Eko Higjiena

Futbolli evropian në vitin 2013

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Viti 2013 në futbollin evropian ishte më ndryshe. Ishte më ndryshe sidomos për ne shqiptarët. Viti 2013 kaloi me një sukses të paprecedentë të Bayern Munichut, që fitoi tripletën. Dhe, pikërisht në ekipin e tripletës ishte një shqiptar, ishte ai që mbajti flamurin e Kosovës gjatë festës për fitoren në finalen e Ligës së Kampionëve.
Telegrafi sjell një përmbledhje të shkurtër të gjithë asaj që ka ndodhur gjatë vitit 2013 në kampionatet evropiane si dhe garën më prestigjioze evropiane, Ligën e Kampionëve.

Bundesliga

Kampionati gjerman ka qenë shumë atraktiv, por në fazën finale të tij, u karakterizua me një shkëputje të ndjeshme të Bayernit në krye të tabelës. Bavarezët e përfunduan sezonin me rekord prej 91 pikësh dhe me një bilanc pozitiv golashënues prej 80 golash me 98 gola të shënuar dhe vetëm 18 të pranuar. Vendi i dytë dhe vendi i tretë u ndanë nga Dortmundi dhe Leverkuseni, ku kishin respektivisht 66 dhe 65 pikë.

Schalke arriti të hyjë në top katërshe, teksa ekipi i Granit Xhakës, Borussia Munchengladbach, u radhit në vendin e tetë. Golashënuesi më i mirë shqiptar në Bundesliga ishte Xherdan Shaqiri me tre gola.

Fitoren më të thellë të sezonit e shënoi Bayern Munichut (ndaj Hamburgut me rezultat 9-2), teksa golashënuesi më i mirë u shpall Steffan Kiessling.

Bayern Munichu gjatë sezonit 2012/2013 kaloi një formë mahnitëse prej 14 ndeshjesh radhazi me fitore dhe 25 ndeshje pa humbje. Ky ishte titulli i 23-të i Bayern Munichut në Bundesliga.

Forma e bavarezëve vazhdon edhe këtë edicion (2013/2014). Ata e përmbyllën vitin 2013 në krye të tabelës me 14 fitore, dy barazime dhe asnjë humbje.

Liga Premier

Manchester City e nisi sezonin 2012/2013 si kampion në fuqi (pasi e kishte fituar për herë të parë Ligën Premier pas gjysmë-shekulli në sezonin 2011/2012). Mirëpo, ata do ta humbnin këtë trofe pikërisht nga rivali i përbetuar, Manchester United.

United e fitoi me siguri të madhe këtë trofe, pasi titulli u vendos qysh në prill, një gjë që ndodhi për herë të parë që prej se Chelsea e fitoi titullin në vitin 2006.

Fitorja më e thellë u realizua nga një ekip në krizë në vitin 2013, Chelsea, që e mposhti Aston Villan me rezultat 8-0, teksa portieri më i mirë edhe pse nuk e fitoi ekipi i tij titullin, u shpall Joe Hart, me 18 ndeshje pa pranuar gol.

Sidoqoftë, ishte ecuria prej 18 ndeshjeve pa humbje e Manchester United ajo që garantoi trofeun, me një lider si Robin Van Persie që u shpall golashënuesi më i mirë me 26 gola. Krahas kampionit dhe nënkampionit, në Ligën e Kampionëve arritën të kualifikoheshin edhe Chelsea dhe Arsenali, duke lënë prapa Tottenhamin dhe për të disatin vit radhazi Liverpoolin.

Sezoni 2013/2014 e gjen Arsenalin si lider dhe një garë e jashtëzakonshme që zhvillohet në krye të tabelës me klube, si Manchester City, Chelsea, Evertoni e Liverpooli. Ndërkohë që shihet një rënie e dukshme e Manchester Unitedit të Adnan Januzajt, i cili personalisht është në vitin e tij të shkëlqimit.

Serie A

Titulli i këtij viti në Serie A ishte i dyti radhazi për Juventusin. Bianconerët ishin të pakapshëm në sezonin që lamë pas. Në fillim Bianconerët u mendua se kanë një konkurrent serioz – ishte Interi i Andrea Stramaccionit ai që iu afrua Juves në një pikë, pas fitores sensacionale të Nerazzurëve në Juventus Arena në nëntor të vitit 2012 duke ia shkaktuar kampionit humbjen e parë pas një sezoni të tërë dhe disa ndeshjes në sezonin e ri.

Megjithatë, në rrjedhën e edicionit 2012/2013, konkurrenti i Zonjës së Vjetër u bë Napoli. Kampioni Juventus e fitoi titullin e 29-të zyrtar (dhe të 31-të në fushë), që e finalizoi sezonin e kaluar me 87 pikë, nëntë pikë para Napolit që u radhit në pozitën e dytë.

Por, ngritjen më spektakolare të vitit e realizoi Milani. Nga pozita e 15-të në javën e nëntë, Rossonerët arritën që të realizonin një seri fitoresh që rezultoi me pozitën e tretë në tabelë të arritur javën e fundit me një fitore shumë ndaj Sienas.

