Eko Higjiena

Haradinaj: Ja kur do të “shkrryhesha” dhe do të hidhja gaz lotsjellës në Kuvend

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Kërkesa për ta shtyrë protestën e paraparë me 26 mars erdhi nga Lëvizja Vetëvendosje. Këtë kërkesë e pranuan edhe dy partnerët tjerë të bllokut opozitar. Kështu ka deklaruar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një intervistë për Telegrafin.

“AAK po përgatitet të hyjë e vetme në zgjedhje”

Ai ka folur edhe për mundësinë që opozita e bashkuar të shkojë në zgjedhje në listë të përbashkët, duke theksuar se kjo temë është pjesë e diskutimeve, mirëpo sipas tij, AAK është duke i bërë përgatitjet të hyjë si e vetme në zgjedhje.

I pari i AAK-së, ka thënë se e ka respektuar vendimin e kolegëve të opozitës për të hedhur gaz lotsjellës, për ta penguar mbajtjen normale të seancave të Kuvendit, por se ai, sipas tij, nuk ka menduar se duke u “shkrryer” nëpër Kuvend dhe përplasur më policët, do t’i ndihmonte Kosovës.

Haradinaj ka theksuar se protesta që është menduar të mbahet me 26 mars, do të duhej të mbahej, dhe se sipas tij, për këtë gjë ka pasur gatishmëri edhe të qytetarëve.

“Pas konsultave që kemi bërë më partnerët tjerë opozitarë, është vendosur që të shtyhet protesta. Ka qenë një vendim racional. Pas konsultave që kemi bërë më partnerët opozitarë, kemi vendosur me shty protestën. Konsideroj se kjo shtyrje do të ketë ndikim të caktuar te qytetarët. Së shpejti do t’i ftojmë qytetarët në protestat e radhës”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se hyrja më një listë të përbashkët të partive opozitare në zgjedhje nacionale, është çështje do t’i vije radha të diskutohet, duke shtuar “se partitë opozitare angazhimin e tyre e ndajnë në dy etapa; ajo e kundërshtimit të veprimeve qeveritare, duke filluar nga kërkesa për largimin e ish – ministrit Jabllanoviq, Ligji për Trepçën, Bashkësia e komunave me shumicë serbe, Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, dhe etapa tjetër e diskutimit të një opsioni për një listë të përbashkët”.

“Ne kemi pasur shumë kujdes që mos me i ndërlidh këto tema. Kjo tregon se angazhimi jonë nuk ka qenë angazhim për pushtet, por me i ndal do të këqija për Kosovën. Mendoj se ia kemi arrit, dhe i falënderoj kolegët opozitarë dhe qytetarët. Duhet të jemi vigjilentë që të mos lejojmë, duke e vazhduar presionin, ta humbin fokusin mbi këto tema: ‘zajednicën’ dhe demarkacionin, sepse mund të na ndodh ndonjë befasi. Në njërën anë është fjala për një kundërshtim të caktuar që na ka bashkuar si parti, e që dallon prej mundësisë që të ofrojmë një alternativë qeverisëse”, ka theksuar ai.

Lideri i AAK-së ka thënë se partia e tij ka qenë pjesë e kundërshtimit, në Kuvendin e Kosovës, të marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, duke shtuar “se të drejtën e tyre për t’i kundërshtuar këto marrëveshje e ka vërtetuar edhe Gjykata Kushtuese, e cila ka konstatuar se marrëveshja për ‘Zajednicën’ është antikushtetuese”.

“Daljen nga Kuvendi e kemi si formë tjetër të kundërshtimit. Ai që del nga Kuvendi nuk dakordohet me ato që ndodhin në Parlament. Këtë hap po e marrim pas një etape të kundërshtimit në Kuvend, duke mos e njohur kështu punën e këtij parlamenti, duke kërkuar kështu me iu kthy mandati qytetarëve. Ne si AAK kthehemi në Parlament, vetëm për ta shpërbërë Parlamentin”, ka thënë ai.

Haradinaj duke folur për bashkimin e partive opozitare dhe krijimin e një blloku opozitar përballë vendimeve të Qeverisë, ka theksuar se sa herë që ka rreziqe për shoqërinë, do të ketë njerëz që sipas tij, dinë me i tejkalu dallimet politike dhe t’i dalin zot vendit.

“Edhe në të kaluarën ka ndodhur me u bashku për temat kundër rreziqeve që e kanë cenuar vendin, e që besoj se edhe në të ardhmen do të ndodhin bashkërendime të tilla, të cilat do të jenë në të mirën e vendit”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se AAK po përgatitet që të del e vetme në zgjedhje, duke shtuar se partia e tij është në rrugë e sipër më konkurru e vetme në zgjedhje.

“Në rast të një partneriteti zgjedhor me partitë politike opozitare, ne nuk do të vëmë kushte, duke kërkuar të dominojmë në atë listë. Kërkojmë barazi të përfaqësimit në listë. Nuk vëmë kushte për kryetar të Qeverisë, por kërkojmë një barazi në listë. Nuk hyjmë në një listë si përcjellës ose si përshtatje ndaj ndonjë liste”, ka theksuar ai.

Haradinaj më tutje ka theksuar se përqindja elektorale nuk duhet të jetë kritere për përfaqësimin e AAK-së në një listë të përbashkët zgjedhore të opozitës, sepse sipas tij, përqindja elektorale ka vlejtur për zgjedhjet e kaluara.

“Përqindja elektorale është tregues jo i duhur, sepse në e ndiejmë pozicionin tonë çfarë e kemi në shoqëri, dhe besimin që e kemi falë vërtetësisë që po e prezantojmë”, ka thënë ai.

