RCCOLA

Herbert më 1913: Shpëtoni shqiptarët e gjallë nga serbët

/ 15 minuta lexim

Tiranë – Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, të enjten u promovua libri “Miku i madh i shqiptarëve, Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme”, një vepër e rëndësishme që përmban pjesë ditari dhe letra të njërit prej diplomatëve të huaj me kontributin më të madh në shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Në promovimin e këtij libri, të përgatitur për botim nga Bejtullah Destani dhe Jason Tomes, përkthyer nga Kujtim Myftari, me parathënie të balkanologut dhe gazetarit të njohur, Noel Malcolm, ishin të pranishëm historianë e studiues, si dhe politikanë të shquar shqiptarë, raportoi gazeta Panorama.

Aubrey ishte një diplomat dhe oficer anglez, jeta e të cilit u lidh ngushtësisht me Shqipërinë. Ai u bë një avokat i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë dhe e vizitoi atë gjatë viteve 1907, 1911, 1913.

Gjatë qëndrimit në Tiranë u miqësua me Esad Pashën. Në Konferencën e Paqes në Londër, delegatët shqiptarë gjetën përkrahje tek ai si këshilltar. Ai luajti një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Iu ofrua dy herë froni i Shqipërisë. Rasti i parë ishte përpara Luftës së Parë Botërore. Oferta mbeti jozyrtare dhe kurora iu dha Vilhelm Vidit.

Rasti i dytë ishte pas Luftës së Vlorës, në shtator të vitit 1920, kur shqiptarët shpartalluan forcat italiane. Edhe pse propozimi u bë nga gjysma e qeveritarëve shqiptarë, ai mbeti sërish jozyrtar dhe u shua me ndryshimin e ministrit të Jashtëm shqiptar. Në librin e promovuar dje, me syrin e një diplomati vijnë disa prej momenteve më të rëndësishme në historinë shqiptare, që nga pavarësia, te copëtimi i trojeve, masakrat serbe e greke në territoret e pushtuara, ndarja e kufijve nga Komisioni Ndërkombëtar, zgjedhja e Princ Vidit.

Nga libri

Denoncimi i krimeve të shëmtuara, vjeshtë 1913

Pasi takoi refugjatët në Shqipëri dhe dëgjoi rrëfimet e tyre, Aubrey Herbert i shkroi menjëherë shtypit britanik për të publikuar krimet e shëmtuara të kryera nga forcat serbe, malazeze dhe greke në viset që kishin aneksuar ose vazhdonin t’i pushtonin. Me kthimin e tij në Londër në tetor, ai e intensifikoi fushatën. Nga fundi i atij muaji, një ultimatum i lëshuar nga Austro-Hungaria e detyroi Serbinë t’i tërheqë trupat e saj nga territoret që i ishin caktuar Shqipërisë. Në Jug, megjithatë, Komisioni Ndërkombëtar për Kufirin hasi pengesa në punën e tij, të shkaktuara nga grekët dhe hyrja e dimrit.

“The Times”. E hënë, 22 shtator 1913- “Akuzat kundër serbëve”

Më 10 shtator morëm letër nga z. Aubrey Herbert MP, dërguar nga Vlora, në të cilën ai veçon dy raste konkrete të krimeve të shëmtuara të pamenduara, që u vishen autoriteteve serbe dhe më tutje vazhdon të shkruajë:

“…Kam përpara meje një listë të gjatë aktesh të ngjashme nga ana e serbëve. Kam dëgjuar shumë histori nga njerëzit e varfër, katolikë dhe muhamedanë; këta refugjatë mund të përgjigjen vetëm për atë që u ka ndodhur atyre dhe familjeve të tyre, por në gjërat kryesore historitë e tyre janë të përafërta. Pak dyshim kam se në zona të ndryshme po vazhdon ndërrimi sistematik i fesë, dëbimi dhe shfarosja, të diktuara nga politika.

Këto metoda, me sa mund të zbuloj, ishin harruar për një periudhë bukur të gjatë, por tani kanë nisur sërish. Qeverisë serbe i kërkohet diçka më shumë se mohimi gojor i këtyre akuzave, sepse ndiej se skamja e mjerueshme dhe eksodi i nxitur nga terrori nuk do të sosin deri sa t’u jepet fund krimeve të shëmtuara dhe për shkak se vetëm një hetim do t’u vinte frerin këtyre krimeve të shëmtuara, ju lutem ta botoni këtë letër.

