RCCOLA

Hollywoodi po mendon politikisht & njerëzisht

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Halil Matoshi – Ajo që u shfaq live para miliona shikuesish në Hollywood (L.A.) me rastin e ndarjes së çmimit “Oscar” për të arriturat filmike, më parë ishte një manifest publik-politik sesa një spektakël plot shkëlqim e fustane të bukur, (gjinj, bel e vithe grash të lindura për t’u parë…!?) Hollywoodi është një hap përpara shoqërisë dhe politikës amerikane, të luftës dhe të paqes. Varësisht nga cili kënd shikohet …

Kur regjisori Alejandro González Inarritu po ngjitej në podium, si ngadhënjyes me filmin “Birdman”, i cili fitoi edhe tri statuja të tjera “Oscar”, aktori Sean Penn pyeti turmën e pranishme të yjeve dhe dhjetëra milionë shikues televizivë: “Kush ia dha këtij bir kurve kartën e gjelbër?”

“Unë nuk e gjeta veten nën atë ofensivë”, tha Inarritu.
“Mendoj se Penn ishte shumë i këndshëm.”

Por për shumë përdorues të “Twitter”, “shakaja” toksike e Penn nuk ishte thjesht për të qeshur. Disa madje ia vunë një prapashtesë mbiemrit Penn, duke krijuar një fjalë tjetër që nuk mund të publikohet në një gazetë familjare.

Sean Penn, duke i dhënë vetes më shumë liri (ndonëse ata dy janë miq dhe kanë punuar së bashku në filmin “21 gramë”, drejtoi një shtizë mu në plagën e emigrantit Inarrtu, më pas Penn e përqafoi Inarritun por shija e keqe mbeti, ngase me shakanë e Pennit shumë amerikanë hispanamerikanë mbetën të zemëruar.

Sepse fjalët – thonë – ato kafshojnë!?

Sidoqoftë, kjo mbrëmje dikë e bënte të ndihej më krenar, sidomos meksikanin Alejandro G. Inarritu, i cili ndonëse ua dedikoi çmimin bashkëpatriotëve në Meksikë, ai veten e cilësoi si pjesëtar të devotshëm të një kombi të madh emigrantësh…

Inarritu e mbylli fjalimin e tij me një thirrje frymëzuese për veprim, për meksikanët e tij në Meksikë dhe me shpresat e tij për ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Unë dua t’ua dedikoj këtë çmim meksikanëve të mi, ata që jetojnë në Meksikë,” tha González Inarritu.

“Unë lutem që ne mund ta ndërtojmë Qeverinë që ne e meritojmë. Dhe ata që jetojnë në këtë vend, të cilët janë pjesë e brezit të fundit të emigrantëve, unë vetëm lutem që ata të mund të trajtohen me të njëjtin dinjitet siç u respektuan ata që erdhën para nesh dhe që e ndërtuan këtë komb të pabesueshëm emigrantësh”.

Inarritu vazhdoi të mbajë një fjalim pasionant në lidhje me emigracionin, duke e madhëruar kombin e emigrantëve, kurse polemikat se ç‘e shtynë Penn ta thotë anglisht një thumbim të tillë ende po vazhdojnë…

Ceremonia e ndarjes së çmimit “Oscar” (e 87-ta me radhë) kësaj here ishte e veçantë, sepse filozofia e patriotizmit të pashembullt amerikan (“Smerican sniper” mbeti në hije, vetëm me një statujë të artë për fotografinë më të mirë) po e zëvendëson ngadalë të menduarit, si kurrë më parë, të menduarit politik, për sëmundjen dhe dinjitetin, për emigrimin dhe dinjitetin, si dhe për feminitetin dhe dinjitetin (pagesa e njëjtë për punë të njëjtë.)
Pra, secili nga shkrimtarët dhe skenaristët, regjisorët dhe aktorët e këtij edicioni kishte diçka për të thënë.

