RCCOLA

“Hamleti nga Ballkani” me mision integrimin në Zvicër

/ 7 minuta lexim

Aktorët, kryesisht shqiptarë, kanë sjellë në skenë sekuenca nga jeta e tyre dhe rrëfime nga vendlindja, të shkrira me një “dozë hamletiane”.

Nëse Shekspiri është “mbreti” i dramaturgëve dhe princ Hamleti i tij, “mbreti” i dramaturgjisë botërore, aktorët amatorë me prejardhje ballkanike që kanë luajtur në shfaqjen “Balkan Hamlet” në Aarau, mund të quhen “mbretër” të aktrimit të vetvetes.

Ata, të instruktuar nga regjisori profesionist, Hannes Leo Meier, kanë sjellë në skenë sekuenca nga jeta e tyre, e familjeve të tyre dhe rrëfime nga vendlindja, të shkrira me një “dozë” Hamlet. Nga kjo përzierje e jetës konkrete bashkëkohore me tekstin e “Hamletit” të Shekspirit, prodhohen shpesh edhe situata komike. Edhe gjuha shqipe, refrene nga ndonjë këngë shqipe dhe maqedonase, kanë zënë vend në këtë shfaqje interesante. Sipas shpjegimit të regjisorit, në fokus ka qenë raporti babë-djalë dhe hakmarrja, në kontekstin e sotëm të të rinjve me prejardhje ballkanike, raport mbi të cilin ndërtohet edhe tragjedia e Hamletit.

Integrimi i të rinjve ballkanikë në shoqërinë zvicerane është një synim indirekt i shfaqjes.

Për Metush Gjurajn, aktorin që luan Hamletin e kësaj shfaqjeje, inkuadrimi në një teatër si ky, nuk ka qenë diçka aq e rastësishme. I riu me prejardhje nga Gërçina e Hasit të Gjakovës ka një bagazh solid të marrjes me art, ndonëse jo me teatër.

“Kam mbi 5-6 vjet që shkruaj poezi, gjegjësisht merrem me “slam poetry” një lloj i poezisë, me prejardhje nga SHBA, që lexohet para publikut të gjerë. Në një garë të poetry slam e kam takuar Fitim Lutfiun që merret po ashtu me këtë poezi dhe ai më ka rekomanduar të vi këtu. Kështu unë nga dita e parë marr pjesë në realizimin e shfaqjes Balkan Hamlet”, thotë i riu i talentuar, i cili tregon se tashmë ka të shkruara rreth 800-900 faqe me slam poetry. “Aty kryesisht i trajtoj problemet e rinisë”, shton ai. Gjuraj thotë po ashtu se mund ta paramendojë që të punojë si aktor profesionist. “Por vetëm në ndonjë një trupë profesionale “, thotë ai.

Metushi thotë se e ka lexuar edhe më parë dramën e njohur të Shekspirit. “Po, unë “Hamletin” si tekst e kam pasur të lexuar por jo me këtë intensitet sikur tas,h kur na është dashur ta mësojmë tekstin përmendësh, të hyjmë në karakterin e rolit etj. Megjithatë, ajo që më ka lidhur më shumë me rolin ka qenë pyetja se çka do të bëja unë sikur të ma vrisnin babën, pyetje që përkon me dilemat hamletiane . Qëllimi i regjisorit ka qenë që për këtë shfaqje të zgjedhë njerëz me prejardhje të Ballkanit, për shkak se në rajonet tona hakmarrja ka ende peshë dhe ai ka dashur ta bëjë shfaqjen nga ai këndvështrim”.

Në shfaqje luan edhe i riu me prejardhje nga Maqedonia, Robert Kirov. Prindërit e tij kanë ardhur nga Maqedonia, ndërsa ai vetë është i lindur unë Zvicër. Edhe për Kiron kjo është hera e parë që luan në teatër. Ai thotë se këtu ka fituar një përvojë shumë të mirë jetësore e profesionale. “Fakti se jam sikur edhe të tjerët këtu, nga Ballkani dhe klima e punës në grup kanë qenë me rëndësi. Ed di se tema e hakmarrjes në këtë shfaqje vihet në lidhje me konfliktet në Ballkan”. Edhe Roberti pranon se nuk ka ndonjë përvojë si aktor. Ai ka të kryer shkollën e tregtisë.

