Një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulm ndaj dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Gjilan
Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet S.K., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 17 nëntor 2026, rreth orës 14:00, në rrugën “Martirët e Gjilanit”, në Gjilan, ku i pandehuri dyshohet se ka sulmuar dy persona zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave të tyre zyrtare, të dëmtuarit me inicialet Zh.S. dhe R.J., të cilët punojnë si shpërndarës në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Sipas përshkrimit të ngjarjes në kërkesën e Prokurorisë, dy zyrtarët ishin ndalur me automjet në lagjen “Zabeli”, me qëllim të gjetjes së një adrese dhe të një personi me emrin L.K.
Në atë moment, njëri nga të dëmtuarit, nga vetura, e kishte pyetur të pandehurin nëse e njihte personin në fjalë. Sipas dyshimeve, i pandehuri ishte afruar te dera e automjetit dhe kishte filluar ta godiste me grushte njërin prej zyrtarëve, duke e kapur për bluze dhe duke e goditur edhe me dorën tjetër.
Në përpjekje për ta ndaluar sulmin, nga vetura kishte dalë edhe zyrtari tjetër, R.J., por edhe ai dyshohet se ishte goditur me grusht në kokë, pas së cilës i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e incidentit, i dëmtuari Zh.S. kishte pësuar lëndime të lehta trupore, për çka kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Gjilan ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
Sipas vlerësimit të gjykatës, masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale, prandaj është vendosur që të pandehurit t’i caktohet paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji.
Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./rajonipress/