“The Times”. E enjte, 25 shtator 1913- “Trazirat në kufirin serbo-shqiptar”

Kemi marrë nga z. Al. V. Georgevitch (sekretar i legatës serbe), i ngarkuari serb me punë, një letër në përgjigje të deklaratave të bëra nga z. Aubrey Herbert MP në “The Times” më 22 shtator. Në këtë letër i ngarkuari serb pohon se:

“Duke mos bërë asnjë tentativë për ndërrimin e fesë me dhunë, Serbia është një prej shteteve më liberale që kanë ekzistuar ndonjëherë. Liria e ndërgjegjes është garantuar jo vetëm me Kushtetutën serbe, por si shembull praktik, që nga viti 1878 komuniteteve myslimane në Serbi (në Beograd, Nish, Leskovac) u është dhënë një subvencion qeveritar. Edhe çifutët kanë gjetur në Serbi, si të thuash “Tokën e Premtuar” të tyre, sepse i kanë të gjitha të drejtat politike dhe qytetare… Në shpalljen e aneksimit të territoreve të pushtuara, ku Madhëria e tij u përcolli më 25 gusht përshëndetje mbretërore të gjithë nënshtetasve të rinj-pa dallim feje, race, besimi, ose veprimtarie të mëparshme-mesazhi mbretëror shpalli në mënyrë solemne se tani fillon epoka e re e lirisë së plotë për çdo njeri”.

AH për “The Spectator”. E martë, 23 shtator 1913 (botuar më 4 tetor 1913) – Shëngjin

The Spectator ka zbatuar ngaherë parimin e ngritjes së zërit për të gjithë ata njerëz të pafat, të cilët nuk mund të flasin vetë. Prandaj, guxoj të kërkoj mikpritjen e faqeve tuaja në emër të një populli, që është veçanërisht pa ndihmë në këtë moment.

Gjatë muajit që kalova në Shqipëri, udhëtova në treva të ndryshme të vendit dhe pashë vërshime refugjatësh, që vazhdojnë të derdhen nga territore të aneksuara kohët e fundit nga Serbia dhe Mali i Zi. Për shkaqe të arsyeshme nuk udhëtova nëpër ato rajone, andaj nuk mund të pretendoj se kam qenë dëshmitar pamor i asaj që po ndodh atje, por bisedova me refugjatë, skamja dhe mjerimi i të cilëve nuk kishte ku të vente më shumë.

Shumë syresh, burra dhe gra, më treguan për ngjarjet e tyre të dhimbshme dhe dukeshin si të shastisur nga vuajtjet. Detyra e bërjes së pyetjeve të hollësishme për fatkeqësitë e tyre nuk ishte e këndshme. Jam i sigurt se ata nuk janë të aftë t’i sajojnë ato ndodhi që i tregojnë me shumë pak imagjinatë…

….Europa ka premtuar një Princ. Princi për të cilin po luten të gjithë, ende s’po duket. Qeveria e Përkohshme nuk është njohur, çka të çon pashmangshëm në trazira dhe ankth brenda vendit. Europa ka premtuar se Serbia do të largohet nga territoret e pushtuara nga trupat e saj. “Europa”, kanë filluar të thonë shqiptarët, “na ka premtuar mbrojtje. Por, deri më sot, kjo mbrojtje ka nënkuptuar intrigat e fuqive të mëdha për veten e tyre në Veri; kurse gratë tona përdhunohen dhe burrat tanë herë torturohen, herë vriten e herë dëbohen nga serbët. As kur ishim të pambrojtur nuk përjetuam gjëra të tilla”. Shpirtrat binjakë të keqardhjes për viktimat e skllavëruesit ose të persekutonit zgjohen shpejt në Angli, por këta njerëz nuk mund t’i bëjnë të ditura vuajtjet e tyre.

Mobi Casa

Britania e Madhe nuk ka konsuj në Shqipëri (përveç se në Shkodër) dhe as gazetarë; në të vërtetë, dyshoj se në atë vend nuk ka asnjë korrespondent zyrtar. Të huajve, që dëshirojnë të vizitojnë viset ku po kryhen masakra, u duhet të shkojnë nga Beogradi, ku do të tregohen as më shumë e as më pak, vetëm ato, që dëshirojnë autoritetet atje. …Sikur kjo letër të ishte shkruar në frymë politike, Sër, do të kisha shtuar se shqiptarët duhet të zhdëmtohen për ato masakra, do të kërkoja dënimin e përgjegjësve dhe shqyrtim të sërishëm të çështjes së kufijve; por unë kam shkruar vetëm me shpresën e sinqertë se ndikimi juaj mund të bëjë diçka për t’i dhënë fund kësaj neverie dhe se “The Spectator” mund t’u bëjë të njëjtin shërbim jo vetëm popujve të San Thomes, por edhe popujve në portat tona. Nevoja për veprim është aq e ngutshme, sa nuk mund të thuhet me një fjalë…

T’i lëmë të vdekurit e Ballkanit të varrosin të vdekurit e tyre; le të shpëtojmë, nëse mundemi, gratë dhe fëmijët që kanë mbetur ende gjallë. Përderisa Britania e Madhe ka premtuar bashkërisht me fuqitë e tjera të mbrojë një popull, duhet të kujdeset që ky detyrim të përmbushet. Nëse kjo kasaphanë nuk prek prestigjin tonë, ajo duhet të prekë nderin tonë shumë thellë. Beogradi mund t’i japë fund kasaphanës, madje Beogradi mund të detyrohet t’i japë fund.