“Unë jam vetë Ballkani”

Kastriot Fazlija, nga Karaçeva e Kamenicës, ka ardhur në Zvicër si 8 vjeçar, jeton në Bernë dhe ndjek zanatin. “Kur më kanë pyetur në audicion se çka më lidh me Ballkanin, unë u kam thënë: Unë jam vetë Ballkani, pjesë e Ballkanit, i etnisë shqiptare”. Kastrioti thotë më tutje se ka pasur dëshirë të marrë pjesë në realizimin e kësaj shfaqjeje, “për t`u treguar zviceranëve se edhe ne jemi të aftë për të bërë diçka të vlefshme, pra nuk jemi vetëm kriminelë ose transportues të drogës”.

Fundamenti

“Ky është roli i parë imi me këtë intensitet”, thotë Kastrioti. Aktualisht ai nuk mendon ta zgjedhë aktrimin si profesion, pasi që është një profesion jostabil , pa të ardhura të sigurta të rregullta.

Ndërkaq i riu 23 vjeçar shqetësohet me interesimin e ulët t¨shqiptarëve për ta parë shfaqjen . “Kjo është keq për prezencën tonë shqiptare”, thotë ai. Prioritet imi ka qenë që të takohem, të njihem me miq zviceranë dhe tu tregojmë edhe atyre se ne mund të bëjmë diçka të mirë” përfundon Fazlija.

Fitim Lutfiu, me prejardhje nga Kërçova është 23 vjeç, ka kryer zanatin për automontator. “Ajo që më lidh me teatrin është edhe slam poetry, me të cilën merrem prej kohësh. Është hera e parë që merrem profesionalisht me aktrim. “Më ka shtyrë fakti se për njerëzit me origjinë nga Ballkani këtu flitet kryesisht keq kështu që më intereson që ta ndryshojmë këtë pasqyrë negative për ne”.

Edhe Fitimi thotë të ketë lexuar diçka nga Shekspiri “por me këtë shfaqje jam thelluar më shumë. Me dëshirë do të punoja si aktor me profesion, thotë Fitimi, i cili në vitin 2010 ka marrë pjesë në kampionatin zviceran për slam poetry. “Por nuk kam fituar”, pranon ai.

Raporti babë-djalë dhe hakmarrja, te shqiptarët sikur te Shekspiri!

Regjisori, Hannes Leo Meier ka një rrëfim interesant për idenë e shfaqjes: Kam qenë i interesuar ta punoj Hamletin si pjesë teatrore me njerëz që nuk janë profesionistë të teatrit por që vinë direkt nga jeta. Ajo që më ka interesuar shumë, ka qenë që të mësoj më shumë për raportin babë – djalë dhe për hakmarrjen, që përkon edhe me subjektin e “Hamletit”. Mandej kam kuptuar se në strukturën e familjeve ballkanike ka një lidhje shumë të fuqishme babë- djalë-nënë. Ndonëse nuk kam qenë asnjëherë në Ballkan, as për pushime, unë i njoh disa njerëz nga Ballkani në Arau”, shprehet Meier.

Ai thotë më tutje se ka vendosur që të gjitha rolet të mbulohen vetëm nga meshkujt. “Kështu kam pasur dëshirë të studioj më mirë raportin në lidhje me fajësinë, mëkatin, hakmarrjen te të rinjtë e sotëm nga konteksti ballkanik. Për mua ky ka qenë një proces shumë i suksesshëm. Unë mendoj se raportet babe-djalë dhe hakmarrja janë çështje që i prekin të gjithë njerëzit dhe jo vetëm ballkanasit”.

Pjesa e parë e shfaqjes është ndërtuar mbi tekstin e Hamletit, me ndërhyrje ndërsa në pjesën e dytë kemi rrëfimet jetësore të secilit aktor veç e veç. Natyrisht, nuk janë rrëfime deri në fund të sakta, sepse është ruajtur privatësia. Mendoj se ia kemi dalë”, përfundon regjisori Meier.

Patrick Schatzman shef i produksionit të dramës tregon për përvojat e tij, peripecitë që ka pasur për të siguruar financimin e përgatitjes së kësaj shfaqje por edhe problemet tjera që kanë shoqëruar rrjedhjen e saj të deritashme. Por ai është i kënaqur me rezultatin e shfaqjes, duke e konsideruar se është shpaguar mundi i të gjithëve.

Në shfaqjen “Balkan Hamlet” luajnë: Fitim Lutfiu, Kastriot Fazlija, Metush Gjuraj, Robert Kirov, Benjamin Kobi, Nico Herzig/Leon Myftari. Dramaturg, Hannes Glarner.(albinfo)