KKVITI

Hyrja në periudhën e re politike kosovare

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Blerim Shala – Rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit, do të ndikojnë në ri-konfigurimin e politikës kosovare në nivel të vendit.

Fati e ka dashtë kështu që zgjedhjet lokale në Kosovë të jenë përcaktuese për drejtimin e përgjithshëm politik që do të merr Kosova.

Që prej zgjedhjeve të para lokale, në tetorin e vitit 2000, të cilat ishin edhe votimet e para të lira dhe demokratike në historinë e Kosovës, deri në këto të fundit, në nëntorin e vitit 2009, të cilat ishin edhe votimet e para në Republikën e Kosovës, përcaktimet e qytetarëve të Kosovës për autoritetet lokale, shprehnin edhe vlerësimin e tyre për gjendjen aktuale politike në shkallë të vendit.

Fitorja bindëse e LDK-së së Dr.Ibrahim Rugovës, në zgjedhjet e para të vitit 2000, ishte shprehje e vullnetit të shumicës dërrmuese të kosovarëve për rrëmujën e pas-çlirimit – në radhë të parë. Pakkush dinte fare se çfarë kompetencash kanë në fakt komunat e Kosovës. Ato ishin fare simbolike. Domethënia ishte tek vullneti i përgjithshëm politik i kosovarëve. Ai fliste qartë në favor të Dr.Rugovës dhe LDKs-së.

Ky vullnet u konfirmua, me nuansa aspak të rëndësishme, edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001 dhe në ato lokale të vitit 2002.Ishte kjo Periudha Politike e Dr.Rugovës dhe LDK-së, e cila koincidoi, politikisht, me periudhën kur kosovarët në fakt qeveriseshin, efektivisht, prej Administratës Ndërkombëtare (UNMIK-ut). Mbase kjo Kaptinë do të zgjaste tutje, gjithsesi me ndryshimet që më nuk do të mateshin me nuansa, sikur Dr.Rugova të mos vdiste në janarin e vitit 2006, pak javë pasiqë nisi procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës.Zgjedhjet lokale të nëntorit të vitit 2007, u mbajtën të njëjtën ditë me ato të përgjithshmet, me synimin e qartë të kryeqendrave perëndimore për të veshë me një legjitimitet të votës autoritetet qendrore dhe lokale të Kosovës, të cilat do të jenë në ballë në ndërmarrjes madhore të shpalljes së shtetit të Kosovës.

Me këto zgjedhje, me rezultatet e njohura të tyre, nisi realisht, Periudha Politike e Hashim Thaçit dhe e PDK-së, edhe pse në mandatin e parë të Qeverisë Thaçi, pikërisht LDK ishte partneri kryesor në qeverinë qendrore. Për dallim prej Dr.Rugovës dhe LDK-së, Kryeministri Thaçi do të jetë në ballë të Qeverisë qendrore në periudhën e dobësimit të vazhdueshëm të rolit ndërkombëtarë në Kosovë dhe të fuqizimit kontinuel të faktorit vendor.Buxheti i Kosovës në atë Periudhën e parë matej me më pak se gjysmë miliardi Euro, ky i tashmi, mbërrin 1.6 miliardë Euro.

Uji Dea

Atëherë kishim një Qeverisje simbolike kosovare, tani, kemi Qeverisje të mirëfilltë vendore.Zgjedhjet lokale të vitit 2009, me të gjitha zhvillimet gjatë dhe pas tyre, dëshmuan që qeveria PDK-LDK rri në këmbë të qelqta, dhe që do të thyhet me një të rame të vetme – siç edhe ndodhi me zhvillimet e ditura prej të gjithëve, në shtatorin, tetorin e vitit 2010, me dorëheqjen e Presidentit Sejdiu dhe me daljen e LDK-së nga Qeveria.

Për këtë shkak, vetëm 12 muaj pas zgjedhjeve lokale, u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.Nga ky pikëshikim, nuk ka fjalë që edhe zgjedhjet e sivjetme komunale, do të sjellin mesazhin e qartë se si qëndrojnë punët në skenën politike të Kosovës, kush është çfarë në këtë skenë, dhe kush në fakt do të jetë në përbërjen e Qeverisë së re të Kosovës, e cila në çdo variant, kurdo që mbahen zgjedhjet, në pranverën apo në vjeshtën e vitit të ardhshëm, do t’i prijë vendit në vitin 2014.

Nga ky aspekt, s’do mend që motoja zgjedhore e LDK-së është e sakt: Sot komuna, nesër Kosova. Por kjo moto, ka vlerën e përgjithshme, dhe përkon pra, me vetë politikën kosovare, e jo vetëm me një parti. Nëse skena politike kosovare, për pak çaste, mund të krahasohet me burzën, mund të thuhet që në ditët pas 3 nëntorit, kur do të kuptohen detalisht rezultatet e zgjedhjeve lokale, si në segmentin e garës për kryetarët e komunave, ashtu edhe në atë për përbërjen e Asambleve komunale, do të mund të dihet edhe vlera reale politike, çmimi i qëndrueshëm politik, i të gjitha entiteve politike kosovare, përfshirë këtu, për të parën herë, edhe të subjekteve politike serbe në Kosovë.

Aktualisht, jo vetëm për shkak të vetë karakterit të një fushate parazgjedhore, por edhe në vijim të faktit që tash e gati tre vjet nuk kemi pasur zgjedhje (është kjo periudha më e gjatë midis dy palë zgjedhjeve, pas asaj midis viteve 2002-2007), gjendemi në zonën e hirtë të spekulimeve të shumta se kush sa vlen në politikën kosovare, ku gufojnë variante të shumta të raporteve shkak-pasojë që do të duhej të reflektonin rënien dhe ngritjen e një subjekti politik.

Një gjë, në këtë zonën e spekulimeve të shumta, është gjithsesi e sigurt: Askush prej entiteteve politike që ka marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, nuk do ta ketë rezultatin identik me ato votime, jo vetëm sepse ato janë cilësuar botërisht si zgjedhje të fabrikuara. Thjesht, shumëçka ka ndodhë në tri vitet e kaluara, në politikë, në ekonomi, në shoqëri në përgjithësi, por edhe thuaja brenda secilit subjekt në veçanti, ashtuqë kjo të mos pasqyrohet edhe në votën e 3 nëntorit, e cila patjetër duhet të jetë e lirë, nëse dëshirohet shmangia e skenarëve më të këqij të mundshëm për Kosovën.

Një tjetër gjë duket poashtu goxha e sigurt: Fitues të bindshëm, çfarë ishte rasti me LDK-në më parë dhe me PDK-në më pas, duket që nuk do të ketë. Do të ketë fitues relativ, humbës relativ dhe humbës absolut.Dhe gjithsesi, rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit, pos që do të ndikojnë në ri-konfigurimin e politikës kosovare në nivel të vendit, do të kenë pasojë edhe në ndryshimet domethënese tek (mbase) të gjitha subjektet politike.