Kishte diçka të fortë, që të emociononte, të mbushte sytë me lot, siç ndodhi kur u interpretua kënga “Glory”, që përkujtonte “udhëtarët e lirisë” dhe epokën e Martin Luther Kingut, pikërisht në një epokë të paqëndrueshme sikur sot, në raportet mes racave (që vetvetiu shpupuriste plagët aktuale amerikane (vrasjet e adoleshentëve me ngjyrë nga policia), këngë e cila fitoi “Oscar”, por që shkrehu në vaj të bardhë e të zinj…

Nata e “Oskarëve” sikur rrëshqiti në një manifestim politik që në fokus ka politikat e këqija të emigrimit dhe ato shëndetësore.
Ngadhënjeu “Birdman”, me regji të Alejandro G. Inarritu, i cili ka marrë 4 statuja të arta.

Në edicionin e 87-të të çmimeve “Oscar” në teatrin “Double” në Hollywood u shpallën si aktori dhe aktorja më e mirë Julianne Moore në filmin “Still Alice”, Eddie Redmayne “The Theory Of Everything”.

Çmimi për rolin më të mirë dytësor shkoi për aktoren e “Boyhood”, Patricia Arquette, që nuk harroi të falënderonte çdo grua që lufton për të drejtat e saj. Ajo u mbështet në mënyrë agresive nga legjenda Meryl Strip dhe nga shumica e grave pjesëmarrëse kur kërkoi që gratë të paguhen njësoj si burrat për punët e njëjta.
Por pse duhet të fitojë “Oscar” një çështje thjesht mjekësore?
Një fitore (Oscar) do të thotë më shumë vëmendje dhe ndjeshmëri.

Filmat me një mesazh ndikojnë në ndërgjegjësimin e thellë të publikut dhe politikës karshi një çështjeje ekzistenciale, jetësore.
Për shembull, Al Gore nuk u bë njeri i famshëm për shkak të punës së tij brenda Qeverisë (nënpresident i SHBA-së në Presidencën Clinton, 1993), por për sensibilizimin e shoqërisë në rrafsh global për ndryshimet klimatike.
Ishte dokumentar i tij “Oscar” – fitues që bëri celebrimin e ndryshimeve klimatike.

Media ka një përgjegjësi për të siguruar publikun se mesazhet e krijuesve të filmave të mirë janë të bazuar në dëshmi, megjithëse këto produksione nuk janë gjithaq popullore.

Së paku, jopopuliste…

Uji Dea

Filmat mund të ofrojnë përshkrime të vuajtjeve njerëzore, ata portretizojnë pacientin dhe tregimet e familjes në situata mjekësore dhe sociale, që sfidojnë idetë tona, vlerat dhe besimet tona, si dhe sistemet institucionale, duke hedhur dritë mbi pabarazitë…

Filmat e tillë kanë ndihmuar në ndryshimin konstruktiv social dhe kulturor në nivel global.

Këtë vit tre prej filmave të nominuar për “Oscar” shfaqin karaktere të forta femrash, të cilat përballen me sfidat fizike, mendore dhe emocionale që nuk konsiderohen në përgjithësi të jenë ‘sexy’ – të sëmundjes Alzheimer, varësisë nga heroina, si dhe dhimbje kronike.

Bazuar në një libër imagjinar, në “Still Alice” (2014) rolin kryesor e luan Julianne Moore si profesoreshë e gjuhësisë, grua dhe nënë që është diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer. Shoqata Alzheimer ka qenë e inkurajuar me hulumtimin dhe ofrimin e avokimit të nevojshëm për këtë sëmundje për shumë vjet dhe është duke përdorur këtë film për të rritur ndërgjegjësimin dhe vendosjen e sëmundjes Alzheimer në agjendën publike.

Filmi ”Still Alice”, i sapodalë në SHBA, pasi u piratua nëntorin e kaluar gjatë sulmit të hackerëve ndaj kompanisë ”Sony” është një film për Alzheimerin, sëmundjen që shkatërron neuronet dhe që po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën.

