” – një gëzim i vonshëm, sepse LDK-në në këtë situatë e ka sjellë edhe Sejdiu

I.

Një valë akuzash po drejtohet kundër Jakup Krasniqit. Të thirrur e të pathirrur po shprehin mosbesim ndaj sinqeritetit politik të kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Kritika e Krasniqit kundër devijimeve të pushtetit, kundër manipulimeve zgjedhore, kundër keqpërdorimeve të parasë publike, kundër privatizimeve që, siç po shihet, kanë qenë krejtësisht të pamenduara, madje në disa raste edhe mafioze, po kualifikohet si tepër e vonshme. Si çdo politikan i Kosovës, edhe Jakup Krasniqi nuk e ka pirë moralin me lugë të madhe. Sigurisht ka mundur të reagonte më ashpër në të kaluarën, sepse është ndër të vetmit në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që nuk mund ta shantazhojnë grupet joformale dhe nëntokësore, të cilat, në fakt, e kontrollojnë këtë parti. Krasniqin nuk mund as ta frikësojnë. Një njeri që për disa ideale të rëndësishme ka bërë shumë vjet burg, një aktivist politik që merr guximin të dalë haptazi e të flasë si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), derisa “shokët” e tij shesin trimëri nga ngrohtësia e hoteleve të Tiranës, do të ishte absurde t’i nënshtrohej diktatit partiak në rrethana krejtësisht të reja.

Disa të tjerë, ish-shokë ideali të Jakup Krasniqit, i janë nënshtruar diktatit. Paramendojeni Hydajet Hysenin: dikur me megafon maje lisi si prijës demonstratash, sot në opinion nuk bie në sy me kritika e rezistencë kundër të keqes, por vetëm kur flet në kremtimin e ditëlindjes së diktatorit Enver Hoxha në Prishtinë. Paramendojeni Nait Hasanin: s’i frikësohej asnjë xhandari serb në vitet ‘90, e sot edhe zgjedhësit e tij duhet të pyesin veten: a është fare në parlament apo jo? Ka disa të tillë në Grupin Parlamentar të PDK-së, sepse shpesh pak pushtet, pak rehati financiare kanë ndikuar që të bëhen indiferentë ndaj problemeve të mëdha të këtij vendi. Për pjesën tjetër të parlamentarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk duhet humbur shumë fjalë: njihen botërisht si persona që në Kuvend janë futur me vota kryesisht të vjedhura ose të siguruara përmes blerjes së zgjedhësve. Disa prej tyre nuk do të ishin fare në parlament sikur të mos ishin përsëritur zgjedhjet në Mitrovicë – dhe kjo përsëritje ishte bërë edhe për t’ua “siguruar” votat, të cilat nuk i kishin marrë as në hambarin e madh të votave në Drenicë, as në Prishtinë. Grupi tjetër i deputetëve janë (ish-)anëtarët e orkestrës “humanitare” për dasma e varrime të quajtur SHIK, persona për të cilët pothuaj askush s’e flet një fjalë të mirë – dhe sikur të mos ekzistonte frika e madhe që e ka mbjellë regjimi i Hashim Thaçit në shoqëri, këta njerëz që kurrë nuk dalin në foltore të Kuvendit do të demaskoheshin brenda 24 orëve. Ata rrinë aty, në kolltukët e Kuvendit, për t’i treguar opinionit se janë padronët e vërtetë të këtij vendi.

Para se të shpërthente në Kuvend, Jakup Krasniqi foli në emisionin “Rubikon”, ku e kapërceu rubikonin. Thelbësore në këtë intervistë për t’u mbajtur mend ishte ky konstatim i Krasniqit: “Shoqëria kosovare e ka një frikë për t’u shprehur, e ka një frikë për ta thënë mendimin e vet. Një gjë duhet ta dimë: forca kurrë nuk i ka mbajtur diktatorët dhe diktaturat, as nuk i ka krijuar. Frika lejon paligjësi, frika lejon që njerëzit të korruptohen, edhe moralisht, edhe politikisht, edhe financiarisht”. Për shumë kritikë të Krasniqit vlen pyetja: ku keni qenë vetë ju, si gazetarë, qytetarë të thjeshtë, njerëz të shqetësuar për fatin e këtij vendi, që nuk i keni denoncuar keqpërdorimet prej kohësh, që keni lejuar të mbillet frika? Çdo angazhim në jetën publike bart edhe rreziqet e veta, por nëse ekziston frika të thuhet e vërteta, atëherë së paku duhet të tregohet se heshtja është pasojë e frikës! Nuk është turp. Frika është ndjenjë njerëzore, vetëm të çmendurit nuk frikësohen.

