Gjilanasit e duan një kryetar, që prioritet e ka qytetin dhe zhvillimin e tij, kurrsesi kryetar të nënshtruar dhe që ndikohet nga partia

Gjilan – Zgjedhjet e tetorit po afrohen dhe qytetarët gjilanas presin që nga këto zgjedhje të zgjidhet një kryetar punëtor, profesionist dhe që prioritet e ka zhvillimin e Gjilanit dhe avancimin e tij në të gjitha segmentet. Qytetarët thonë se një kryetar që është servil dhe i nënshtrohet partisë nuk i duhet Gjilanit.
Në pyetjen tonë se çfarë kryetari duan të kenë në zgjedhjet e tetorit, qytetarët e anketuar vlerësojnë se kryetari i ardhshëm i komunës duhet të punojë për Gjilanin.
Murati 45 vjeçar mendon se në zgjedhjet e tetorit qytetarët duhet të mendojnë mirë se këndë po e votojnë.
“Mua më intereson që kryetari të jetë njeri i zoti, profesionist dhe që punon e angazhohet për qytetin e tij. Një kryetar shembull dhe model për të rinjtë dhe për ata që vërtet punojnë me zemër” tha ai.
Veseli një 54 vjeçar mendon se kandidati për kryetar nuk duhet t`i nënshtrohet partisë ose të jetë pengë i partisë.
“Kryetari i komunës duhet të jetë i aftë, që të menaxhoj vet komunën, të sjell projekte, zhvillim dhe avancim për qytetin” tha Veseli.
Zekrija 62 vjeçar mendon edhe më qartë.
“E dua një kryetar që orë e qastë mendon për qytetarin, mendon për projekte, për punësim, për pensionist, për rastet sociale. Një kryetar që i dedikohet zhvillimit të kulturës, arsimit, ekonomisë, por edhe që të jetë bashkëpunues me opozitën dhe partnerët e tjerë” tha Zekrija./rajonipress/