Fundamenti

Hegjemonizmi natyral

/ 16 minuta lexim

Nga Mimoza Erebara – Nëpër vargjet e vëllimit poetik “ Në fytyrën e një gjethi”- nëntitull: Ditar poetik mes dy nëntorësh, i autorit Sabit Rrustemi.Tema të njohura të kthyera tashmë në traditën e poezisë shqipe sikur dashuria për vendlindjen, për heronjtë e kësaj vendlindjeje, etja e pashuar për lirinë dhe paçmueshmëria e saj, Lirisë, janë terreni ku sillet poezia e Sabit Rrustemit.

Një poezi me një kahje të theksuar nacionaliste e post-romantike. Jemi dëshmitarë të zhvillimit të letërsisë shqipe, të rritjes së saj. Dhe kur themi rritje padyshim që nënkuptojmë edhe të gjithë problematikën që mbart kjo fjalë.

Në kushtet specifike politike në Prishtinë kemi në ndryshim të vogël në krahasim me letërsinë shqipe të botuar në Tiranë, dhe kjo është ndjeshmëria më e fortë ndaj eksperimenteve të ndryshme në kontekst të rrymave të ndryshme moderne edhe në lirinë e përdorimit të figurave letrare.

Kjo është një temë interesante studimore që nuk është objekt i këtyre shënimeve. Objekti i vërtetë që buron nga teksti poetik i Sabit Rrustemit është padyshim kjo lloj letërsie që ai zgjedh, e cila njëherazi është sa moderne aq edhe tradicionale. Moderne për nga veçoritë e stilit, tradicionale për nga temat e motivet. Rrustemi na paralajmëron që në nëntitull kur thotë: “Ditar poetik mes dy nëntorësh”. Që në këtë moment ne jemi të mirëpërcaktuar pikërisht në tonet e fuqishme nacionaliste dhe në romantikën që ato e mbartin me vete, qoftë edhe në formën e kujtimeve për figurat e heronjve e luftëtarëve të lirisë, qoftë në piedestalin sublim të saj.

Rrustemi e ka një qëllim të lartë, një ideal dhe ky nuk është gjë tjetër veç Liria e vendit, Liria e individit, Liria e shoqërisë. I lindur në një familje shqiptare, nën sundimin serb, i rritur në një fshat, -Zhegër të Gjilanit, në të cilin jetojnë dy etnitë, si shqiptarët ashtu edhe serbët, i mësuar që në hershmërinë e tij se vendlindja e tij është tokë shqiptare (Me gjysmën e trupit tënd nën sqetull/me pjesën tjetër nën vetull/ecën e s’ndalesh qe një shekull/ec e mos u ndal/rrënja ime në mal/e kurrë/ kurrë mos thuaj mbarova/se këtu është Kosova), -Është Kosova, (fq, 33) dhe se duhet të flitet vetëm shqip, (…Se nën dhe e mbi dhe/ të kam vetëm ty/ imi Atdhe), -Se të kam Atdhe, (fq.27), është një shtysë e jashtëzakonshme e brendshme që e shtyn Rrustemin në krahët e epikës-romantike. Heronj të rënë, (Tek ajo urë sytë e tu/ mesditës korb/ iu bënë dritë fanari) -Nëpër ato gjurmë, Zahir Pajazitit, (fq,138), shokë fëmijërie, bashkëluftëtarë, idealistë, Fehmi Agani, Agim Gashi, Xun Çeliku, Sali Çekaj, T. Desku, Jusuf Gërvalla, R. Elmazi, Ali Podrimja, komandantë, (Përditë i mungonte pjesa e errët e ditës/ gjysma e atdheut në trungun e zemrës/) -I mungoi sall liria, Kol. Ahmet Krasniqit, (fq, 133), janë ata që na shoqërojnë përmes vargjeve. Kosharja, (Po u nise drejt saj/mos pyet ç’ditë është/ ç’mot bën/…Pika më e lartë e saj/është atdhedashuria/ lum kush e shijon/…po e preke atë majë/më tej mos shko), (fq, 70), Prekazi, (Nuk preket me duar/as mbahet në prehër…sa herë ka nevojë/lind e vdes e rilind/për ty/për mua/e për veten), (fq.39), Llofca,(…një kolonë të dëbuarish/na lë pa frymë/…ngricat e natës shkrihen mbi ne/si lot pikojnë/e na shpojnë/m’u në zemër…I fikëm llampat/e i ndezëm sytë/na erdhën skaj dere/me krisma Magjere/), (fq,64), Diku në Kosovë, (Dhe lumi prej dhembjes shtang/një pikë ujë për sytë tanë/nuk mbeti/…po dhembja/e pavarrosur mbeti), (fq,68), janë aty për të dëshmuar identitetin tonë. Lufta është aty, dhembja e paskaj është aty, betimi është aty, dashuria dhe jeta janë aty. Trishtimi dhe lëndimi i thellë është aty. Tmerret e Luftës dhe përkujtimi për to është aty. Aty janë dhe varret, dhe rrënjët e bimës së pyllit që u shkrumbua dhe rilindi sërish. Aty është ëndrra ajo e madhja, ajo që brenda vetes përfshin dhe atë të pajetuarën, të pathënën.

