Mustafë Shala dhe lufta për lirin e atdheut e bashkimin kombëtar, shtrihet në shumë dimensione, do të mbetet krenaria e ndritshme për Gjilanin dhe Anamoravën
Gjilan – Data 30 gusht e vitit 2024 nuk do të jetë e njëjtë për Gjilanin, Anamoravën e Kosovën sepse nga kjo ditë do të pushojë zemra e atdhetarit, humanistit e biznesmenit që kishte sens për të gjitha zhvillimet për dhe rreth Kosovës. Mustafë Shala jetoi e veproi vertikalisht me nder e me përgjegjësi të madhe ndaj detyrave të familjes, kombit, zhvillimit të qytetit e investimit të madh që bëri në kontributin e pamohueshëm në avancimin e çështjes kombëtare, një investim kapital për lirin dhe pavarësinë e Kosovës, një angazhim i pashoq për trupat mbrojtëse të Kosovës. Mustafë Shala ishte një ambasador i anës humane e njerëzore sepse ndihmojë të gjithë ata që kërkuan ndihmën e tij. Kuleta e tij ishte edhe e të varfrit, edhe e atij që nuk kishte as krah e strehë. U bë kurban i shumë situatave kur e kërkonte koha dhe nevoja. Mustafë Shala dha të gjitha resurset familjare vetëm që Kosova të çlirohej nga Serbia dhe kthetrat sllave. E donte flamurin kuq e zi, dhe ngazëllehej teksa fliste për Bashkimin Kombëtar dhe ofshante kur përmendej ndërtimi i një Hoteli të ri me përmasa të atyre Sheraton, një amanet ky që nuk arriti ta përfundoj, por pas vetës la shumë trashëgimi e vepra të mëdha e me vlera kapitale. Daja Tafë ishte synonim i mikpritjes gjilanase dhe dashurisë se si përkrahet shoku e miku në kohë të rënda e të vështira.
Kur largohet nga kjo botë luftëtari i lirisë mbrapa mbesin gjurmët e pashlyera të krenarisë e atdhedashurisë personale e familjare.
Liria mbetet synonim dhe motiv pastaj edhe për gjeneratat e reja për ta nderuar e kujtuar angazhimin e mbrojtësit të lirisë që shtrihej në dimensione të ndryshme.
Ikja ose ndarja fizike e Mustafë Shalës e ka pikëlluar një qytet e rajon, një shoqëri të tërë sepse veprat e tij, fjalët e zemrës e shpirtit dhe përherë mikpritja e tij e dallonin nga të tjerët.
Mustafë Shala ishte i veçantë dhe i dalluar sepse lufta e tij qoftë e heshtur ose e drejtpërdrejtë nis qysh nga koha kur punonte dhe angazhohej si aktivist e veprimtar në Gjenevë.
Për dallim nga të tjerët Mustafë Shala e zgjodhi Kosovën dhe luftën titanike për ta mposhtur Serbinë dhe krimin që po bënte mbi shqiptarët. Rrezikoi e sakrifikoi edhe familjen e tij për ta bërë strehë, çdo ndihmë dhe kontribut për luftën e UÇK-së dhe për të ndihmuar në shumë fronte e drejtime, kauzën e çështjes kombëtare.
Mustafë Shala asnjëherë nuk kënaqej me atë që kishte si individ dhe kurrë në jetën e tij, nuk fliste as për biznesin dhe as për investimet. Punonte në heshtje dhe i sigurt sepse kishte besim në vetveten e tij dhe kishte përkrahje të madhe nga vëllezërit bujar: Fadili, Fehimi e Saqipi që ndihmohej edhe nga nipi Albani, e kohëve të fundit dhe nga dhëndri Besforti.
Se cili ishte roli dhe kontributi i Mustafë Shalës për lirin e Kosovës dhe të mirat që kishte ofruar në interes të kombit e dëshmuan edhe fjalimet, opinionet, tekstet dhe analizat e shumta pas vdekjes së tij.
