RCCOLA

Euforia pas ngjarjeve në veri – kundër arsyes dhe kundër interesit kombëtar dhe shtetëror!

/ 15 minuta lexim
Uji Dea

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Lum për ne për deputetët që (s) i kemi: Se jemi euforik, nuk ka fije dyshimi. Se politikanët që janë dhe ishin në pushtet e mbushnin dhe e mbushin këtë eufori me përmbajtje që e përdorin për interesa të veta, gjithashtu nuk ka asnjë dyshim. Po se kësaj euforie i nënshtrohet edhe “ajka intelektuale dhe përfaqësuese e kombit …” – deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kam besuar aq më parë që në krye të këtij institucioni është autori i disa librave filozofikë që lehtësisht mund të shpërndahen edhe si libra me barsoleta, por kjo dëshmon se përvoja jetësore është e pamëshirshme – ndodhin gjëra që në rrethana normale janë të paimagjinueshme të ndodhin, së paku në një shtet normal. Policia e Kosovës ishte në nivel të detyrave të përcaktuara dhe mandatit që e ka.

Madje, ishte përtej këtij mandati duke u përballur me rreziqe që do të ishin sfiduese edhe për një polici që ka shumë më shumë përvojë, e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme dhe e përkrahur, pa asnjë rezervë nga institucionet përgjegjëse dhe vet shteti. Se vdekatarët e rëndomtë e vlerësojnë me respekt punën shumë profesionale të Policisë së Kosovës, nuk është befasi por se këtë e bëjnë politikanët që deri dje ua thyenin kokat me gurë nga trotuaret e shkatërruara apo të sjellur nga terreni për ta luftuar policinë, paraqet, ose manipulim të skajshëm dhe të pafytyrë ose pendim të thellë për të kaluarën e tyre të dhunshme. Dëshiroj të jetë kjo e dyta, sinqerisht.

Po e them, dëshiroj..! Që mozaiku i sjelljeve euforike të bëhet komplet u përkujdesën deputetët e Kuvendit të Kosovës, me Rezolutën e votuar në seancën e fundit për ngjarjet në veri të Kosovës. Kjo Rezolutë u votua pa asnjë kundërshtim, nën ritmin e një patriotizmi folklorik, në pamundësi për të ofruar diçka që është në interes të qytetarëve të Kosovës, ndryshe votuesve të tyre sikur edhe votuesve për zgjedhjet e reja. Askush nuk e analizoi përmbajtjen e kësaj Rezolute apo ndikimin e saj efektiv në ngjarjet që pashmangshëm do të jenë vazhdimësi e atyre të Manastirit të Banjskës, shumë besoj që do të jenë politike e jo policore apo ushtarake. Kuvendi i Kosovës ka traditë që të votojë Rezoluta që pastaj i vendosin në bisht të sorrës dhe ikin “si një puhizë vere…”. Ose, menjëherë pas votimit të këtyre Rezolutave, po këto rezoluta ua kanë “shkartiratë” ndërkombëtarët, ose askush nuk është marrë me to.

Realisht, edhe shumica e rezoluta që miratohen nga Kombat e Bashkuara e kanë fatin e rezolutave të Kuvendit të Kosovës me dallim që janë më profesionale. Po ciia ishte perla që e votuan deputetët e Kuvendit të Kosovës e të cilin nuk do ta kishin votuar as “pleqtë e urtë të Kuvendit të Hajkobillës ..” që e kanë të qartë mandatin e tyre?! Deputetët e Kuvendit të Kosovës e votuan një pikë ku …” Policia e Kosovës autorizohet për veprime në Veri të Kosovës …”.

Po kush janë deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë kësi autorizimi kur Kushtetuta e Republikës së Kosovës qartazi cakton mandatin dhe përgjegjësinë e Policisë së Kososvës për ruajtje dhe mbrojtje të rendit kushtetues të Kosovës. Po këtë e siguron edhe Ligji për Policinë sikur që është edhe një mekanizën që quhet Këshilli për Siguri ku janë të përfshirë krerët shtetërorë sikur edhe ata që kanë përgjegjësi në këtë fushë. E tash deputetët e Kosovës, që një numër i tyre ka angazhim fakultativ aty të dalin mbi këto institucione më të larta shtetërore, përfshirë këtu edhe Kushtetutën e vendit nuk mund të kuptohet ndryshe përveç se në Kuvend kemi mungesë të dijes elementare për të parandaluar këtë veprim, si nga përcjellësit e trashëgimtarit të Aristotelit, Platonit, Mark Aurelit, Ciceronit apo Epiktetitit e që e ka emrin Glauk Kalorësi (Konjufca nuk tingëllon aspak shqip e edhe më pak patriotik), që në rrethana normale do të duhej të mbanin përgjegjësi apo të mos paguhen për mungesën e dijes.

