Haziri: LDK në Gjilan ka unitet politik e funksional

Gjilan – Jemi një familje politike dhe kemi një qëllim të vetëm, rikthimin e madh të LDK-së në Komunën e Gjilanit. Bashkë e me dashni, Gjilanit do t’ia rikthejmë namin e një kryeqendre ekonomike, arsimore, të sigurisë, kulturës e sportit thotë Lutfi Haziri për rajonipress.
Haziri tha se në cilësinë e Kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, si bartës i proceseve politike në komunë, në mbledhjen e sotme të kryesisë kam paraqitur draftin final të Këshillit të Degës për rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit.
“Përkundër trendit pozitiv dhe konfirmimit për deputet në Kuvendin e Republikës, LDK në Gjilan po vazhdon tani përgatitjet për zgjedhjet lokale. Si Kryetar i Degës, kam pranuar komentet, kam miratuar analizën dhe raportin detaj të zgjedhjeve të fundit për Kuvend të Republikës, ndërkaq kemi filluar me procesin e përgatitjeve fillestare për zgjedhjet lokale. Bashkë me Kryesinë e Degës, do ta bëjmë listën më përfaqësuese ndonjëherë, e cila do të siguronte rolin e liderit në nivel komunal, derisa kandidati për Kryetar të Komunës do të jetë konsensual e i pranueshëm për të rikthyer LDK-në edhe në ekzekutiv” tha Haziri.
Sipas Hazirit LDK në Gjilan ka unitet politik e funksional.
“Jemi një familje politike dhe kemi një qëllim të vetëm: rikthimin e madh të LDK-së në Komunën e Gjilanit. Bashkë e me dashni, Gjilanit do t’ia rikthejmë namin e një kryeqendre ekonomike, arsimore, të sigurisë, kulturës e sportit” tha Haziri./rajonipress/