Uji Dea

Monstrumi që e krijuam vetë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj – Politikanë shqiptarë në Prishtinë bënin garë se kush e kishte më dost Milan Radoiçiqin. Dikush e priti në zyrë, dikush në shtëpi e tjetri u takua me të në jaht. E vizituan edhe në shtëpinë e tij në veri. Të etur për para dhe pushtet, e krijuan vetë një monstrum që tash udhëheq grup terrorist.

U desh të ndodh sulmi terrorist në veri që të vërtetohet edhe njëherë se kush është në të vërtetë Milan Radoiçiq. “I forti i veriut” dhe një ndër bashkëpunëtorët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po del të ketë qenë në krye të sulmit kundër policisë. Ai po strehohet në Serbi dhe po mbrohet nga shteti atje. Por, kush është Radoiçiq i cili, i veshur me petk politikani, dyshohet për shumë vepra penale? Si u bë që ai të kthehet në dost e bashkëpunëtor të politikanëve shqiptarë ndër vite, të kthehet në një person që ka fuqi të vendos për gjithçka?

I përfshirë në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, i përshkruar si “bossi i veriut”, u bë njeriu më me ndikim te serbët në katër komunat atje. Për disa vjet ai ishte në kërkim nga organet e drejtësisë të Kosovës, por arriti t’u shmangej disa herë. Ai ishte arratisur në shkurtin e vitit 2022, në pikën kufitare të Bërnjakut. Ai ishte pjesë e hetimeve për rastin “Brezovica”, për shkak të dyshimeve për ndikim në dëshmitarë.

Radoiçiq dyshohet edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në vitin 2018. Prokuroria Speciale kishte lëshuar urdhër-arrest ndaj tij, por në fillim të vitit 2021, ky urdhër ishte tërhequr nga organet e ndjekjes.

Radoiçiq konsiderohet krahu i djathtë i Zvonko Veselinoviqit i cili, në raportet e policisë dhe të inteligjencës serbe, përshkruhet si një figurë kryesore e krimit të organizuar.

Por, ai nuk ka mundur të bëjë biznes e as vepra krimi e kontrabande pa ndihmën e shqiptarëve. Politikanë shqiptarë në Prishtinë bënin garë se kush e kishte më dost Radoiçiqin.

Uji Dea

Më 12 korrik 2018, atë e priti në zyrë kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj. Në një komunikatë ishte thënë se në takim me të dhe me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ishte diskutuar për “gjendjen e përgjithshme në Kosovë, me një theks të veçantë në aspektet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe social”. Pra, ai u përligj në një nga zyrat më të rëndësishme të shtetit kosovar. Haradinaj kishte konfirmuar se Radoiçiq ishte takuar edhe me presidentin e atëhershëm Hashim Thaçi.

Në tetor të vitit 2019 një medium serb kishte publikuar një fotografi në të cilën, në një jaht në Budvë të Malit të Zi, shihej kryetari i AKR-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, në takim me Radoiçiqin, Rakiqin dhe të tjerë. Sipas raportimit, takimi kishte ndodhur në verën e vitit 2017, në kohën kur AKR braktisi LDK’në për të qeverisur në koalicion me PDK, AAK dhe Nisma, me kryeministër Haradinajn. Ndërkohë, ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka rrëfyer publikisht se e kishte takuar Haradinajn në shtëpinë e Radoiçiqit në veri.

Edhe pushteti aktual ka koketuar me Radoiçiqin. Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është dëgjuar teksa bisedon në telefon me të.


Është ky i njëjti Radoiçiq, të cilin videoja e publikuar e shfaqi bashkë me terroristët në Banjskë. Të gjithë shqiptarëve që bashkëpunuan me të, të paktën do të duhej t’iu vijë turp. Por jo, ata marrin guxim dhe mbajnë leksione se si duhet vepruar në veri.

Ndërkohë, askush nuk ka dhënë përgjigje se kush urdhëroi që Radoiçiqit t’i hiqet urdhër-arresti? Ish-prokurori Sylë Hoxha, i cili hetonte rastin e vrasjes së Ivanoviqit, ka pranuar se ka pasur presione ta bëjë një gjë të tillë, por s’kishte pranuar. Pas tij, rasti i kishte kaluar prokurorit Burim Çerkini.

Dost e bashkëpunëtor i politikanëve shqiptarë, Radoiçiq veproi pa u penguar nga askush, duke fituar pasuri marramendëse dhe duke terrorizuar veriun. Tash, kur duket të jetë e qartë gjithçka, organet përkatëse do të duhej që t’i gjejnë lidhjet dhe të japin përgjigje në shumë dilema. Radoiçiqin e ngritën dhe e mbrojtën dostat shqiptarë, duke krijuar një monstrum që tash organizon sulme terroriste dhe vret policë.