Glauk Kalorësi është i rrethuar me njerëz të padijshëm, që nuk është aspak kriter për një vend aty dhe me njerëz servilë e që është kriteri kryesor që janë aty! Se deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të kenë gabuar shkaku se kanë shumë angazhime, është edhe e kuptueshme mirëpo se të njëjtin gabim e bëjnë këshilltarët që janë angazhuar së voni, nuk është se kuptohet dhe të pranohet aq më parë që një numër jo i vogël i tyre kanë kualifikime të larta, kanë kategori për vozitje edhe të autobusëve, janë shquar në konrabandimin e gazit lotsjellës brenda Kuvendit, janë militantë partiakë kanë kualifikime krejtësisht nepotiste dhe cilësi të tjera që e bëjnë të domosdoshëm angazhimin e një këshilltari të mirëfillt.

Euforia vazhdon, se vazhdon: Pas aktit terrorist afër Manasirit në Banjskë ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku i cili e vazhdoi traditën familjare të bunjakëve në luftë kundër çdo robërimi të huaj dhe komunist si dhe tre sulmues serbë të armatosur që e rrezikuan rendin kushtetues të Kosovës, shpërtheu një rrahagjokësje e politikanëve, duke hyrë dhëndër me haletet e Policisë së Kosovës.

Në vend se topi të lëshohet në tokë dhe urtësisht të analizohet situata sikur edhe veprimet e domosdoshme që duhej marrë për tejkalimin e saj, iu futën konspiracioneve që edhe për Nostradamusin do të ishin joserioze. E kemi ditur këtë para katër ditëve, kemi mundur ta bëjmë këtë, terroristët nuk kanë pasur asnjë gjasë e deri te ajo, e nisi zëdhënësi i Policisë së Kosovës, ministri Sfeqla se: “po e hetojmë implikimin e mundshëm të Rusisë në këtë akt terrorist …” për të vazhduar pastaj me kryeministrin Kurti që tha se: “edhe Putini ka qenë i përfshirë këtu …”. Natyrisht se kjo mjaftoi që një luftëtare e shquar kundër Putinit, e respektuar dhe e pranuar edhe ndërkombëtarisht për këtë, presidentja e Kosovës, Vojsa Osmani t’i përcjellë po të njëjtat fjalë që i tha kryeministri Kurti.

Është interesant që popujt e vegjël asnjëherë nuk merren me problemet reale me të cilat përballen por me çështje globale sikur që ata të jenë vendimmarrësit kryesorë. Kjo më ngjanë me një rast kur një person mendjemadh dhe i papërgjegjshëm, në vend se të merret me probleme personale dhe familjare thoshte se: “a ndjeve se ka falimentuar Behgjet Pacolli dhe se iu ka kajtur nëna Ramiz Elkosit …, ka hyrë në borxhe deri në fyt”. Të tillë i kemi politikanët ne, fluturojnë lart duke u ankoruar në folenë e qyqeve shkaku se nuk mund ta ndërtojnë folenë e tyre. Janë ardhacakë dhe kalimtarë në këtë vend. Të thoni se Serbia nuk ka përgjegjësi në këtë terrorizëm është e njëjtë si të thoni se në Himalaje nuk ka borë por se aty është kopshti botanik më i madh në botë. Të thoni se Vuçiqi nuk ka informata, se Vulini nuk është i përfshirë, Radojiçiqi e pranoi tërë përgjegjësinë për ta shpëruar veten, të tjerët dhe Serbinë është sikur të thoni se njeriu i vdekur ka frymmarrje të rregulltë. Të thoni se Bashkësia ndërkombëtare sidoms shërbimet e zbulimit dhe kundërzbulimit si dhe KFOR-i, UNMIK-u dhe EULESH-i, nuk kanë rol në këtë çështje është njësojë si të thoni se dielli lind në perëndim dhe jo në lindje.