Aty është Çepuri, Karadaku, Zhegra, Gjilani, Dunavi, Kumanova, Presheva, Stublla, aty është Kosova. Dhe e gjitha kjo e dhënë mjeshtërisht përmes metaforave prej të cilave përmendëm disa. Rrustemi përpara saj “dorëzohet plotësisht”, e lë atë ta udhëheqë nëpër thellësitë e mendjes e të shpirtit. Thuhet që ndryshimet në stil tregojnë dallimet në temperament dhe kulturë. Rrustemi është veçanërisht i “prekur” nga ky dualitet mes përkatësisë epike dhe shpirtit romantik. Një antinomi që përcaktoi më vonë edhe vijën e jetës së tij, si një bashkëveprim të ndërsjellët mes Poetit dhe Luftëtarit. Një shqyrtim qoftë edhe i sipërfaqshëm mbi metrikën e tij mund të shërbejë si një pikënisje e mirë për të paraqitur këtë dualitet meditativ që e gjen shprehjen edhe artistikisht, përmes vargjeve. Kështu kuptojmë se përse Rrustemi nuk e përdor tetërrokëshin tradicional popullor shqiptar. Ky varg tradicional nuk i përshtatet një poezie e cila për një arsye të thjeshtë preferon të lëvizë lirshëm, sepse autori vetë është i përqendruar tek kërkimi, lufta dhe mbrojtja e lirisë. (Republika derdhet në gotë/si koktejl rasti/mbështillet me Fusnotë/…Post-festum për lirinë/…Fusnotën/si biletë e mbaj në xhep/pa treni le të shkojë) – Fusnota, (fq, 31).

Nëse do të flisnim për modernitet në poezinë e Sabit Rrustemit, padyshim që do të ndaleshim gjatë në figurën më të rëndësishme letrare, edhe në rastin tonë, metaforën. Një metaforë që fillon si titull- Në fytyrën e një gjethi, e vazhdon si nëntitull- Ditar poetik mes dy nëntorësh e për të vazhduar varg pas vargu, pothuaj në të gjitha poezitë e vëllimit. Këtu do të ndalesha pak më gjatë. Fola në fillim për një përcaktim dallimor mes poezisë në Tiranë dhe asaj në Prishtinë. Ky përcaktim kushtëzohet ekskluzivisht nga përdorimi i metaforës. Nëse në poezinë e Tiranës kemi më shumë një metaforë shpjeguese dhe ilustrative, pothuaj e afërt me krahasimin, që ka mbizotëruar me dekada duke përcaktuar në këtë mënyrë edhe tipin e modelit të të shkruarit, në Prishtinë metafora është më e lirë, më e përpunuar dhe aspak ilustrative.
Në Tiranë kapërcimet metaforike janë të buta dhe vijnë në formën e një dialogu mes poetit, vargut dhe lexuesit. Poeti të përgatit më parë për metaforën me një varg të thjeshtë gati rastësor dhe praktik. Ndërsa poezia në Prishtinë godet fuqishëm dhe bën kapërcime të menjëhershme, nga maja në fund, e anasjelltas, pa të “marrë dorën” fare. Nuk të përgatit, por ta vendos që në fillim figurën përpara syve dhe ti gjendesh përpara faktit të kryer prej të cilit nuk shpëton dot. Është gjithashtu interesante të shihet se si vargjeve te Rrustemit nuk ka fare luhatje, gjë që tregon për një karakter të fortë.

