Bujar Nevzati akuzon pushtetin lokal për shkatërrimin e Parkut të Qytetit: Projekti ka nisur pa transparencë, pa debat publik dhe pa leje urbanistike
Gjilan – Asambleisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Bujar Nevzati, ka reaguar ashpër ndaj nisjes së punimeve në Parkun e Qytetit, duke akuzuar kryetarin e komunës për mungesë transparence, planifikimi dhe respekti ndaj një prej hapësirave më të rëndësishme publike të Gjilanit.
Përmes një reagimi publik, Nevzati ka vlerësuar se ndërhyrjet e fundit në park përbëjnë një veprim të dëmshëm për identitetin urban të qytetit dhe janë vazhdimësi e një qasjeje që, sipas tij, është karakterizuar nga vendime të njëanshme dhe projekte të realizuara pa vizion afatgjatë.
“Dje, Kryetari i Komunës së Gjilanit, me një qeverisje amatoreske, nisi shkatërrimin e Parkut të Qytetit. Në vend që të zgjerojë hapësirat e gjelbra, ai po i dëmton edhe ato pak që i kanë mbetur qytetit. Fatkeqësisht, kjo po vazhdon të ndjekë të njëjtin model që, sipas vlerësimit tonë, është parë edhe në projekte të tjera ku janë bërë ndërhyrje pa vizion dhe në dëm të identitetit të Gjilanit”, ka deklaruar Nevzati.
Ai ka ngritur shqetësime serioze edhe për mënyrën se si është proceduar me projektin, duke theksuar se një ndërhyrje e tillë nuk është paraprirë nga dëgjime publike, konsultime profesionale apo debat institucional.
“Ky projekt ka nisur pa asnjë dëgjim publik, pa transparencë dhe pa konsultim me profesionistët, urbanistët, arkitektët apo qytetarët e Gjilanit. Ky projekt madje nuk ka as leje urbanistike, gjë që ngre pikëpyetje serioze për ligjshmërinë e tij. Një vendim që prek zemrën e qytetit nuk mund të merret me logjikën: ‘vendos dhe vepro vetë’”, është shprehur ai.
Sipas Nevzatit, Parku i Qytetit nuk mund të trajtohet si pronë e pushtetit të radhës, pasi ai përfaqëson një vlerë të përbashkët historike, sociale dhe mjedisore për gjenerata të tëra gjilanasish.
“Parku i Qytetit nuk është pronë e një kryetari dhe as e një mandati politik. Ai është pasuri publike, pjesë e identitetit të Gjilanit dhe hapësira ku breza të tërë kanë krijuar kujtimet e tyre”, ka theksuar ai.
Asambleisti komunal ka kritikuar ashpër atë që e cilëson si mungesë të llogaridhënies dhe arrogancë institucionale në vendimmarrje, duke shtuar se qyteti ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm dhe jo për humbjen e aseteve të tij më të rëndësishme mjedisore.
“Është e papranueshme që, në emër të projekteve të paqarta, të shkatërrohet një nga simbolet më të rëndësishme të qytetit. Vendimet që ndryshojnë fytyrën e Gjilanit duhet të merren me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe ekspertëve, jo me arrogancë, mungesë transparence dhe mungesë llogaridhënieje”, ka deklaruar Nevzati.
Në fund të reagimit të tij, ai ka bërë thirrje për ruajtjen e parkut dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve, duke theksuar se zhvillimi nuk duhet të bëhet në kurriz të trashëgimisë së gjelbër të qytetit.
“Gjilani nuk ka nevojë për shkatërrimin e asaj që e ka identifikuar për dekada. Ka nevojë për zhvillim të mençur, ruajtje të hapësirave të gjelbra dhe respekt për zërin e qytetarëve. Historia do t’i mbajë mend ata që ndërtojnë, por edhe ata që shkatërrojnë. Parku i Qytetit është i qytetarëve dhe askush nuk ka mandat ta trajtojë si pronë personale. Ruajtja e tij është detyrim, jo zgjedhje”, ka përfunduar asambleisti i Gjilanit, Bujar Nevzati./rajonipress/