UBT

Por në vend se debati të përqendrohet në temën e frikës, në kulmin e aferës së hotelit “Grand”, ka medie në Prishtinë që nguten t’i thurin lëvdata njërit prej protagonistëve të involvuar, i cili është hiç më pak se zëvendës i Hashim Thaçit. Para se t’i vërsulen Jakup Krasniqit disa zëra publikë duhet ta pyesin veten: “Ç’kemi shkruar në 5-6 vjetët e fundit për problemet që po i përmend Krasniqi” ose edhe më radikalisht: “Ç’kemi bërë nga 12 qershori 1999 për t’i dalë përpara të keqes?” Nuk është fshehtësi që për nga fëlliqësia disa gazetarë të çarshisë së Prishtinës nuk dallojnë shumë nga politikanët e korruptuar. Nuk është fshehtësi që jo pak aktivistë të shoqërisë së ashtuquajtur civile mezi presin ndonjë shpërblim nga pushteti. Nëse në këtë vend është arritur të instalohet frika, siç po lë të nënkuptohet kryetari i Kuvendit të Kosovës, atëherë nuk qenkemi larg periudhës së Aleksandar Rankoviqit, kur njerëzit frikësoheshin edhe prej mureve të shtëpisë. Krasniqi mund të duket tani si i zëmëruari i vonuar, por prej këtij zemërimi shoqëria e Kosovës nuk pëson dëm. Nuk është hera e parë që Krasniqi flet. Ka qenë mbase i vetmi prej zyrtarëve të lartë të PDK-së që protestoi kundër vjedhjes së votave në ditën e zgjedhjeve (12 dhjetor 2010); e ka kundërshtuar hapur zgjedhjen e një biznesmeni të dyshimtë dhe ish-emisari të presidentit rus Boris Jelcin në postin e kryetarit të Kosovës; ka kritikuar edhe të ashtuquajturën bashkësi ndërkombëtare, e cila për të realizuar qëllime afatshkurtra bashkëpunon me politikanë të shantazhuar që vendimet i marrin me mesazhe telefonike dhe në muhabete kafehanesh. Qytetarëve të Kosovës u duhen sa më shumë zëra që brenda sistemit flasin për ta. Këtë e tregoi edhe jehona e qëndrimeve publike të Krasniqit ditëve të fundit. Por si çdo politikan, edhe ai shumë shpejt do të matet sa i përket qëndrueshmërisë së deklaratave të tij. Nuk mjafton të thuhet “ekziston frika në shoqëri”, por duhet të emërohen shkaktarët e frikës! Pozitive gjithsesi është që Krasniqi po flet derisa është në pushtet, madje në krye të Kuvendit. Sikur të ishte jashtë politikës, i dëbuar apo i larguar nga partia, qëndrimet e tij vërtet do të dukeshin qesharake.

2.