Nëse ka një dualitet mes qëndrimit epik dhe atij romantik nuk është e vështirë të hetohet që romantizmi, ose më saktë post-romantizmi që ndeshet në vargjet e këtij vëllimi, vijnë si një kundërpeshë e epizmit, për të cilin thamë që fillesën dhe vetë ekzistencën e ka në nacionalizmin e autorit. Pra megjithëse kemi tendenca për një stil hiperbolik kjo nuk na çon në ndonjë përfundim për ndonjë luhatje mes ekstremeve, sepse nuk kemi ekstreme. Sublimizmi i tij nuk është gjë tjetër veçse ajo çka është ideale, ndjeshmëria ndaj Lirisë. Sublimimi i Lirisë është një pjesë që shkrimtarët shqiptarë e njohin shumë mirë dhe qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, kujtojmë sidomos figurën e Skënderbeut, qoftë edhe tërthorazi, Milosao, figura që sublimohen deri në adhurim, amëshim. Edhe Rrustemi u përket shkrimtarëve shqiptarë dhe nuk bën përjashtim prej të njëjtave qëndrime, gjë të cilën edhe cekëm përmes ilustrimeve në vargje-metafora. Le të ndalemi pak më gjatë në këtë qëndrim të poetit për të kuptuar më mirë dualitetin e tij joekstremist mes epizmit dhe post-romantizmit nacional.

Në vitet kur Rrustemi filloi të botojë Kosova ishte pjesë e Republikës Federative të Jugosllavisë. Në emër të modernitetit dhe të “lirisë së fjalës”, qeveria e atëhershme e pranonte eksperimentin poetik për të mbuluar dhe për më tepër për të shmangur problemet e vërteta ku kryen e vendit e zinte çështja e identitetit të kombit. (Po flasim vetëm për Kosovën). Lejonte deri diku poezi me problematikë sociale, të etiketuara nga pushteti si të parrezikshme, dhe sigurisht nuk lejoheshin stile emfatike, ekzaltime, në dhënien e ndjenjave të dashurisë për vendlindjen, Kosovën. Historia dhe vazhdimi i saj dihen, sikur është vërejtur edhe nga studiues të ndryshëm, mes të tjerash edhe tendenca e kësaj periudhe në përdorimin e simbolit e të simbolikës, krahas përdorimit të metaforës. Megjithëse nën sundimin sllav, pra nën trysninë e letërsisë dhe kulturës sllave, serbe më së shumti, por edhe ruse e bullgare, kroate e sllovene, shqiptarët kishin një tendencë të brendshme drejt orientimit ndaj kulturës Perëndimore.

KKVITI

Përballja në sfondin politik mes sllavëve dhe shqiptarëve patjetër do të reflektohej edhe në kulturë me art e letërsi. Kjo shpjegon etjen e tyre në atë periudhë për të eksperimentuar në letërsi njëlloj sikur simotrat e saj Perëndimore, megjithëse në kushte krejtësisht të pabarabarta. Kujtojmë që kjo letërsi sapo kishte filluar të hidhte hapat e saj, e kjo e vendoste përballë problemeve shumë të mëdha. I duhej në të njëjtën kohë të shkruhej, të krijonte traditë, të krijonte themele të forta, të ruante strukturën gjuhësore amëtare, sintaksën e morfologjinë e vet, të sillte përvojat shkrimore të letërsive të përparuara botërore, të krijonte fytyrën e saj origjinale, dhe të përballej me një luftë të egër të imponuar nga armiqtë e saj. Në të njëjtën kohë ajo imponohej me një mijë e një mënyra të njihte dhe të imitonte letërsinë sllave.

