Fundamenti

Hasan Kapiteni

/ 6 minuta lexim

Hasan Mujeci është kosovari i vetëm që ushtron profesionin e marinarit në Genova të Italisë. Për plot 37 vjet ai drejtoi lloj-lloj anijesh dhe vizitoi gjithë botën, derisa mori gradën e kapitenit të marinarëve të rinj. Sipas tij, kosovarët mund të bëhen marinarë të zotë falë djepit. Express sjell rrëfimin plot aventura të Hasanit, Kapiten Hasanit.

Për të deti nuk është si për gjithë të tjerët.

Uji i kripur për të nuk është thjesht një hapësirë për të notuar apo për t’i kaluar pushimet verore.

Për Hasan Mujecin deti është vetë jeta.

Aty ndihet më komod sesa në tokë.

Për më shumë se 37 vjet ky burrë ushtron një profesion që pak ose asnjë kosovar nuk e ka. Hasani punon në Itali si kapiten anijesh.

Për sa kohë ushtron këtë profesion, ai nuk ka lënë anije pa e drejtuar e nuk ka lënë vend pa e parë. Me një timon në dorë e me uniformën e bardhë të marinarit, Hasan Mujeci me prejardhje nga Llapi ka kaluar gjithë botën.

Hasi në vështirësi të shumta, por ia doli mbanë. Konsideron se timoni i anijes është shumë më i lehtë sesa i një makine.

“Jeta në det është më interesante sesa ajo në tokë. Profesioni i marinarit më ka shtuar jetën -dukem më i ri sesa në të vërtetë jam”.

Ishte viti 1963 kur Hasani vendosi të largohej nga Kosova për në Genova të Italisë. Në fillim punoi si rregullues i karrigeve të cirkut. Por, dashuria ndaj një vajze italiane bëri që ai ta lërë këtë profesion e të nisë punën si teknik në anije.

“Falë dashurisë së parë, unë u bëra marinar”, thotë Hasani për Express.

Këtu për Hasanin filloi jeta e vërtetë.

“Nisa të dashurohem shumë në jetën e marinarëve. Më pëlqente jeta që ata bënin, prandaj u mundova shumë, derisa mësova ta drejtoj një anije”, pohon ai.

Që nga ajo kohë Hasanit nuk iu shkoq timoni nga duart, i ra rreth e përqark botës, duke mos e fshehur kurrë identitetin e tij.

“Unë gjithmonë udhëtoj me pasaportën kosovare. Kurrë nuk kam marrë atë italiane”.

Fillimisht nuk ia kishte idenë se si dukej një anije. Veçanërisht që thotë se ka lindur në një vend që nuk ka det. Por, thotë se është kjo arsyeja pse ai ka arritur të bëhet një marinar.

“Marinarët më të mirë janë ata që nuk janë afër detit, sepse ata që janë të lindur afër detit janë më prepotentë”, sqaron Hasan Mujeci.

Thotë se për ta përballuar detin dhe turbulencat e tij i ka ndihmuar shumë prejardhja dhe tradita se si fëmijët në Kosovë vihen në gjumë.

RCCOLA

“Ne kosovarët i përballojmë më shumë tundimet e detit sesa dallmatinët, sepse jemi përkund në djep. Jemi mësuar që në fëmijëri t’i durojmë tronditjet”, pohon Hasani.

“Por e pranoj që sado e vështirë, aq interesant është të jesh marinar. Kur vjen koha të zbres në tokë, ndonjëherë nuk di të eci…”.

Kjo pasi, sipas Hasanit, ka raste kur ai me ditë të tëra nuk sheh tokë me sy.

“Udhëtimi im më i gjatë ka qenë ai për në Tanzani. Kemi udhëtuar për plot 30 ditë të tëra pa parë asnjëherë tokë”, thotë ai.

Është kjo arsyeja për të cilën Hasani thotë se ka qenë e pamundur të krijojë një familje, siç bëjnë njerëzit e tjerë.

“Ka qenë e pamundur, pasi nëse i mbledh për një vit, unë kaloj 6 muaj në det e 6 në tokë”, thotë ai.

E kaq kohë sa ka që endet nëpër botë, thotë se kurrë nuk ka takuar ndonjë marinar tjetër nga Kosova. Sidoqoftë, Hasani si marinar punoi për plot 37 vite për t’u bërë më vonë shef i tyre apo siç njihet në gjuhën e detarëve, kapiten i marinarëve.

Për kaq kohë sa ishte një marinar i thjeshtë, Hasani thotë se nuk i ka kryer shërbime vetëm Italisë.

Pohon se një fije të hairit ia ka pa edhe Kosova, e cila falë tij ka hyrë në listën zyrtare të navigatorëve (shoferëve të anijes) në qendrën më të madhe të navigimit në Londër.

“Doja ta përtërija lejen e navigimit. Shkova me dokumente atëherë jugosllave. Fillimisht nuk ma pranuan lejen, pasi e dinin që Kosova nuk ka det. Por, prej atëherë e kanë fut edhe Kosovën në atë listë”, tregon kapiten Hasani i cili prej se ka marrë këtë titull nuk udhëton më siç bënte deri para pak vitesh.

Aktualisht Hasani ia ndan detyrat dhe punët stafit të anijeve, të cilat deri vonë ai i drejtonte.

Megjithëse pranon se koha kur ai kalonte ditë të tëra në anije i mungon, po aq sa timoni i anijes.

“Prandaj kur vij për pushime në Kosovë, unë udhëtoj vetëm me anije, asnjëherë me aeroplan apo ndonjë mjet tjetër udhëtimi”.

Hasani ka nostalgji të madhe për kohën kur punonte si navigator, pavarësisht se herë pas here edhe ka kaluar në shumë rreziqe të cilat i ka deti.

“Mbaj mend një udhëtim për në Kretë. Mendoja se ai do të ishte udhëtimi i fundit. E mbaja timonin me jelek shpëtimi, sepse thonë se në anije nuk mund të shpëtosh veç mund të shikosh se si të shpëtosh…por fatmirësisht ia dolëm mbanë”, mban mend Hasani Mujeci.

Kjo ishte hera e vetme të cilën Hasani marinari mban mend që jeta e tij dhe udhëtarëve të anijes ishte në rrezik.

Megjithëse këtë udhëtim ka vendosur ta harrojë si një përvojë të keqe, duke i lënë hapësirë udhëtimeve tjera ndër më të bukurat në jetë, të cilat i ka kaluar si marinari i vetëm që vjen nga Kosova. I ka mbetur vetëm një dëshirë, të cilën për sa kohë ka udhëtuar nuk ka mundur ta përjetojë.

“Kam dëgjuar për ata, veç në përralla e i kam parë në filma. Asnjëherë nuk kam takuar ndonjë pirat…”.(express)