Uji Dea

Pacolli: MABCO rikthehet në Aeroportin e Vlorës pas vendimeve ligjore, kërkohet përgjegjësi për bllokimin e punimeve dhe dëmet e shkaktuara

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Presidenti i kompanisë MABCO, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se nga dita e nesërme kompania, së bashku me mbi 200 specialistë të nënkontraktorëve të saj, do të rikthehet në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës për të vazhduar punimet në një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri.

Sipas Pacollit, rifillimi i aktivitetit do të bëhet në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës së Lartë, vendimin e Asamblesë së Aksionarëve të VIA-s të datës 18 qershor 2026, si dhe në respekt të kërkesave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe qëndrimit publik të Kryeministrit të Shqipërisë, se Aeroporti i Vlorës duhet të përfundojë dhe të vihet në funksion pa u penguar nga interesa të ngushta apo veprime të kundërligjshme.

Pacolli ka rikujtuar se punimet në aeroport u ndërprenë për muaj të tërë pas një bllokade që, sipas tij, u organizua nga persona që vepruan pa bazë ligjore dhe pa kompetencë institucionale, duke penguar zhvillimin normal të projektit.

“Pas një bllokade disamujore dhe përpjekjeve të personave që kanë vepruar në mënyrë të paligjshme, pa asnjë bazë ligjore dhe pa asnjë tagër, punimet u penguan në mënyrë të dhunshme. Këta persona, madje me mbështetjen e strukturave të Policisë së Shtetit, ndërprenë aktivitetin në kantier dhe sekuestruan në mënyrë arbitrare pajisje, mjete pune dhe makineri private në pronësi të nënkontraktorëve”, ka deklaruar Pacolli.

Ai ka theksuar se MABCO, si aksionari dominues me 98 për qind të aksioneve në projekt, ka investuar mbi 310 milionë euro, duke angazhuar ekspertizë profesionale, kapacitete teknike dhe burime të konsiderueshme financiare për realizimin e aeroportit.

Sipas tij, rikthimi i punimeve nuk përfaqëson vetëm vazhdimin e ndërtimit të aeroportit, por edhe rikthimin e ligjshmërisë dhe respektimit të vendimeve të institucioneve kompetente.

“Rifillimi i punimeve shënon rikthimin e ligjshmërisë dhe respektimin e vendimeve të institucioneve juridike dhe atyre kompetente, duke i hapur rrugë vazhdimit dhe përfundimit të punimeve në një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit”, ka theksuar ai.

Mobi Casa

Pacolli ka bërë të ditur se MABCO do të vazhdojë të kërkojë drejtësi, transparencë dhe legjitimitet institucional, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha institucionet në mënyrë që aeroporti të përfundojë dhe të hapet sa më shpejt për operim.

Ai ka kërkuar gjithashtu që të mbahen përgjegjës të gjithë ata persona apo struktura që, sipas tij, kanë penguar në mënyrë arbitrare realizimin e projektit dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale e kohore.

“Apeloj te të gjithë ata që, në mënyrë arbitrare, po tentojnë të pengojnë vënien në funksion të kësaj vepre madhore, të ndërtuar me përkushtim, profesionalizëm dhe krenari, t’i rikthehen parimeve të legalitetit, shtetit të së drejtës dhe qytetërimit institucional. Nëse kanë pretendime të ndryshme, rruga e vetme legjitime është respektimi dhe pritja e vendimeve të organeve gjyqësore”, ka deklaruar Pacolli.

Ai ka nënvizuar se vendimet e gjykatave janë të detyrueshme për zbatim dhe përbëjnë bazën mbi të cilën ndërtohet besimi në shtetin ligjor, duke shtuar se askush nuk duhet të vendoset mbi institucionet e drejtësisë.

Në fund të reagimit të tij, Pacolli e ka cilësuar Aeroportin e Vlorës si një perlë infrastrukturore dhe një aset strategjik kombëtar, duke theksuar se Shqipëria meriton zhvillim, progres dhe respektim të ligjit.

“Kjo vepër është një perlë infrastrukturore dhe një aset kombëtar. Shqipëria e meriton zhvillimin, progresin dhe respektimin e ligjit. Shqipëria e meriton hapjen e këtij aeroporti”, ka përfunduar ai./rajonipress/