Në këto kushte letërsia lindi, u zhvillua dhe u orientua fuqishëm drejt pavarësisë së saj, larg ndikimit sllav. Edhe ajo ishte pjesë e një lufte më të madhe që kishte nisur moti në trojet Kosovare për liri, pavarësi, përparim e zhvillim. Fillimi i dështimit të kauzës sllave dhe e hegjemonisë politike serbe në raport me shtete si Sllovenia e Kroacia, i inkurajoi shqiptarët edhe më shumë drejt kauzës së tyre drejt lirisë. Vepra e Rrustemit i ka këto tema kryesore e madhore.

Mes dy nëntorëve është një Komb, janë dy shtete, është mbijetesa e tyre si andej e si këtej kufirit. Lind pyetja: si shpjegohet ky pasion kaq i madh për vendlindjen? Përse pothuaj të gjitha ngjarjet që përshkruhen në këtë Ditar Nëntorësh e kanë një pikë takimi- Çepurin, fshatin e tij? (…vetëm buzët çelni/e thoni me afsh/biletën e gratis për Çepur/dhe leje qëndrimin sipas dëshirës/në çdo stinë/…mos e bëni zemrën gur/tregojani rrugën për në Çepur…/), -Nëse e takoni diku shiun, (fq,107). Pak më lart e kemi përmendur përkatësinë etnike të autorit dhe raportet e tij me këtë etnicitet, që përmblidhen vetëm me një fjalë: Dashuri për vendlindjen! Është origjina e tij, përkatësia e tij, identiteti i tij, i cili qëndron. E natyrisht kjo dashuri për vendlindjen, për tokën e të parëve ushqyer nga tradita, shpërhapet dhe nuk kuptohet e pametarializuar në dashuritë e tjera, të atyre që në fakt i japin kuptimin e vërtetë vetë asaj. Ka poezi në këtë vëllim për nënën, (…ora juaj në çdo kohë/troket), -Ju nëna, (fq,23); (Në një sy tëndin moçmohet malli/në tjetrin sy sython shpresa/…edhe kur në zemër/të pikojnë helme kohësh/ti uron), -Nënë, (fq,36); (Ajo e përpiu lotin/si motin/…për kë do të jetosh/e tallën sërish/për Kosovën/ u tha troç/), -E kam Kosovën, (fq,97), një varg me të vërtet befasues në këtë metaforë goditëse që ngërthen në vetvete filozofi të thellë dhe universale. Le të ndalemi pak më gjatë në këtë varg për të përforcuar edhe njëherë përcaktimin tonë për këtë poezi të Rrustemit si një poezi që shpreh një qëndrim dual. Thuhet në këtë varg e përpiu, që do të thotë për ne menjëherë, pa na lënë kohë të shohim se çpo ndodh. Ne mund të marrim me rezervë këtë qëndrim por mund të kuptojmë fare mirë arsyet se përse ky lot, përpihet. Ky varg në mënyrën më lakonike të mundshme flet për epizmin.

Zakonisht thuhet që loti gëlltitet, mbahet, fshihet. Përpiu më tregon një veprim që bëhet menjëherë dhe nuk le gjurmë, që nuk dëshiron të lerë gjurmë. Të përpish diçka duhet të kesh arsye shumë të forta. Dhe a ka arsye më të fortë se qëndresa? Nga ana tjetër kemi lotin, dhimbjen e shpirtit, trishtimin që çdo qenjeje njerëzore e mbart me vete e nuk i shmanget dot. Dhimbja e shpirtit ndodh kur zemra lëndohet, vritet, dhunohet, digjet, shkrumbohet, kur lufta e thërret në masakrën e përgjakur, kur sytë e qashtër të fëmijëve nuk janë më, kur burri, baba nuk është më. Të përpish do të thotë të qëndrosh stoik në epizmin tënd dhe dhimbjen ta strukësh thellë-thellë brenda vetes.

