UBT

Osmani pas takimit me zyrtarin e BE-së: Bandat kriminale të mbështetura nga Vuçiqi kanë qëllim destabilizimin e Kosovës

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Charles Fries, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

Presidenca njofton se, në takim u diskutua për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, me ç’rast presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik.

“Ne veçanti, Presidentja ka informuar Fries për progresin e bërë në fushën e sundimit të ligjit, që përfshinë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për reformat demokratike dhe për përafrimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Tutje, Zëvendës Sekretari Fries vlerësoi lart bashkërendimin e Kosovës për dënimin publik dhe sanksionet kundër Rusisë si dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës”, thuhet në njoftim.

Fundamenti

Presidentja Osmani dhe Zëvendës Sekretari Fries diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës.

“Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë”, bën të ditur presidenca.

Tutje, Presidentja Osmani vuri theksin në nevojën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, si hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohet paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend e rajon, ndërsa ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përballjen me drejtësinë për bandat kriminale dhe veprimet e tyre të kundërligjshme. /Telegrafi/