Skenari i filmit me regjisorë Richard Glatzer dhe Wash Westmoreland me një Julienne Moore brilante në rolin kryesor, është marrë nga libri me të njëjtin titull i Lisa Genovas.
Moore futet brenda personazhit në një mënyrë të jashtëzakonshme duke interpretuar një botë në panik, në konfuzion dhe madje edhe në irritim.

Në filmin e dytë “Wild” (2014), Cheryl (Reese Witherspoon) niset në një udhëtim përmes Pacific Crest Trail për të gjetur vetveten pas humbjes së nënës së saj nga kanceri.

Bazuar në një autobiografi, Cheryl merret me trauma mendore dhe emocionale nga divorci, të gjitha ndërsa ajo do që njëherësh të shërohet nga varësia ndaj heroinës.

Ndërsa “Cake” (2014) ku luan Jennifer Aniston si Claire e nuk është në listën për çmimin “Oskar” është një tjetër portret i madh film i ankthit mendor, emocional, dhe fizik. Më interesante është kompleksiteti i dhimbjes fizike e karakterit dhe trajtim lidhur me medikamente dhimbjeje.

“Ndërsa regjisorë nuk janë gazetarët, dhe për këtë arsye nuk kanë të njëjtat përgjegjësi për publikun, është e rëndësishme që të dinë se përmbajtja e filmit ende ka shumë pushtet për të formësuar shoqërinë. Për shkak të këtij pushteti, ne mendojmë se është e rëndësishme t’i kushtojmë vëmendjen tonë kujdesit shëndetësor”, shkruajnë kritikët Macey Henderson dhe Jennifer Chevinsky.
Filmi tjetër me kumt të madh ishte “The Theory of Everything” – një film i fuqishëm me një lojë të mrekullueshme të aktorëve që zbërthejnë enigmën rreth fizikanit Stephen Hawking, i cili jeton me sëmundjen e neuroneve motorike (MND) ani pse mjekët kaherë i kishin thënë se pas moshës 20-vjeçare do të vdiste.

Tash është 73-vjeçar dhe njihet si njëri prej pionierëve që ka studiuar “vrimën e zezë”, e po ashtu bestseller dhe përdoruesi më i famshëm i karrocës.
Hawking e përgëzoi personalisht aktorin Eddie Redmayen duke thënë se kishte qarë kur po e shihte filmin.

Dhe së fundi edhe sëmundja e kancerit u bë pjesë e mbrëmjes, shumë prekëse dhe e dhimbshme për çdo rast, por tek fëmijët ajo me të vërtetë është e padurueshme.
Sa për ilustrim të kësaj po sjellim shembullin e Vincent Butterfield.

Ishte vetëm në klasën e parë kur doktori e diagnostikoi me leukemi akute limfoblastike, një formë agresive e kancerit që prek qelizat e bardha të gjakut. Zac Gossage është nxënësi i cili ka këtë histori prekëse, që e kishte të pamundur të pranonte faktin se i ranë flokët, akoma më ngjyrim dhimbjes i jep reagimi i mikut të tij më të mirë Vincent Butterfield, i cili për asnjë moment nuk e la të vetëm.

Ai mori vendimin që të bëhet i njëjtë si shoku i tij duke u bërë tullac, në mënyrë që ai të mos e ndiente veten i vetëm dhe i veçantë kur të shkonte në klasë. Ky është një gjest për t’u admiruar nga të gjithë, një shembull që më së miri tregon dashurinë e sinqertë që ekziston thellë tek fëmijët.
Njerëzit duhet të solidarizohen në çdo rast me ata që vuajnë, sepse ata kaq munden para brejtësve të padukshëm e misteriozë të natyrës.

Ose flisni me ata që e kanë mundur këtë përbindësh misterioz si Ajnishahe Halimi ose kolegu im gazetar Daut Duriqi!?

Ky duhet të jetë tregimi për edicionin e 88-të të “Academy Award’s…”.

Shpresojmë nga ndonjë regjisor kosovar…!?

© KOHA Ditore