Haliti priti në takim ekipin e Shoqatës “Entr-Aides” nga Zvicra, dhe i ndau mirënjohje për ndihmat humanitare

Viti – Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në takim një delegacion të shoqatës humanitare “Entr-Aides” nga Zvicra, të cilët po qëndrojnë në komunën tonë në kuadër të aktivitetit humanitar për shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të vazhdueshëm dhe solidaritetin e dëshmuar, Haliti u ka ndarë përfaqësuesve të kësaj shoqate një mirënjohje zyrtare nga Komuna e Vitisë.
Shoqata “Entr-Aides”, e udhëhequr nga z. Cédric Bonnébault, në bashkëpunim me studentë zviceranë që veprojnë si vullnetarë, ka shpërndarë pako ushqimore për qytetarët në nevojë në komunën e Vitisë, duke përfshirë të gjitha komunitetet pa dallime, shqiptare, serbe e kroate.
Gjatë takimit, z. Bonnébault falënderoi kryetarin Haliti dhe gjithë akterët lokalë për bashkëpunimin dhe përkrahjen e ofruar gjatë këtij aktiviteti humanitar.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për Koordinatorin e Shoqatës Bamirëse Humanitare “Nëna Terezë” në Viti, z. Halit Alidemaj, për angazhimin dhe ndihmën e vazhdueshme në këtë proces, si dhe për familjet mikpritëse vitiase, të cilat kanë strehuar delegacionin e kësaj shoqate zvicerane gjatë qëndrimit të tyre në komunën e Vitisë.
Përndryshe, procesi logjistik i shpërndarjes së ndihmave është mbështetur nga Shoqata “Nëna Terezë”, duke dëshmuar edhe një herë frymën e solidaritetit dhe përkushtimin ndaj familjeve në nevojë./rajonipress/