RCCOLA

GSJP: Asociacioni prek strukturën e shtetit të Kosovës

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Grupi për Studime Juridike dhe Politike vlerëson se Marrëveshja mbi Asociacionin prek në esencë çështje të rëndësisë strukturore të shtetit të Kosovës dhe vlerave të saj multietnike.

Sipas GSJP, Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi parime të një demokracie kushtetuese, duke reflektuar kështu një model thellësisht evropian të një shteti multietnik dhe një shteti ku legjitimiteti qeverisës buron nga qytetarët (e barabartë, pa-dallim).

“Marrëdhëniet ndërmjet etnive në një demokraci kushtetuese ndërtohen në dritën e parimeve ku institucionet qëndrojnë mbi ndasitë etnike, dhe ato nuk përfaqësojnë apo reflektojnë vlera etnikisht të veçuara. Në këtë kuptim, Marrëveshja e 25 Gushtit 2015 në mes të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe bie ndesh me shumë parime kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe vizionit Evropian të shtet-ndërtimit të saj”, thuhet në komunikatë.

UBT

Sipas GSJP, neni 9 e vesh Asociacionin me mandatin e përfaqësimit ekskluziv të komunitetit etnik serb, gjë që shkon në kundërshtim të hapur me modelin multi-etnik të përcaktuar me Kushtetutë.

Po ashtu, ndër të tjera thuhet se neni 17d e shndërron Asociacionin në një organizatë buxhetore të Republikës së Serbisë, duke e mohuar kështu ‘sovranitetin buxhetor’ të Republikës së Kosovës, etj. /Telegrafi/