Mobi Casa

Nis edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar “N’Karadak krisin tupanat“

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Viti – Në prag të fillimit të edicionit të dytë të festivalit ndërkombëtar “N’Karadak krisin tupanat”, sot në Viti, është mbajtur tryeza e rrumbullakët “Iniciativat e festivaleve folklorike në Kosovë, nën logon e CIOFF-it”, ku pjesëmarrës ishin ansamble dhe grupe folklorike nga shtetet e ndryshme që pritet të marrin pjesë në këtë festival si: Panamaja, Republika Çeke, Qipro Veriore, Maqedonia e Veriut, Kosova por edhe ansamble të tjera dhe personalitete të njohura nga fushat e artit dhe të kulturës. Ndërkaq, nesër në Viti, pritet të arrij edhe ansambli nga Meksika.

Në hapjen e kësaj tryeze Arsim Abazi, drejtor i këtij festivali, ju dëshiroj mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve në edicionin e dytë festivalit “N’Karadak krisin tupanat”, duke falënderuar të gjithë ata që kanë mbështetur organizimin e tij.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ndër tjerash tha se është nderë i veçantë për këtë komunë dhe qytetarët e saj, që të jenë nikoqir i këtij festivali me karakter ndërkombëtar.

Ai tha se shpreson që në këtë vit të kalojnë edhe më mirë në Viti, pasi që festivali po mbahet pikërisht në kohën kur ka një numër të madh të bashkatdhetarëve që gjenden për pushime në vendlindje por edhe në kohën kur me 1 gusht pritet të mbahen edhe shumë aktivitete të tjera, në kuadër të ditëve të mërgatës.

Ndërkaq Enrih Merdich, president nga sektori i Evropës Jugore në kuadër të organizatës CIOFF, tha se kjo organizatë është e lidhur ngushtë me UNESCO-në, në veçanërisht në pjesën e trashëgimisë kulturore.

Fundamenti

Ai foli edhe për aktivitetet që organizojnë kjo organizatë dhe bashkëpunimin që kanë me Kosovën, në veçanti me Vitinë. Ndërkaq, nga një fjalë rasti mbajtën edhe përfaqësuesit nga shtetet pjesëmarrëse në këtë festival.

Në këtë tryezë ku i pranishëm ishte edhe Valmir Sahiti, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti, të pranishmit biseduan rreth temës në fjalë por në fund u prezantuan edhe dy veglat muzikore shqiptare si Çiftelia dhe Okarina, ku u bë edhe nga një demonstrim me këto vegla muzikore.

Përndryshe ky festival po organizohet nga SKKOFF “Kosova” ( Seksioni Kombëtar i Kosovës për Organizimin e Festivaleve Folklorike dhe Artit Tradicional) në partneritet të ngushtë me organizatën CIOFF (Këshilli Ndërkombëtar i Organizatave të Festivaleve Folklorike dhe Arteve Popullore) që është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare në partneritet zyrtar me UNESCO-në.

Ndërkaq anëtare me të drejtat e plota në këtë këshill është edhe Kosova, saktësisht Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” nga Vitia./rajonipress/