Të tilla për shembull duken tani qëndrimet e ish-kryetarit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Si pensionist politik, i diskredituar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila – me apo pa të drejtë – e ka damkosur si shkelës të ligjit themelor, ai herë pas here paraqitet në opinion me mendime krejtësisht të shthurura. Fisnikëria e një politikani shihet edhe në mënyrën se si pajtohet me humbjen. Fatmir Sejdiu nuk është pajtuar me humbjen demokratike dhe po përpiqet të bëjë sa më shumë dëm, duke shpresuar se kështu mund të kthehet si triumfues i madh në skenën politike. Një shpresë e kotë! Dihet për politikanë të mençur, të cilët e kanë humbur betejën për kryetar partie kur madje gjatë kongresit, pa asnjë paralajmërim, janë ballafaquar me kundërkandidatë. I tillë ka qenë Rudolf Scharping-u i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), i cili në vitin 1995 u rrëzua nga froni nga kolegu i tij partiak Oskar Lafontaine. Pas disfatës së rëndë Scharping atëbotë tha se SPD-ja tani e ka liderin e pakontestueshëm, i cili duhet të mbështetet pa asnjë dilemë. Natyrisht deri në kongresin tjetër. Fatmir Sejdiu nuk po pret asnjë kongres, por po përpiqet të manipulojë me njerëz, të cilët nuk e kanë problem t’i shërbejnë secilit usta politik, madje edhe duke ndërruar partinë më shpesh se këmishën. Sejdiu po luan rolin e viktimës dhe në një intervistë për gazetën “Kosova sot” foli edhe për “një fushatë të paprecedentë kundër personalitetit tim, madje edhe kërcënimet e grupeve të orkestruara edhe me djegien e selisë. Tellallë që thërrisnin për linçimin tim. (…) Fatbardhësisht, disa nga ata tashmë janë duke u hetuar për krime, shantazhe e kërcënime, që del se kanë qenë pjesë e një strukture të orkestruar. Tani i mbetet drejtësisë ta thotë fjalën e vet dhe realisht të shihen se kush janë ata dhe mbështetësit e tyre”. Si gjithnjë, edhe kësaj radhe ish-kryetari Sejdiu kultivon një gjuhë jokonkrete, me aludime, pa asnjë dëshmi. Një politikan serioz, që ankohet se po e kërcënojnë me djegie të selisë (cilës seli?), duhet patjetër ta njoftojë opinionin se kush janë kriminelët e dyshuar. Derisa ka qenë në pushtet s’është dëgjuar të flasë qartë kundër devijimeve të mëdha në politikë, tash sikur përpiqet të marrë rolin e apostullit moral. Këtu qëndron dallimi mes hipokrizisë së Fatmir Sejdiut dhe zemërimit të Jakup Krasniqit. Tash Sejdiu thotë se në Kosovë “ekziston një klimë tensioni dhe frikë”! Por kjo frikë ka ekzistuar edhe në kohën e kryetarit Fatmir Sejdiu, fatmirësisht jo e shkaktuar prej tij, por prej atyre me të cilët ai u shtri në një shtrat të përbashkët koalicioni, i cili shpejt rezultoi si shtrat Prokusti. Atëherë Sejdiu nuk ka folur kundër frikës, sepse vetë ka qenë i rehatuar, siç thuhet, me shtëpi e me katandi.

LDK-ja është bërë pikë e pesë për shkak se prijësit e saj vuajnë nga egoja, të cilën e kanë më të madhe se trupin. Ekziston ndërkohë një pajtim në opinion se Isa Mustafa është lider i ngathët, por problemin duhet parë pak më gjerë: askush nuk mund ta reformojë një parti, e cila qe 22 vjet nuk afron, por ndjek e përzë njerëz. Askush nuk mund ta reformojë një parti që dominohet prej funksionarëve që nuk kanë ambicie për ndryshimin pozitiv të shoqërisë dhe përparimin e vendit, por vetëm për sigurimin e pak privilegjeve për vete dhe klanet e tyre. Nuk reformohet partia nëse brenda keni mashtrues, të cilët një pjesë të mirë të kohës e kalojnë duke sajuar intriga bashkë me strukturat nëntokësore të PDK-së. Qe më shumë se 20 vjet në LDK sillen vërdallë njerëz të njëjtë – pa ide, arrogantë, të tillë që kujtojnë se janë pronarë të partisë. Për shembull as Fatmir Sejdiu, as Nexhat Daci nuk e kanë ndarë partinë për çështje parimore, por për shkak të mendësisë totalitare dhe përjashtuese. Ky mentalitet ka ndikuar që LDK-ja prej një partie që dikur fitonte 78 për qind të votave të rrëzohet te 20-përqindëshi. Një aventurë e re përçarëse e Fatmir Sejdiut ka gjasa ta fundosë LDK-në te 10-përqindëshi i votave. E vetmja punë e hairit që mund ta bëjnë aligatorët e pangopshëm të LDK-së është sikur të pajtoheshin që Isa Mustafa të ishte lider transicioni, i cili me mbështetjen e të gjithëve do të përgatiste një pasardhës të denjë. Të tillë s’mund të jenë as Fatmir Sejdiu, as Sabri Hamiti, as Eqrem Kryeziu. Këta mund të jenë vetëm vazhdues të agonisë. Ose, nëse duan, ndihmës që në LDK të ndodhë një ndryshim jo vetëm i cilësisë së politikës, por edhe i gjeneratave udhëheqëse. Në PDK ndryshime pozitive zor se do të ndodhin, me gjithë përpjekjet nganjëherë qesharake të Hashim Thaçit për “prurje të reja”, të cilat u dogjën vetvetishëm dhe sot janë vetëm objekt humori nëpër kafehanet e Prishtinës. PDK-ja në periudhën afatmesme, për fat të keq, do të jetë – si deri më tani – parti që operon jashtë kornizës demokratike, andaj çdo parti që ka bërë koalicion me të është djegur. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Por ka parti e politikanë joparimorë në opozitë, të cilëve u pëlqen puthja e Judës.