Nga ana tjetër krahasimi metaforik me motin është shumë i gjetur. Moti është gjithnjë i pranishëm në jetët tona. I vrenjtur ose jo ai është aty, me diell a me borë, ai është aty, i qetë a i trazuar ai është aty. Kurrë nuk ikën. Ne jemi pjesë e tij. Analogjia tashmë bëhet e dukshme. Ne jetojmë me dhimbjen tonë. Ajo kurrë nuk ikën, ajo është aty, herë e dukshme edhe për të tjerë, herë vetëm për ne, por ajo është gjithnjë aty. Ne rritemi dhe jetojmë me dhimbjelotin. Dhe kjo veçse na forcon, na forcon po aq sa na lëndon. Është një dualitet i brendshëm, që krijon një habitat simbiotik të detyrueshëm po prej vetë nesh, gjë e cila na çon pashmgshmërisht në atë që unë e quajta hegjemoni natyrale.

Ky është në fakt thelbi i këtyre poezive, thelbi edhe i autorëve të tjerë të Prishtinës dhe ky është një elementet që bën atë dallimin për të cilin folëm në fillim të këtyre rradhëve, mes Tiranës dhe Prishtinës; për të vazhduar me një pjesë tjetër me poezitë për bablokun, (O At I Madh/…para teje jam/si dje/si sot/si nesër/…bekomë bekomë bekomë…) -Tek ati ynë për bekim, (fq,37), Për bablokun e një mikut tim, (fq,142); vëllain, mikun, -Pa teklif, (fq,103), Bardh Zhegrës, (fq,129), -Shkolla jonë, (fq,42), -Mëzi, (fq,77), fëmijët, dhe të dashurën.

Janë poezi ku na shpaloset përmasa e tretë e këtij poeti, shpirti i tij romantik dhe i brishtë, i ndjeshëm dhe i kujdesshëm, tolerant dhe altruist, i mbushur me një dashuri universale për rrënjën, lulen, erën, burimin, diellin. Është butësia e qenies e cila nga rrethanat detyrohet të kruspullohet thellë në ndërdijen e saj dhe të shfaqet në momente të caktuara dhe t’i japë drejtim ndjenjave e përjetimeve të shpirtit. Nga lufta e ashpër që ndodh jashtë, gjendemi në një luftë të brendshme, të ëmbël të mbushur plot me dashuri e trishtim të butë. Ka një lajtmotiv që i bashkon pothuaj të gjitha këto poezi shpirtërore dhe ky është shiu. Një bashkëshoqërues i devotshëm, i mirëseardhur dhe i mirëpritur.

I trajtuar nga autori si burimi i jetës dhe i mirëqenies, kjo në fakt e çon poezinë e Rrustemit drejt zbulesës së qëllimit të saj : Kultit të thelbit të të gjithë poezive të këtij vëllimi -humanizmit. Edhe kur ai flet për luftra, beteja, ideale, heronj, edhe kur flet për dashurinë për shoqen, fëmijën, gruan, mikun, edhe kur flet për dashurinë për tokën dhe njerëzimin, në të gjitha këto humanizmi është timoni që e drejton vargun e tij. Gjë e cila ka të bëjë drejtpërdrejtë me konceptin e dualitetit tradiconal njerëzor, kur arti zhvendoset nga sfera e shpirtit të pastër, në të cilin e vendos zakonisht spiritualizmi, pra ne nënkuptojmë post-romantizmin, na kthehet në atë pjesë kur fjala mban marrëdhënien e saj origjinale me sendin që ajo simbolizon.

Vargjet e Rrustemit ripohojnë vazhdimësinë midis shpirtit dhe lëndës, ripohojnë vazhdimësinë mes epikës tradicionale dhe romantizmit, ripohojnë fuqishëm hegjemoninë e tekstit poetik shqip, e shprehur kjo qoftë edhe në një vëllim sikur ky që kemi në dorë./rajonipress/