Golashënuesi më i mirë i edicionit të kaluar ka qenë Edinson Cavani me 29 gola, teksa ecurinë e pamposhtshmërisë, më të mirën e pati Milani me 14 ndeshje radhazi pa humbje.

Në sezonin e ri (2013/2014), la përshtypje Roma që për një kohë të gjatë ishte lider, ndërsa edhe pas 19 xhirosh nuk ka regjistruar asnjë humbje. Sidoqoftë, është pesë pikë prapa Juves dhe ndeshjen e radhës e zhvillon pikërisht kundër liderit.

La Liga

La Liga në edicionin e kaluar (2012/2013) u dallua nga vetëm dy ekipe. Pas suksesit epik të Jose Mourinhos, ishte Barcelona ajo që me një Tito Vilanova të sëmurë arriti që të fitonte kampionatin spanjoll për të 22-tën herë në histori.

Barcelona arriti që në mënyrë të paprecedentë të qëndronte stoikisht në vendin e parë me 100 pikë, 15 më shumë se sa rivali i përbetuar Real Madrid.

Top golashënuesi i sezonit në La Liga ishte askush tjetër pos Lionel Messit (46 gola), i cili është edhe i nominuar për Topin e Artë. Ronaldo ishte 12 gola prapa Messit, me 34 gola të shënuar gjatë gjithë sezonit.

Tabelës së asistuesve më të mirë i priu maestro Andres Iniesta me 16 asistime, tri më shumë se sa Mesut Ozil e katër më shumë se sa vet Lionel Messi.

Uji Dea

Ecurinë më të madhe të fitoreve e pati Barcelona, me 12 fitore radhazi, teksa 19 ndeshje radhazi nuk u mposht nga askush. Ishte Real Madridi që e mposhti sa për statistika dhe euforinë e tifozëve Barcelonën. Për Mbretërit, sezoni i kaluar ishte katastrofik në kampionatin spanjoll.

Në sezonin e ri (2013/2014), rivali kryesor i Barcelonës për titull nuk është më Reali, por Atletico Madridi. Los Rojiblancos kanë pikë të barabarta me katalunasit në krye të tabelës.

Liga e Kampionëve

Gara më prestigjioze evropiane u përcoll nga ndeshje shumë interesante, sidomos në fazën e eliminimit direkt.

E teta e finales

Qysh në start të ndeshjeve të eliminimit direkt u përplasën disa prej gjigantëve evropianë. Barcelona arriti të realizonte një përmbysje heroike ndaj Milanit pas disfatës në San Siro. Blaugranët me në krye Lionel Messin u shfrynë në Milanin e dobët në Camp Nou duke realizuar një fitore prej 4-0.

Në po të njëjtën fazë Arsenali pati punë me Bayern Munichun, që edhe e fitoi trofeun. Pas disfatës së rëndë në shtëpi me rezultat 3-1, Arsenali u bë ekipi i vetëm që fitoi në tokën gjermane sezonin e kaluar me rezultat 2-0. Edhe pse në rezultat të përgjithshëm ishte barabartë, për shkak të golave në udhëtim Bayerni u kualifikua në çerekfinale.

Një duel tjetër gjigantësh ishte përballja mes Real Madridit dhe Manchester Unitedit. Pasi ndeshja e parë përfundoi me rezultat 1-1 në Bernabeu, në Old Trafford u regjistrua një prej sfidave më kontroverse të sezonit. Pasi United e krijoi avantazhin para tifozëve të vet me një lojë super defensive, ishte Real Madridi që arriti të kthehej me dy gola të shpejt, një të Ronaldos dhe me një eurogol nga Luka Modric. Gjithë kjo ndodhi pasi United mbeti me një lojtar më pak nga përjashtimi i Luis Nanit, i cili u cilësua si vendim kundërthënës nga arbitri Cuneyt Cakir. Gjyqtari turk edhe sot e kësaj dite mbetet njeriu më i urryer për tifozët e United, që ishin të sigurt se mund të eliminonin mbretërit.

Çerekfinalet

Në çerekfinale u panë tri beteja epike dhe që për pak kanë mundur të rezultonin me befasi. Ishte sfida Malaga – Dortmund ajo që do të mbetet në mendjet e të gjithëve. Pasi sfida e parë përfundoi pa gola në Spanjë, në Signal Iduna Park u zhvillua një ndeshje epike. Pasi ishte në disavantazh deri në minutën e fundit, Dortmundi arriti atë që askush nuk e mendoi. Një gol nga Marco Reus dhe një tjetër nga Santana (në pozicion jashtë loje), i dhanë Dortmundit fitoren që e kualifikoi klubin në gjysmëfinale.