Pastaj, Serbia vendosi afër kufirit me Kosovën forca të mëdha ushtarake me armatim të sofistikuar për të bërë presion mbi Kosovën. Pas kësaj reaguan SHBA-të dhe shtetet më të fuqishme të Evropës me kërkesë që këto forca të tërhiqen. Në pamje të parë fitohet përshtypja se ky presion ndërkombëtar ishte përcaktues që Vuçiqi filloi tërheqjen e një pjese të ushtrisë serbe ndërsa unë mendoj se realisht përcaktues për tërheqje të këtyre forcave ishte ftesa publike e këshilltarit kryesor të kryeministrit Kurti, projugosllavit të thekur, Jeton Qurroi, përfitues i luftës dhe përfitues i imunitetit nga çdo ndjekje se: “Avijano është afër Kosovës, duhet vetëm një orë fluturim …”. Trashëgimtarët biologjikë dhe politikë të udbashëve dhe atyre që i shërbyen Jugosllavisë dhe Serbisë me besnikërinë e qenit të Sharrit, po i bien daulleve të luftës përmes radikalizimit të situatës ndonëse nuk janë në gjendje që, as edhe një pordhë të vetme ta shkrepin për Kosovën.

Mobi Casa

Këta nuk e dinë çka është lufta, ishin në anën e atyre që na vranë për më shumë se një shekull dhe, në krismën e parë shojnë aty ku ishin paraardhësitë e tyre biologjikë dhe politikë. Një numër jo i vogël i qeverisë por edhe deputetëve e kanë një atdhe real tjetër, jo Kosovën apo Shqipërinë. E kanë naj grua apo burrë në ato shtete që ua kanë rregulluar letrat. Dhe ju mendoni se këta do ta bëjnë luftën, në lule jeni nëse mendoni kështu! Përsëri sakrificën dhe pasojat do t’i bartin idealistët për të përfituar horrat dhe materialistët. Tradita vazhdon! Kërkesa kryesore e liderëve kosovarë drejtuar SHBA-së dhe BE-së është që Serbisë t’i vendosen sanksionet në ndërkohë që Serbisë nuk i kanë vendosur kufizime të tilla as si përkrahëse e Rusisë që e bëri Ukrainën shkrumb dhe hi dhe ku numri i viktimave është jashtëzakonisht i madhe dhe ku provohet siguria e rendit botëror.

Tash bota ka rënë në pikë të hallit sepse ende nuk e ka marrë katalogun me kërkesa të sanksioneve që i kanë kërkuar presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe shkatërruesja e dilomacisë kosovare, Donika Katran (Shvarc) Gërvalla. Po kjo që diplomacinë kosovare e ka sjellur para falimentimit po thotë se pas ngjarjeve në veri të Kosovës ka vdekur Zajebnica në ndërkohë që Vojsa Osmani thotë se këtë duhet ta bëjmë bashkë me amerikanët. Kryeministri Kurti e di se si është puna, sidomos pas Brukselit dhe bishtit (aneksit) të Ohrit prandaj vazhdimisht po blenë kohë në përpjekje që mos të formohet Zajebnica gjatë këtij mandati qeveritar e që këtë ta përdorë si armë të fuqishme për zgjedhjet e ardhshme. Vuçiqit nuk i intereson vetëm veriu i Kosovës por dëshiron që tërë Kosovën ta mbajë në gjendje të destabilitetit të përhershëm prandaj nerbia e ka të qartë se çdo marrje e një pjese të territorit të Kosovës në Veri nënkupton se serbët që jetojnë në lokacione tjera poshtë lumit Ibër do ta kishin fatin e armenëve të Nagorni Karabahut. Deri në kohën sa Bosnja do të mbetet e bashkuar (qoftë edhe si e tillë) as Kosova nuk do të ndahet. Marrëveshja e Brukselit dhe bishti (aneksi) i Ohrit është një Kosovë e bosnjëzuar.

NATO-ja ishte e pritshme se pas eskalimit të situatës do të sjellë forca shtesë në Kosovë dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kishte të qartë këtë prandaj i parapriu këtij procesi. Për këtë u kryqëzua si një tradhëtar dhe anti shqiptar dhe anti Kosovë në ndërkohë që u lavdërua kur tre ditë më parë kundërshtoi vendimin e shteteve të BE-së duke kërkuar sanksione kundër Serbisë. Këta që po e sulmojnë Ramën e kanë mënyrë dhe të vetmen mundësi për mbijetesë publike dhe politike. Nuk është lajm nëse Rama e sulmon ndonjë “ politikan “ kosovarë por është lajm nëse këta “politikaj” e sulmojnë Ramën sikur që nuk është lajm nëse elefanti e shtypë një mi por kur miu i del me gjoks përpara elefantit! trupat shtesë erdhën, jo që nuk u kundërshtuan nga politikanët por se u kërkua që të jenë edhe më shumë në mbrojtje të Kosovës.

