Huqjet e një diplomati
Nga Imer Mushkolaj -Islam Lauka kurrsesi nuk mund të shërbejë si model i mirë për pasardhësin e tij në postin e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë. Misionin e tij prej diplomati e kanë karakterizuar shumë huqje.
“A s’ka hiç serbë në këtë sallë, a”? Kështu kishte pyetur me zë të lartë dhe i nervozuar ish ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Konuzin, teksa po fliste para pjesëmarrësve të Forumit të Sigurisë në Beograd, në të cilin po merrnin pjesë ministra dhe zyrtarë tjerë të lartë të vendeve europiane.
Ai po nxirrte shkumë nga goja dhe po kritikonte serbët se nuk po i mbronin sa duhet interesat e veta në Kosovë. Konuzin po përpiqej të jepte leksione dhe të paraqitej më serb se serbët, për të braktisur më pas takimin në mënyrë demonstrative, i bërë tym pse serbët nuk po shfaqeshin sa duhet serbë karshi Kosovës. Para se të ikte kishte përmendur historinë, ekonominë dhe interesat e Serbisë e të Rusisë.
Kjo sjellje e ambasadorit, i njohur për retorikën e fortë dhe për marrje me punë që nuk i takojnë një diplomati, la shije të hidhur tek të pranishmit, por edhe ngjalli debat në shoqërinë serbe.
Kjo ngjarje e para më shumë se dy vjetësh m’u soll ndërmend këto ditë, kur ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, sërish shfaqi brengën për sulmet nga “të ashuquajtur mohues, kritikë”, që “përpiqen ta lënë pa histori popullin shqiptar”.
Teksa po fliste në Konferencën Kombëtare të Bibliotekonomisë, Lauka kritikoi publicistë e kritikë nga Kosova e Shqipëria, të cilët e kanë përkrahur teorinë e historianit ziviceran, Oliver Schmitt për Skënderbeun.
Nuk ka asgjë të keqe po që se një ambasador shfaq shqetësimin e tij. Por, në këtë rast, sikurse edhe në shumë më parë, ai nuk ka ngurruar të jep leksikone historie, por edhe paternalizmi e hegjemonie. Si për të na sjellë ndërmend se, sipas kutit të tij, nuk po shfaqeshim shqiptarë sa duhet.
* * *
Kur në qershor të vitit të kaluar pata kritikuar qasjen e ambasadorit Lauka ndaj Kosovës, “shpirtra të trazuar” nuk ndenjën duarkryq. Më çuan selame se nuk e kisha mirë dhe se nuk do të duhej të flisja ashtu.
Edhe atëherë, sikurse para pak ditësh, Lauka kishte shfrytëzuar një tubim shkencor në Prishtinë të thotë se ata që mbështesin idenë e ekzistimit të kombit kosovar kanë për qëllim që ta lënë kombin shqiptar pa histori, pa të ardhme.
Atëbotë, Lauka po fliste si të ishte midis Tirane, e jo në cilësinë e një ambasadori të Shqipërisë në një tjetër shtet. Në një shtet, qytetarët e të cilit nuk janë veç shqiptarë, por edhe serbë, boshnjakë, turq, romë… Në një shtet që quhet Kosovë, që ka një kryeqytet që quhet Prishtinë, që ka një himn e një flamur dhe që po krijon një identitet shtetëror.
Nëpërmjet fjalimit të tij atëbotë, Lauka nuk po bënte gjë tjetër veçse po shpërfaqte gjithë paternalzimin dhe hegjemoninë e artikuluar në Tiranë ndaj Kosovës. Ai, madje, plot mllef dhe me aspak takt i pat porositur të gjithë ata që nuk e ndiejnë veten se i takojnë kombit shqiptar, që ta ndërrojnë kombin.
Kësaj radhe, ambasadori u mor me tezat e historianit Schmitt, por nuk paraqiti ndonjë fakt shkencor që do t’i kundërvihej atij. Kjo nuk është punë e një ambasadori, mund të thotë dikush. Dhe ka të drejtë. Këtë e kam problem edhe unë në raport me të: ai vazhdon të merret pa pra me punë që nuk i takojnë.
Në shkrimin e më shumë se para një viti, pata thënë se ambasadori Lauka do të duhej të fliste për problemet dhe pengesat praktike me të cilat përballen Shqipëria e Kosova në raportet e tyre. Por, ai ishte zgjedhur të flasë me logjikën e përfaqësuesit të shtetit shqiptar si padron i Kosovës.
“Ai që e ndjen veten se nuk i takon këtij kombi, është i lirë të zgjedhë një komb tjetër”, kishte deklaruar Lauka, thua se ai vendos se kush cilit komb duhet t’i takojë.
Në cilësinë e një ambasadori, Lauka do të duhej të tregohej i kujdesshëm dhe të merrte vendin që i takon, si i ftuar në një konferencë, pa pasur nevojë të mbajë leksione historie – si atëherë, edhe tash.
* * *
Qëllimi i kësaj kolumneje nuk është absolutisht të tërhiqet paralele ndërmjet ambasadorit rus dhe këtij shqiptar. Shqetësimet e tipit se shqiptarët e Kosovës nuk po tregohen sa duhet shqiptarë ose se serbët nuk po tregohen sa duhet serbë mund të jenë vetëm percepcione, që edhe mund të shprehen publikisht. Por, secili diplomat që përfaqëson një shtet të caktuar në Prishtinë, e në këtë rast edhe ambasadori Lauka, duhet të kufizohen në përgjegjësitë që iu takojnë, e të mos lëshohen në deklarata të cilat, në një vend normal të botës, do të shkaktonin skandal diplomatik.
Kur para pesë vjetësh ishte emëruar ambasador në Kosovë, Sali Berisha e kishte cilësuar Laukën diplomat me eksperiencë dhe që ka vepra të tëra kushtuar Kosovës. As atëherë, e as tash askush nuk i ka vënë në dyshim kredencialet e tij.
Por, po, janë kritikuar huqjet e tij, në qasjen ndaj vendit mikpritës, që një diplomati të karrierës nuk do të duhej t’i ndodhnin. Lauka jo se nuk e di që nuk duhet të kultivojë qasje paternaliste ndaj Kosovës, por në Kosovën inferiore ndaj Tiranës ende konsumohet me bollëk gjithçka që vjen nga Shqipëria – bashkë me to edhe qasja dhe sjellja e ambasadorit.
Lauka mund të mbajë postin e ambasadorit edhe për pak kohë, por kurrsesi nuk mund të shërbejë si model i mirë për pasardhësin e tij. Misionin e tij prej diplomati e kanë karakterizuar shumë huqje.
Sa për historinë dhe Oliver Schmittin, unë ende i besoj më shumë atij, sesa historianëve në Kosovë e Shqipëri, të cilët nuk përtojnë të shpikin histori sipas kuteve të enverizmit, berishizmit, nanoizmit, rugovizmit ose thaçizmit. Unë i besoj më shumë atij edhe se Laukës.