Bayerni kishte punë me kampionin e Italisë, Juventusin. Bavarezët pa ndonjë problem mposhtën Juventusin në dy ndeshje duke realizuar katër gola, e duke mos pranuar asnjë. Real Madridi e eliminoi me lehtësi Galatasarayn pas fitores prej 3-0 në shtëpi, teksa pësoi humbje në Turqi. Madje turqit besuan në një rikthim të jashtëzakonshëm, i cili nuk ndodhi kurrë.

PSG ishte paralajmëruesi më i madh për Barcelonën se forma në garat evropiane ishte në rënie. Me një Lionel Messi të lënduar, Barcelona arriti një barazim 2-2 në Parc des Princes dhe Blaugranëve u mjaftoi një barazim prej 1-1 në Camp Nou për t’u kualifikuar tutje. Sado e rëndësishme fitorja, ajo ishte sinjal se në gjysmëfinale Barcelona do të pësonte një prej debakleve më të rënda.

Gjysmëfinalet

Në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kemi pasur dy duele gjermano-spanjolle. Katër ekipet më të fuqishme të kontinentit pa asnjë dyshim u përballën kundër njëri-tjetrit. Dortmundi kishte punë me Real Madridin, teksa Bayern Munichu me Barcelonën. Sipas ekspertëve, El Clasico do të kishte qenë finalja e majit, por doli të jetë e kundërta.

Ndeshja e parë e BVB do të mbahet gjatë në mend. Lewandowski pa kurrfarë dyshimi dhunoi mbrojtjen e Realit. Ai inspiroi ekipin e tij që të kthehet pas një goli të realizuar nga Mbretërit, për të realizuar katër të tjerë në një fitore prej 4-1. Në ndeshjen kthyese tashmë askush nuk e mendoi se Reali mund të kthehej, por në fund u zhvillua dramë dhe përkundër fitores prej 2-0, ëndrra e Los Blancos për La Deciman u shua.

Shumë më keq se Real Madridi kaloi rivali Barcelona. Në ndeshjen e parë Bayerni i Xherdan Shaqirit e masakroi Barcelonën me rezultat 4-0, sfidë ku nuk u pa aspak shkëlqimi i Messit. Në ndeshjen e dytë nuk ndodhi ndryshe, ku Robben dhe Ribery lëvruan gjithë Camp Noun dhe ua dhanë një tjetër leksion Blaugranëve dhe ua bënë me dije se epoka e tyre e artë ka mbaruar. Në fund, katalunasit u gostitën me nga një pije freskuese “7Up”, në shenjë të rezultatit prej 7-0 pas dy ndeshjeve.

Finalja

“Ëndrra e Hitlerit u realizua. Gjermania e pushtoi Anglinë”. Por, në aspektin futbollistik natyrisht. Dortmundi dhe Bayerni ishin mysafirë të Wembleyt në finalen historike të dy ekipeve më të fuqishme gjermane të kohës. Xherdan Shaqiri në finale qëndroi në bankën rezervë. Loja ishte tejet e balancuar nga fillimi, me të dyja skuadrat që kishin rastet e veta.

Në pjesën e dytë u hap loja më shumë. Pas një aksioni mirë të organizuar, ishte Mandzukic ai që realizoi golin hapës pas një ore lojë. Në minutën e 68-të Dortmundi u kthye, kur Ilkay Gundogan me sukses e konkretizoi penaltinë.

Kur të gjithë menduan se ndeshja do të shkonte në vazhdime, dominimin e madh të Bayernit e kurorëzoi Arjen Robben që pas një depërtimi fantastik e la të shtangur portierin kundërshtar, për të realizuar për suksesin e madh dhe historik të Bayernit, që e fitoi edhe tripletën në sezonin 2012/2013.

Edicioni i kaluar i Ligës së Kampionëve do të mbahet mend për fitoret sensacionale të Bayern Munichut ndaj Barcelonës, katër golat e Lewandowskit ndaj Realit, e po ashtu edhe për flamurin e Kosovës i cili u valëvit me shumë krenari, nga vet krenaria e shqiptarëve, Xherdan Shaqiri.

Sezoni 2013/2014 i Ligës së Kampionëve ka arritur deri në fazën e eliminimit direkt, ku do të kemi këto përballje:
Man City v Barcelona
Olympiacos v Man United
AC Milan v Atletico Madrid
Bayer Leverkusen v PSG
Galatasaray v Chelsea
Schalke v Real Madrid
Zenit v Dortmund
Arsenal v Bayern Munich

Ndërkaq, e papritura e këtij sezoni ishte eliminimi i Juventusit që në fazën grupore dhe shkëlqimi i Atletico Madridit, njëherësh aty ishin edhe rekordet e Cristiano Ronaldos. Vlen të përmendet se klubet gjermane kanë treguar dominimin e tyre në futbollin evropian duke u kualifikuar në 1/8 e finales të katër pjesëmarrësit.

Cili ishte momenti më i mirë për ju sportdashës gjatë vitit 2013 në futbollin evropian? A i mbani mend raportet e ndeshjeve dhe debatet e shumta që i bëtë pas ndeshjeve? Na shkruani në hapësirën për komente… /Telegrafi/