Sipas tij, veprimet më të ashpra të AAK-së kanë ardhur si rezultat i vendimeve të rrezikshme që janë marrë për vendin nga qeveria aktuale, duke shtuar se “ne, shembull, në të kaluarën kur ka qenë përkrahja për buxhetin ose ndonjë situatë të caktuar, kemi votuar sepse nuk kemi dashur t’i lëmë arsimtarët ose policët pa rrogë”.

Mobi Casa

“Kur e shohim që dikush është gabim ne i themi jo, dhe ne mendojmë se qeveria Mustafa – Thaçi po i shkakton rreziqe vendit”, ka theksuar Haradinaj.

Haradinaj, i pyetur se kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet nacionale, ai ka thënë se gjendja është e jashtëzakonshme dhe se sipas tij, kjo kërkon zgjedhje te jashtëzakonshme në një afat prej 45 ditëve, duke shtuar se “një gjendje e tillë, çdo vonesë, është rrezik për Kosovën”.

“Është mirë të merren vendime të shpejta në këto situata. Hezitimet në këto momente i kushtojnë më shumë shoqërisë”, ka theksuar ai.

I pari i AAK-së, ka thënë se ata si parti politike kanë në terren rritje të elektoratit, duke shtuar se “rritja është e vërejtshme dhe e dukshme dhe e kemi një gjendje si në vitin 2009, atëherë kur kemi qenë 19 për qind”.

“Pra kemi një gjendje të tillë në terren. Aspirojmë një rezultat që AAK-në e kthen në një epiqendër politike edhe pas zgjedhjeve. Pastaj ne dëshirojmë t’i japim Kosovës institucione që janë ndryshim, jo ta mbajmë këtë ‘status qou’. Synojmë qeverisjen që është ndryshim”, ka theksuar Haradinaj.

I pyetur se me cilat parti i ka vendosur vijat e kuqe AAK-ja, Haradinaj ka thënë se tani është herët më prejudiku se si do të sillen partitë pas zgjedhjeve dhe çka do të ndodhë me to.

Ai ka thënë se zgjedhja e Hashim Thaçit si president, ka shkelje të gjetura dhe procedurale, duke shtuar “se kushtetuesja është në situatë të vështirë, për shkak të vendimeve paraprake që janë ndërmarrë në këtë temë, dhe është bërë gati e pamundshme në Kosovë me zgjedhë president në mënyrë kushtetuese”.

“Thaçi meritor për gjendjen e rëndë në Kosovë”

“Nëse Kushtetuesja merr vendim që ta pranojë zgjedhjen e Thaçit si president, bie në kundërshtim me vetveten, me vendimet që janë marrë në rastet e mëhershme. Nëse i thonë jo, atëherë do t’i thonë Kosovës që asnjëherë nuk do të mund të zgjedhësh president në mënyrë normale. Unë kam kërkuar që presidenti të zgjedhet direkt nga qytetarët dhe të ndryshohet kushtetuta”, ka theksuar Haradinaj.

Lideri i AAK-së, ka folur edhe për raportin e partisë së tij me presidentin në ardhje, Hashim Thaçi, të duke thënë se Thaçi është meritor për gjendjen e rëndë në Kosovë.

“Politizimin dhe partizimin e skajshëm të institucioneve. Nuk e vlerësojmë si president, e vlerësojmë si dikë që i ka kontradiktat e veta të mëdha”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka folur edhe për raportin e partisë së tij dhe opozitës së bashkuar më miqtë ndërkombëtar, duke theksuar se kanë pasur komunikim të vazhdueshëm, por jo çdo herë sipas tij, janë pajtuar me ta.

“Mendojmë që fatet e Kosovës duhet të burojnë nga ne, njerëzit e Kosovës. Nëse ne e dimë çka duam edhe miqtë do të na përkrahim. Ideja jonë është që me u interesu për një Kosovë të pacenueshme, ku nuk cenohet rendi kushtetues. Gjykata Kushtetuese e nxjerri që është cenuar rendi kushtetues”, ka thënë Haradinaj.

Ai për arsyet e largimit të ish – deputetes se AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, ka thënë se do të merret vesh në të ardhmen, duke shtuar “se na ka ardhur keq që ka vepruar ashtu, por i kemi uruar fat në jetën politike në çka do që ajo angazhohet”.

“AAK e ka krijuar një vlerë të brendshme, ku kemi plot njerëz më vlerë. Jemi parti e njerëzve me vlerë e njerëzve të shumanshëm. Ka një dinamikë të brendshme”, ka theksuar Haradinaj.

Ai edhe një herë ka theksuar se nuk beson se do t’i shërbente kauzës së opozitës, nëse kryetarët e partive opozitare do të gjuanin gaz lotsjellës në Kuvend.

“Mendimi im ka qenë se nuk do t’i ndihmoj vendit duka u shkrryer në Kuvend. Kjo nuk është në nderin tim dhe të familjes time. Mua nuk me ka ngreh zhag as policët kur kam shkuar në Hagë, por nuk do të lejojë që djemtë tonë policë të më kapin dhe të më largojnë nga salla. I kam lutur kolegët deputetë, nëse ka situata të tilla, kursehuni dhe mos e teproni. Secili deputetë i yni kur ka gjuajtur gaz, nuk është fshehur, i është përgjigjur gjykatës, sepse kemi kundërshtime politike dhe jo procedurale. Nëse përmes gazit do ta përmirësoja gjendjen në veri ose për t’ia bërë një të mirë vendit, do të mund të shkrryhesha në Kuvend”, ka shtuar Haradinaj. /Blendi Devolli/Telegrafi/