U pa se Mustafë Shala ishte sa i Kosovës, ishte aq edhe i Shqipërisë, i shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi, i paharruar nga diaspora e Lugina e Preshevës. Pothuajse të gjitha kategoritë e politikanëve, të biznesmenëve e të figurave tjera arsimore, kulturore ishin të pranishëm.
E bënë të kuptimtë rolin e Mustafë Shalës edhe shënimet përkujtimore të Albin Kurtit, Lutfi Hazirit, Ahmet Isufit, Irfan Shaqirit, Qemajl Mustafës, Ismet Rashitit, Nazim Hajdarit dhe figurave të tjera, që u kujdesën secili prej tyre të japin momente e sekuenca, për dhe rreth veprimtarisë së Mustafë Shalës.
Roja e FSK-së afër varrit të Mustafë Shalës ishte diçka e veçantë sepse kishte dhënë gjithçka që kjo forcë mbrojtëse e Kosovës, të ndërtohet e të zhvillohet tutje.
E kam njohur gjatë Mustafë Shalën dhe e kisha edhe mik edhe shok të afërtë. Me mua fliste për gjithçka dhe në veçanti kishte ide dhe jetonte për ta ndërtuar një Hotel të tipave si Sheraton, por politikat e ndryshme realisht ia stopuan ketë ide dhe e penguan ta bëjë realitet.
Në tavolinë ishte i këndshëm dhe i afërtë, kurrë nuk lejonte të flitej për të tjerët që nuk ishin në të njëjtën tavolinë. Kishte respekt për çdo luftëtar, çdo student të zoti, profesor të edukuar e gazetar të shkathët.
Ishte adresë për shumë veprimtar e aktivist të devotshëm dhe kurrë nuk i refuzoi ata duke u mundësuar gjithçka nga vetja. Adem Demaqin përherë e ka nderuar sa herë që ai vinte në Gjilan.
I donte mbesat, e veçmas Dea, nga emri i së cilës edhe ishte pagëzuar uji i famshëm dhe i njohur “DEA”.
Unë i kisha mbajtur mbi 300 debate e tryeza në Hotelin “Kristal” dhe ishte pikërisht Mustafë Shala dhe fjala e tij përherë e mbajtur, që më obligonte të shkoja rregullisht aty.
Nga respekti e thërrisnim “Daja Tafë”, sepse kështu e quante nipi i tij Nazim Hajdari njëri nga magjistrat e parë të farmacisë në Anamoravë, me të cilin ka ndejtur pothuajse gjatë gjithë kohës.
Familja Shala andaj duhet ta ruajnë e ta avancojnë si aset të pashtershëm rolin dhe kontributin e madh, që ka dhënë biri i tyre për ditët më të mira për Kosovën e shqiptarët.
Për Mustafë Shalën mund të flitet me orë e ditë të tëra, megjithatë është e mirë që pas vdekjes së tij ka mbetur një libër që e shkroi me shumë kujdes gazetari Ismet Rashiti të titulluar: “Liria mbi të gjitha”.
Në këtë libër ka rrëfime interesante nga jeta e Mustafë Shalës, familja e tij dhe është përshkruar i tërë aktiviteti, veprimtaria dhe momentet e paharruara që kanë ofruar edhe të tjerët për Mustafë Shalën.
Në hyrje të librit Mustafë Shala kishte shkruar.:“I frymëzuar dhe edukuar nga vepra atdhetare e paraardhësve të mi: Ismajl, Emin e babait Selim Shala – Poneshi dhe nënës, Naxhije Hajrullah Tërpeza, kam bërë gjithçka që është e mundur për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Gjithnjë jam krenar me dajën tim, plakun e urtë e trim, Selim Murtezi Tërpeza dhe me atdhetarin e flaktë dhe luftëtarin e Shqipërisë Etnike, Hajrullah Tërpezën, i cili gjithë jetën punoi e luftoi për një Shqipëri të lirë, të bashkuar dhe demokratike. Vepra e tyre më bëri të kuptoj se sa e kemi për detyrë ta çlirojmë vendin nga okupatori serb, po aq e kemi për obligim ta ndërtojmë një shtet të pavarur e evropian, me një ushtri moderne dhe me institucione të forta demokratike. Ky ka qenë motivi që më ka shtyrë të ndihmoi aty ku kam mundur dhe aty ku më është kërkuar, përgjatë gjithë këtyre viteve” ka shkruar Mustafë Shala në hyrje të librit.