A do të ndryshojnë akterët “lehtësues” të bisedimeve, formati dhe qëllimet: Në ereksionet euforike ka kërkesa që Lajçak dhe Borrell , Eskobar dhe Blinken të demisionohen sikur që për mandatin e tyre të kishte vendosur Kuvendi i Kosovës. Ka kërkesa që të gjitha marrëveshjet të shpallen të pavlefshme që ishte edhe premtim i LV-së gjatë fushatës zgjedhore. Asnjëra nga këto nuk do të ndodhë. Edhe nëse ndonjë emisar do të largohet, kjo nuk do të ndodhë pse kështu ka kërkuar Kurti dhe Basha por se kanë gjetur ndonjë vend më të mirë, ngritje në karrierë sikur këta prokurorët specialë të Gjykatës Raciste në Hagë, nga persekutues të udhëheqësve institucionalë dhe shtetërorë të Kosovës, presidentit Thaçi, kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, për shkak të karrierës janë shndërruar në persekutues të Donald Trampit. Lexues të kujdesshëm e kanë të qartë se në çdo kërkesë nga aleatët, midis kërkesës palëve për shtensionim, nga palët gjithashtu kërkohet zotimi i përmbushjes së marrëveshjeve të nënshkruara apo të dakorduara gojarisht që nënkupton se formati e sidomos përmbajtja nuk do të ndryshojë.

Serbia po mundohet të dalë nga situata duke e sakrifikuar Radojiçiqin dhe Vulinin e që ka gjasë se do të jetë e mjaftueshme për oportunistët ndërkombëtarë. Kisha Ortodokse serbe, si Pont Pilati i lau duart nga çdo përgjegjësi duke u distancuar nga kryengritësit ndonëse ishte alfa dhe omega e këtyre shfrenimeve nacionaliste, që nga përfundimi i luftës e deri më sot.

Manastiri i Banjskës është hallka e fundit e një zinxhiri të pakëputur i angazhimeve të Kishës Ortodokse serbe në shërbim të nacionalizmit serb, që nga Millosheviqi e deri te Vuçiqi. Mund të llogaritet dhe sigurisht se jemi fitues moral por kjo në asnjë mënyrë nuk do të përkthehet si fitore politike, ata që marrin vendime kanë kritere tjera matëse, jo se në bazë se kush se sa ka të drejtë. Millosheviqi kishte përgjegjësi për gjenocidin në Srebrenicë ku vrau mbi 8600 boshnjakë, në Dejton të Ohajos u shpallë si ndërtues i paqes! Sa për rikujtim!

Dy gjëra që nuk po i kuptoj: Hashim Thaçi, president i Kosovës, Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Rexhep Selimi, kryetar i GP të LV-së, para Gjykatës Raciste Speciale në Hagë po përballen, po të dëgjohej Prokurori Special, me burgim të përjetshëm. Këtë e mirëpresin edhe disa politikanë kryesorë në Kosovë. Së paku nuk do ta kundërshtonin këtë vendim.

Kryeministri Kurti, në “euforinë” e menaxhuar ftohtë dhe saktë, në përpjekje për t’i rënduar gjendjen presidentit Thaçi, e goditi shumë ulët me fjalët se: “një pararendës imi në mënyrë të njëanshme nënshkroi ndalesën për dërgimin e FSK-së në veri të Kosovës …” në kohën kur ky kryeministër e ka të qartë se as Policinë e Kosovës nuk mund ta dërgojë në veri pa lejen e KFOR-it dhe ndërkombëtarëve. Madje, në përpjekje për ta përbuzur “pararendësin”, Kurti nuk denjoi as t’i përmend emrin. Çfarë ligësie kur shumica e këtyre policëve që po sakrifikohen në veri janë bashkëluftëtarë të “pararendësit”.

E dyta, Xhelal Sfeqla u bë si me qenë reporter lufte, nuk lë gjë pa regjistruar me telefonin e tij. Triumfalisht hyri në vilën e Radojçiqit nga na dërgoi fotografi nga brendia e vilës, përfshirë këtu edhe shapkat (papuçet) e dashnores së Radojiçiqit. Në të njëjtën kohë nuk e dha asnjë sqarim si u lejua që Radojiçiq, bashkë me çetën e serbë me aq lehtësi dhe komoditet të tërhiqet për në Serbi. Një dreq i madh është këtu siç thoshte dikur “pararendësi” i Sfeqlës, Rrahman Morina!