AH për “Lord Cromer”. E premte, 10 tetor 1913

Sapo kam marrë këtë telegram nga Onslow, në Zurën e Jashtme “Isa Buletini, i sëmurë ose i plagosur në një fshat shqiptar. Po ta kapin, do ta gjykojnë sipas ligjit ushtarak. Onslow”. Gazetat, të cilat as Paget, as unë nuk i kemi vënë në dyshim, duket se u kanë paraprirë ngjarjeve. Nëse ai është sëmurë dhe di që ishte sëmurë para gjashtë javësh, serbët do të bëjnë çfarëdolloj orvatjeje për ta shtënë në dorë. Ai është malësori luftëtar më me përvojë në Shqipëri. Nëse e kapin, shpresoj që lutjet fisnike të letrës suaj të kenë rezultat; nëse arratiset, myslimanët, për të cilët ju keni bërë aq shumë, duhet t’ju jenë më se mirënjohës për qëllimin e mirë të telegramit tuaj.

“Komiteti shqiptar” nga AH, pa datë, 1922-23

Në përfundim të Luftës Ballkanike, kur Turqia europiane ishte shpartalluar, në vend të përfaqësuesve, në Angli mbërritën refugjatë, për të bërë të njohur gjendjen e tyre të dëshpëruar. Përfaqësuesit e Maqedonisë, të cilët gjithë jetën kishin përjetuar vrasje dhe mizori, ende ruanin besim patetik në drejtësinë e Fuqive të Mëdha…

…Mbërriti delegacioni shqiptar, i përbërë nga burra të tri besimeve të ndryshme-ortodoksë grekë, katolikë dhe myslimanë. Në krye të tij ishte Ismail Qemal Beu, një burrë gojë-ëmbël dhe me dhunti të gjithanshme, jeta e të cilit kishte qenë një kolovajzë e gjatë dhe plot rreziqe. Dobësia e tij qëndronte në rrethanat e tij dhe në debulesën që kishte për fëmijët e tij. Nëse ishte dredharak, arsyeja ishte se në pozitën e tij ishte e vështirë të ishe i drejtpërdrejtë.

Skamja ishte mbikëqyrësi i rreptë i tij dhe në disa raste, atij i lypsej të gjente gjuhën e përbashkët midis bindjeve të papranueshme dhe sjelljes së pranueshme, në dëm të së parës. Ai ishte dishepull i Mit’hat Pashës, guvernator i Përgjithshëm i Bejrutit, guvernator i Përgjithshëm i Kretës, guvernatori i emëruar i Tripolit, këshilltar i Sulltanit dhe i arratisur nga Sulltani, redaktor anglofil, mik i Gordonit “kinez”, bir i aventurës, ai ishte një burrë plak i lodhur dhe i rraskapitur, avokat i një vendi të rrënuar. Ishte tregimtar i shkëlqyer dhe i admiroja historitë që tregonte për veten dhe të tjerët… Ismail Qemal Beun e njoha kur ishte në moshë të thyer, kur ishte si ajo breshka e mençur dhe dashamirëse. Kishte në vetvete një liberalizëm të vërtetë, që nuk shterej kurrë, por që ishte bërë i padukshëm nga rregullsia e natyrës së tij dhe shmangiet e lodhshme nga çiltërsia, i detyruar nga rrethanat.

Ishte dinak dhe i zoti, dhe dinakërinë e tij kishte fuqinë ta formulonte me brishtësi. Sikur Sër Henry Campbell-Bannerman të ishte martuar me një fshatare bullgare dhe gjatë gjithë jetës së tij të ishte i detyruar që, për të shmangur rrahjen me thupër në shputat e këmbëve, të qetësonte dhe zbuste Abdul Hamitin dhe shpesh ta kishte pasur të vështirë të siguronte para dhe strehim sa për të kaluar natën, ai do të kishte pasur shumë të përbashkëta me Ismail Beun. Figura të tjera të shquara të delegacionit shqiptar ishin Monsinjor Fan Noli dhe Faik bej Konica, të cilët përfaqësonin “Vatrën”, federatën e shqiptarëve të Amerikës.