Mustafë Shala ishte pjesë organizative e UÇK-së dhe ishte veteran i luftës, ishte një nga afaristët më të zellshëm që e ndihmoi me shpirt e zemër rritën e TMK-së dhe më vonë FSK-së. Flamuri shqiptar për Mustafë Shalën ishte i shenjtë dhe në varrimin e tij ju plotësuan dy dëshira të mëdha, prezenca e FSK-së dhe dorëzimi i flamurit shqiptar pjesëtarëve të familjes.
Autori Ismet Rashiti i cili e ka njohur nga afër Mustafë Shalën, me të dhëna faktike i ka ofruar lexuesit të gjithë të panjohurat për familjen Shala, duke filluar nga atdhetarizmi, dashuria ndaj atdheut, kontributi i tyre para dhe pas luftës, investimet e tyre në Kosovën e pas luftës, çmimet e fituara dhe mirënjohjet e shumta të fituara dhe dorëzuara nga institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Mustafë Shala padyshim që mbetet figura kyçe në jetën politike, institucionale dhe kombëtare në formimin e institucioneve të pas luftës dhe si i tillë ka pasur të tregoj shumëçka në librin “Liria mbi të gjitha”.
Shala gjithashtu si frymëzim atdhetar i ka pasur edhe luftëtarët dhe ideologët e mëdhenj të çështjes kombëtare, si Adem Demaqi, Metush Krasniqi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Zijah Shemsiu, dhe udhëheqësi i rezistencës paqësore Presidenti Ibrahim Rugova dhe komandanti Adem Jashari.
Rrahim Sadiku redaktor në parathënien e librit ka thënë se Mustafë Shala u krijua si njeri i mësimeve nga jeta dhe nga ata që me vepra treguan se si duhet, nderohet dhe forcohet ndjenja atdhetare.
“Mustafë Shala ishte nga ata afaristë të cilët kuptuan, që në nismën e tyre këto rrjedha dhe u bë pjesë vepruese dhe kreative e tyre dhe me të gjitha mundësitë e tij nisi të punonte e ndihmonte që të funksiononte pushteti paralel si në arsim e shëndetësi. Mustafa ishte ndër ata që u dalluan me kontributet dhe angazhimet për UÇK, pothuajse dy vite ka qenë i kyçur në radhët e tyre, madje duke ndihmuar edhe me kontribute të gjithanshme dhe ndihma të shumta materiale për UÇK. Për më shumë se pesë vite është angazhuar në shoqatën “Miqtë e TMK-së duke ndihmuar në të gjitha frontet ndërtimin e ushtrisë së ardhshme të Kosovës” ka shkuar Sadiku.
Edhe recensenti i librit Shefik Shkodra ka shkruar se në librin e Ismet Rashitit janë thënë të gjitha ato që nuk mund t`i mohojë e nuk mund të abstenojë dhe të krijojë indiferencë askush për personalitetin dhe veprimtarinë nëpër ngjarjet e kohës.
“Është dëshmuar se Mustafë Shala ka dhënë nga vetja mjaft, duke filluar nga mjetet financiare dhe ndihmat tjera paralufte, gjatë luftës dhe menjëherë pas çlirimit. Evidenca e tyre është e gjatë dhe kjo sot mbetet një faqe e ndritshme krenarie për Mustafë Shalën. Është një shembull rrallë i përsëritshëm. Është krenari edhe për Gjilanin dhe gjithë vendin” ka shkruar Shkodra./m/s/rajonipress/