RCCOLA

“Gazzeta Dello Sport”: Skenderbeu-Tirana, si përjetohet në Shqipëri

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Çelsi-Junajtid, Ajaks-Fejnord, Marsejë-Lion. Jo, këto janë ndeshje të lehta. Në uikendin e futbollit europian është edhe Skënderbeu-Tirana, një sfidë që vlen Champions, që nuk ndiqet në ekranet e mëdhenj të kontinentit, por që në Shqipëri ka një vlerë të jashtëzakonshme.

Është nga ato ndeshje që ka material për eksploratorët, pasi në fushë është një tip i quajtur Pero Pejiç, 6 gola që nga gushti, njësoj si Van Persi. Luhet të shtunën, në Korçë, qytetin e Skënderbeut, me 100 mijë banorë dhe 180 km (por 4 orë me makinë ama!) larg Tiranës. Kjo provincë duket si një kryeqytet: Skënderbeu ka fituar titujt kampionë si në 2011, ashtu edhe në 2012, ndërsa edhe këtë sezon është +3. Kujdes, nuk ka mbaruar ende: kjo skuadër deri në vitin 2010 kishte vetëm një titull, i fituar më 1933 edhe pse është skuadra që mban emrin e heroit kombëtar.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një luftëtar mitik i shekullit XIV, është kthyer në modë dhe Tirana, skuadra e politikës, e preferuara e ish-Presidentit Bamir Topi, nuk e ka pritur mirë këtë. Tifozët e dy skuadrave nuk duhen, ndërsa Besa e Kavajës, një skuadër e sapongjitur, që për momentin mban vendin e dytë, konsiderohet kalimtare. Rivaliteti i vërtetë është mes Skënderbeut dhe Tiranës, sepse kryeqyteti është mësuar të festojë: nga viti 1992 deri në 2010, 14 tituj janë fituar nga tre ekipet e kryeqytetit të Shqipërisë.

UBT

De Biazi vëzhgon

Xhani De Biazi është trajner i kombëtares shqiptare, por në Skënderbeu-Tirana nuk do të shkojë, pasi aty luajnë maksimumi tre futbollistë të listës së tij. Të tjerët, ata të mirët, luajnë jashtë. “Niveli i kampionatit nuk është i lartë, por diçka interesante ka, – thotë De Biazi. – Skënderbeu luan 4-4-2, ndërsa Tirana parapëlqen 4-3-3. Vitin e shkuar përfundoi 2-0 dhe ishte decizive për titullin”. Skënderbeu ndërkohë ka ndryshuar pronësi, duke investuar sërish 1 milion euro në vit dhe tani po shijon frytet. Korça është një qytet jugor, por e kundërta me Jugun e Italisë. Aty është më qetë dhe përgjithësisht për një skuadër është më e qetë të punojë.

Në Shqipëri, skuadra më e pasur këtë sezon është bërë ndoshta Flamurtari (i Vlorës, sërish në Jug), që megjithatë po vuan shumë, duke marrë vetëm 6 pikë nga 7 ndeshjet e para dhe duke patur në stol një trajner spanjoll, Hulian Rubio. “Është një ‘ish’ i Tiranës, – shprehet Paolo Tramexani, ndihmësi i De Biazit. – Në Shqipëri mungojnë strukturat, por niveli i trajnerëve është mjaftueshëm i lartë. Nuk bëhet futboll fizik, kërkohet gjithnjë të luhet topi”. Pra, kontroll topi, diagonale e kros. Më i kënaquri është kroati Pero Pejiç, ai i 6 golave si Van Persi, një pykë e parë 190 cm i lartë, që nuk lëviz shumë, por godet mirë dhe në zonë gjendet gjithnjë. Është një “ish” i Tiranës, një tip alla-Toni.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)