Vëllai i tij, Mehmet bej Konica… kishte qenë në shërbim diplomatik turk. Monsieur Filip Noga ishte katolik dhe ishte po aq i përkushtuar ndaj muzikës, sa edhe ndaj politikës. Figura më piktoreske e delegacionit ishte Isa bej Boletini, Robin Hoodi i Shqipërisë. Ai ishte një burrë i paarsimuar, me një emër të madh, të drejtë për guximin e tij dhe si njeri punëmbaruar. Bëmat e tij ishin bërë legjendë, kurse rrëfenjat se sa herë u kishte shpëtuar turqve dhe serbëve, ishin shndërruar në fabula. Në Londër ndjehej i humbur dhe përmalluar për vendlindjen, sepse nuk ia thoshte asnjë fjale të vetme anglishte. Kalonte orë të tëra në shtëpinë time, duke pirë kafe turke. Kur ndodhesha në Dhomën e Komuneve, vazhdimisht merrja telefonata të shqetësuara nga gruaja dhe kur kthehesha, shpesh i gjeja atë dhe Isën pa shkëmbyer asnjë fjalë, por duke iu përkulur njëri-tjetrit herë pas here… Shqiptarët që erdhën në Angli, lanë përshtypje të shkëlqyera. Në një rast, z. Lloid George drekoi me mua për të takuar shqiptarët dhe pas drekës, Toni Precha, i restorantit shqiptar dhe unë, përkthyem bisedën ndërmjet Isa Beut dhe ministrit të Financave. “Tregoji atij”, tha Isa, “se unë jam malësor si dhe ai, andaj e di që zemra e tij ka dhembshuri për ata që vuajnë, sidomos për malësorët”. Pastaj bëri një mbyllje të ashpër me fjalët, “dhe thuaji që, kur të vijë pranvera, do t’i plehërojmë fushat e Kosovës me gjakun dhe kockat e serbëve, sepse ne shqiptarët kemi vuajtur aq shumë, sa nuk mund të harrojmë”.

E mendova me vend ta zbusja paksa frazën e fundit, por z. Lloyd George u ngazëllye me malësorin shtatlartë, tek i cili mendonte se pikasi një shpirt të përafërt dhe u tregua i afruar me të.

… Krahas ndihmës politike, Komiteti Shqiptar bëri ç’të mundte për të argëtuar shqiptarët në Angli. Një pasdite Isa Beu erdhi me ne në kopshtin zoologjik. Kur po ngisnim makinën teposhtë rrugës “Regent”, vumë re që kishin vendosur afishe: Vrasja e Njazi Beut nga djali i Isa Boletinit. Anëtarët e Komitetit Shqiptar, të cilët nuk kishin qenë në Shqipëri, u ndjenë më të befasuar dhe ndoshta më të tronditur se unë nga ky lajm. Ata besonin se kjo duhej të ishte një shpifje tjetër ndaj një populli të pambrojtur. “Tregoji atij, -m’u drejtuan ata, -se çfarë shkruhet në afishe”.

I thashë Isa Beut: “Në ato mure është shkruar se djali juaj ka vrarë Njaziun. E besoni këtë”?

“E çfarë do të ndryshonte tek unë, -u përgjigj Isa me maturi, -po të ketë ndodhur?”.

I thashë: “Asgjë. Në vendin tonë nuk e duam vrasjen, por njeriu nuk ka pse fajësohet për ato që bëjnë të afërmit e tij”.

“Atëherë, -m’u drejtua Isa, -mendoj se është mjaft e mundur. Im bir dhe Njaziu kishin bërë be se do ta vrisnin njëri-tjetrin”.

Shkuam në kopshtin zoologjik dhe teksa shëtisnim, Isa tha: “Të gjitha gjërat këtu i keni mbyllur në kafaze, përveç Djallit. Mua më pëlqen liria”. Në Dhomën e Komuneve, Isa i befasoi të gjithë me kostumin e tij kombëtar. S’kishte se si të mos e shihnin gjithë admirim.

Atij i bëri përshtypje të madhe Lord Treowen, të cilin e takoi në uniformë dhe ishte shumë i dëshiruar ta merrte me vete në Shqipëri dashur, pa dashur. Bëri shumë miq, të cilët i treguan atij lavditë e Londrës. E megjithatë, në një moment më tha: “Sado që këtu gjithçka është madhështore dhe megjithëse ju anglezët jeni mjaft të mirë, prapëseprapë nuk do ta ndërroja me shkëmbinjtë dhe lumenjtë e mi”.(koha)