Gani Sadiku me letër të hapur stërnipit të Brahim Zhujës – sot prijësit të Gjilanit
Gjilan – (Një thirrje ndërgjegjeje për ta shpëtuar nga harresa shtëpinë ku u strehu historia) Në këtë tokë ku liria u pagua me gjak, ku idealet mbijetuan në kasolle të vogla dhe ku emrat e mëdhenj mbetën të skalitur vetëm në kujtesën e popullit, është një fshat i vogël që mban mbi shpinë një barrë të madhe historie: Gjyrisheci. Në këtë fshat, ndër vitet e përgjakshme 1944–1949, kur Mulla Idriz Gjilani, prijësi shpirtëror, ushtarak dhe kombëtar i Anamoravës, kërkohej nga UDB-ja për kokë, vetëm një familje guxoi ta strehonte, familja jonë: sepse ai kërkoi strehë nëpër dhjetra familje patriotike të asaj kohe e që guxuan t’a strehojnë vetëm nga 2 a 3 ditë:. Në atë kohë, me e strehu Mulla Idrizin ishte njësoj sikur me e strehu Adem Jasharin në 1998. Do të të shkonte koka pa gjyq, pa mëshirë ka shkruar Gani Sadiku.
Postimi i plotë:
Dhe ne, familja Sadiku, zgjodhëm t’a japim kokën për ta shpëtuar kauzën. Zgjodhëm t’a ruajm atdheun para vetes. Por, 74 vjet më vonë, askush kurrë s’na ka trokitur derën. Jo për të n’a falënderuar, por as për të pyetur. Kosova ka institucione, ministra, komuna, ambasada, por nuk ka as rrugë, as ujë, as rrymë për shtëpinë ku u shpëtua fryma e lëvizjes tonë kombëtare.
Nuk ka ndriçim as për të lexuar kujtimin tona të vyshkura në kohë! Ministria e Kulturës, pas ahumë kërkesave e insistimeve tona si familje, vitin e kaluar ndau 160 mijë euro për të ndërtuar këtë shtëpinë muze në Gjyrishec, një hap modest por i drejtë. E përshëndesim. Por aty nuk mund të ndërtohet një muze, nëse nuk ka kushte as për një shtëpi të zakonshme. Sot, ajo tokë, që duhej të ishte vend pelegrinazhi për të rinjtë, është kthyer në tokë të heshtur dhe të përbuzur nga shteti. Dhe kjo heshtje nuk është e pafajshme.
Kryetari aktual i Gjilanit, stërnipi i Hysenit të Brahim Zhujës, që luftoi krah për krah me Mulla Idrizin në Kitkë, 1944, është jo vetëm trashëgimtar gjaku, por edhe përgjegjës institucional. Dhe ka zgjedhur heshtjen. Asnjë projekt, asnjë vizitë, asnjë reagim. Një mungesë e rëndë, që rëndon në histori.
Po çka do të thoshte Hyseni i Brahim zhujes, i vitit ‘44 nëse do ta shihte stërnipin e tij sot, që mbyll sytë ndaj një familjeje që i shpëtoi bashkëluftëtarin? Nuk do të kërkonte ndoshta asgjë, por do të ndjehej i tradhtuar nga vetja e vet. Mos të flasim për kryetarin e Kamenicës i cili siç duket nuk e din as çka është historia, as ku ka ndodhur ajo as pse duhet përkulur para viktimave, e aq më pak e din pse duhet qenë krenar me historinë e gjakun e derdhur.
E vetmja dritë që e ruajti këtë të vërtetë ishte historiani Muhamet Pirraku, i cili e përjetësoi këtë sakrificë në fjalë. Por historia që mbetet vetëm në libra e nuk kthehet në vepër, është si varri pa emër…. askush nuk ndalet para tij. Në maj 2025, u bashkuam gati të gjitha familjet e lagjes, ngritën një aksion vullnetar. 3,500 euro, vetëm nga duart dhe zemrat tona, u investuan për të rindërtuar rrjetin elektrik të djegur nga zjarret. Vendosëm shtyllat aty ku ishin në vitin 1978, kërkuam legalizim, por KEDS-i na refuzoi, pa shpjegim, pa përgjigje. Thanë “ishim” – dhe kaq.
Përveçse nuk na ndihmojnë, na pengojnë. Kjo nuk është thjesht neglizhencë….është përbuzje e historisë. Është vazhdim modern i përndjekjes që dikur e bënte UDB-ja, por sot me kravatë dhe logo institucionale….Sepse ata që u shërbejnë kolltuçeve të turkut sot, do t’u shërbejnë edhe të serbëve nesër. Kjo është arsyeja e refuzimit të heshtur. A nuk ju duket paradoks që ata që strehuan heroin, sot duan të shohin shtëpinë e tij të kthyer në stallë bagëtish? A nuk ju duket poshtërim që historia jonë të errësohet, jo nga armiku, por nga vet shqiptarët?
Ne nuk kërkojmë mëshirë, sepse nuk kemi kërkuar as atëherë kur jeta na rrihte si me grusht. Kur vriteshin e burgoseshin të parët tanë, kur 50 vjet përndiqeshim…Por Kërkojmë drejtësi kombëtare. Kërkojmë ndihmë të merituar, jo lëmoshë. Kërkojmë që shtëpia e Mulla Idrizit të ndriçohet, të ketë rrugë, ujë, jetë! Kërkojmë që gjeneratat e ardhshme të mos mësojnë për të vetëm nga librat, por ta prekin tokën ku ai u shpëtua. Stërnipi i Brahim Zhujës, nëse vërtet e nderon gjakun e atyre që sakrifikuan, vepro sot!
Sepse nesër do të jetë vonë, dhe kur historia të të gjykojë, nuk do të pyesë për postin, por për veprën. Në emër të atyre që nuk pranuan të bëhen skllevër. Në emër të atyre që nuk shesin kujtimin për vota. Në emër të atyre që nuk rrojnë për lavdi, por për të vërtetën. Gjyrishec, korrik 2025 Familja Sadiku – ata që i dhanë strehë lirisë./rajonipress/


