UBT

Fundi i “historisë” së Çarshisë

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Historisë së Çarshisë së Madhe në Gjakovë, duket se po i vjen fundi. Të gjitha pengesat ligjore dhe ato proceduriale, që ndikuan në ndërprerjen e punimeve për rivitalizimin e saj, tashmë janë tejkaluar dhe punimet në këtë projekt pritet të rinisin brenda pak ditësh. E tëra kjo për faktin se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, institucioni i cili i kishte ndërprerë punimet përkohësisht, e ka dhënë dritën jeshile për rifillimin e tyre. Në të vërtetë, MKRS-ja e ka aprovuar njërin nga pesë projekt-propozimet e Komunës së Gjakovës për rivitalizimin e Çarshisë.

“Ministria tashmë e ka pranuar njërin prej propozimeve tona dhe na kanë dërguar vendimin me të cilin lejohet vazhdimi i punimeve aty ku patën ngelur”, ka konfirmuar për “Zërin” kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj. Ai ka shtuar se falë kushteve të mira atmosferike, punimet pritet të rinisin brenda pak ditësh dhe i tërë projekti në tërësi të përfundojë në një afat prej 3 muajsh. “Mendoj se vendimi i Ministrisë ka ardhur në kohën e duhur, pasi tashmë kemi mundësi të rifillojnë punimet dhe përfundimisht t’i japim fund kësaj historie që pa asnjë arsye u zgjat kaq shumë”, ka shtuar Lekaj.

Ndërkohë, ndonëse në Drejtorinë Komunale të Urbanizimit, si hartues të pesë propozimeve, thonë se propozimi i pranuar nga MKRS-ja ka mjaft ndryshime nga projekti fillestar, që u kontestua nga qytetarët dhe zejtarët, ky propozim përmban në thelb një pjesë të konsiderueshme të projektit të parë. Më esencialja duket të jetë dyshemeja, e cila si në projektin fillestar, edhe në propozimin e ri është paraparë që të shtrohet me gurë të formatuar e jo me kubëzat e deritashme ashtu siç ishte kërkuar nga ankuesit.

RCCOLA

“Pjesa më e madhe, gjegjësisht traseja do të jetë e shtruar me gurë të formatuar, ndërsa disa oaza me karrige pushuese, fontana e elemente të tjera, do të jenë të shtruar me ish-kubëzat”, ka njoftuar për “Zërin” Leonora Rraci, drejtoreshë e Urbanizmit. Ajo ka shtuar se vendimi i Ministrisë ka rikonfirmuar se ankesat dhe vërejtjet e deritashme kanë qenë të panevojshme. “Më vjen mirë që është përzgjedhur ky propozim, sepse me këtë është dëshmuar edhe një herë se kubëzat e deritashme nuk kanë qenë pjesë e trashëgimisë dhe me heqjen e tyre nuk është bërë ndonjë shkatërrim i Çarshisë dhe vlerës së saj arkitektonike e kulturore”, ka thënë Rraci. Ajo ka thënë se më nuk pret që qytetarët të ankohen për rikthimin e kubëzave, sepse me vendimin e Ministrisë arsyetimi i heqjes së tyre dhe shtrimit të gurëve të formatuar është shumë më i fuqishëm.

Ndërkohë drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, Agim Gërguri, i ka thënë gazetës se projekti i aprovuar është shqyrtuar me kujdes nga Komisioni vlerësues, projekt ky që sipas tij, nuk lejon humbjen e autenticitetit të Çarshisë. “ Kubëzat do të kthehen në mesin e rrugës dhe do të kombinohen me gurë të formatuar duke u lidhur me dyqanet, dhe pa ia humbur pamjen Çarshisë, aty do të kete edhe çeshme si dhe ulëse të cilat i përshtaten Çarshisë së Vjetër” Gërguri shton arsyeja e zgjedhjes së projektit janë arsye të një komoditetit dhe se kjo shkon në favor të të zhvillimit të Çarshisë dhe të Gjakovë, marrë parasysh se asgjë nuk po ndërrohet, apo të tjetërsohet. Ai shton se asaj do t’i ruhen vlerat e arkitekturës dhe se nuk cenohet asgjë nga vjetërsia e saj.”Projekti i aprovuar me kujdes nga Komisioni nuk lejon prekjen në arkitekturë, por do të ketë ndërhyrje vetëm në rrugën ku qytetarëve dhe vizitorëve u mundësohet një qasje më e mirë për të parë arkitekturën e bukur të dyqaneve të kësaj çarshie. Ky shtë një plus i madh për zhvillimin e turizmit dhe joshjen e turistëve në Gjakovë”, ka thënë Gërguri.

Përderisa beteja ligjore, procedurale e teknike ka përfunduar dhe punimet pritet të rifillojnë, beteja politike rreth Çarshisë duket se do të vazhdojë ende. Krahas shumë deklaratave të partive opozitare në Gjakovë, tashmë është bërë e ditur edhe për një padi penale që dega e AKR-së e ka bërë kundër Komunës dhe kryetarit Pal Lekaj, për, siç kanë thënë ata, shkelje të shumta ligjore dhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore.(zeri)