Gjysma e Këshilltarëve mësimdhënës – asnjë iniciativë, çështje apo ide për arsim

Nga Fehmi Sylejmani – Në periudhën gjashtë mujore, në punimet e seancave të Kuvendit të Komunës së Gjilanit janë shqyrtuar gjithsej 40 çështje. Kështu thuhet në raportin e monitorimit të Kuvendit të Komunës së Gjilanit për periudhën korrik – dhjetor 2012 nga organizata Joqeveritare FQD “Anamorava” e Gjilanit.
Ndërkaq, asnjë çështje që i përket fushës së arsimit nuk është shqyrtuar. Padyshim se shumë brengosëse dhe shqetësuese është fakti se nga gjithsej 41 Këshilltarë sa ka Kuvendi Komunal, 21 janë të sektorit të arsimit, të cilit drejtpërdrejt janë në procesin edukativo-arsimor.
Andaj duke u nisur nga ky fakt, se gjysma e këshilltarëve janë në arsim, madje prej tyre ka edhe shefa te grupimeve politike, dalin shumë dilema se çka kontribuojnë këta këshilltarë, për çka angazhohen, kujt i japin llogari, për çka paguhen nga tatimpaguesit, interesat e kujt i mbrojnë e shumë e shumë dilema tjera ?!.
Ku u tretë zëri i tyre ?!, pse heshtin në çështjet shumë madhore dhe të arsyeshme të arsimit ?!, kur dihet mirëfilli se një shtet që nuk ka bazë të shëndoshë në arsim, nuk do të ketë edhe zhvillimi të mirë ekonomik. Kuvendi nuk është vetëm për të votuar, pavarësisht se është i thirrur për këtë qëllim, por mund të dalin në pah edhe idetë e ndryshme pozitive, kreativiteti, përkushtimi, vullneti, iniciativa i cilido kuvendarë për çështje të caktuar dhe dobiprurëse, veçmas për të mirën e arsimit në komunën e Gjilanit. Kjo mbase në bazë të raportit monitorues deri më tash nuk ka ndodhur fare, meqë zyrtarisht nuk kemi asnjë çështje të shqyrtuar dhe të miratuar në Kuvend.
Nuk janë befasuese “gjumashët arsimor” të Kuvendit Komunal, por në këtë kontekst ka dështuar edhe Komitetit për Arsim, pasi që duke ju referuar këtij raporti monitorues shihet qartë se shumë çështje me prioritet në sferën arsimore nuk ka arriti të paktën t’i ngrit si çështje. Hiç çështjet që tashmë janë rutinore dhe protokollare, të tjera nuk kemi.
Komiteti për arsim, në periudhën korrik – dhjetor 2012, i ka mbajtur gjithsej 5 mbledhje në të cilat janë shqyrtuar 7-të çështje në vijim: Informata për suksesin e nxënësve pas përfundimit të vitit shkollor 2011 – 2012; informata për testin e semimaturës, informata për testin e maturës, informata e DKA për ekskursionin e maturantëve në Shqipëri, informata e DKA për ecuritë në arsim, shqyrtimi i mundësive për kompensimin e udhëtimit për punëtorët e arsimit.
Ndërkaq, gjatë periudhës së monitorimit, në punimet e këtij komiteti janë vërejtur mangësi të ndryshme qoftë profesionale, qoftë teknike. Përderisa mangësitë teknike shumë lehtë mund të korrigjohen, ato profesionale vështirë se po riparohen. Shqetësuese është fakti se ky komitet edhe më tej aktivitetin e tij e ka zhvilluar pa ndonjë plan vjetor të punës.
Nga Këshilltarët komunalë dhe Komiteti për Arsim mungojnë idetë sikur që janë:
1. Mungesa e vullnetit dhe angazhimit direkt për të krijuar kushte më të përshtatshme për përfshirjen e fëmijëve në institucionet parashkollore,
2. Krijimi i një komisioni disiplinor për shqyrtimin e masave disiplinore të nxënësve të shkollave të mesme me kompetenca të plota,
3. Krijimi i një rregullore për përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e arsimtarëve më të suksesshëm në shkollat e Komunës,
4. Krijimi i një rregullore, e cila i përcakton në mënyrë të hollësishme kriteret dhe procedurën e ndarjes së bursave,
5. Krijimi i një rregullore për të ndihmuar kampionët dhe nënkampionët (në nivel vendi dhe jashtë vendi) e sferave përkatëse, veçanërisht të shkencave ekzakte, me të holla(një vlerë qoftë edhe simbolike),
6. Krijimin e ndonjë mundësie për pagesën e semestrave deri në përfundim të studimeve, për kampionët, përkatësisht për nxënësit më të mirët të komunës së Gjilanit,
7. Krijimin e ndonjë mundësie për të nderuar, respektuar, çmuar dhe për të shpërblyer edhe arsimtarët e nxënësve që korrin suksese në gara të ndryshme,
8. Krijimi i një rregullore për ndryshimin e rregullores për rajonalizimin e shkollave të kësaj komune,
9. Krijimin e një rregullore për kompensimin e kujdestarisë së klasës,
10. Krijimin e një rregullore për sigurimin shëndetësor të punëtorëve arsimorë dhe anëtarëve të ngushtë të familjes së tyre,
11. Krijimin e një rregullore për ndarjen e zahireve(turshive),
12. Krijimin e një rregullore për dhënien e shtesave fëmijërore,
Nuk janë vetëm këto çështje që duhet shqyrtuar, ka edhe shumë të tjera, por këto shihen si më akute. Ndërkohë që jemi shumë të vetëdijshme se këto nuk mund të bëhen brenda natës, por do të ishte mirë të bëhet klasifikimi i këtyre çështjeve më prioritet dhe gradualisht të futen në rend dite për të marrë vërtetë një ditë të drejtën ligjore. Nëse vazhdohet me këtë ritëm të punës, si deri më tani, nuk pritet që asnjë nga këto çështje të lartshënuar të aprovohet.
Është momenti i fundit e veçmas për këshilltarët komunal të fushës së arsimit, që vërtetë t’i lexojnë me kujdes këto pika të propozuar dhe më pas t’ia rekomandojnë Kuvendit për miratim.
(Autori është mësimdhënës dhe njohës i mirë i fushës së arsimit)