Eko Higjiena

Fshati turistik “Lura”, në ndërtim e sipër

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sabit Rrustemi – Në Gjilanin e pasluftës, Gani Buca, i cili sapo kishte mbushur të dyzetat, bashkë me familjen e tij, ndër të parët do t’i rreken punës për krijimin e një biznesi familjar, të avancuar, brenda në qytet, aty ku kishte lindur dhe ishte përballur me të gjitha përplasjet e viteve të nëntëdhjeta, të cilat kishin kulmuar me luftë. Një restaurant i tipit familjar, në qytetin e tij, ku struktura të bashkësisë ndërkombëtare veç ishin vendosur tashmë, si KFOR-i, UNMIK-u, OSBE-ja , UNHCR-ja etj. Ishte zgjidhje ideale. Fillimisht aty në qendër, skaj Xhamisë së madhe, aty ku dikur shtrihej Çarshia e Vjetër, në këndin e rrugës që zbriste kah argjendarët. Më pas, për vite të tëra, aty afër “Stanishorkës”, ngjitas rrugës së Bujanovcit, në një objekt që administrohej nga ish AKM-ja e, më pas nga AKP-ja. Po, si në rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, ishte qiraxhi. Dhe, kjo ndikonte në biznesin e tij, sepse nuk e kishte një vend të përhershëm dhe, në pronësi të tij.

Braktisja e qytetit

Duke i përcjellur trendet e biznesit, hapësirat dhe mundësitë, ai, kish hulumtuar tregun bukur mirë, duke ardhur në përfundim se, braktisja e qytetit dhe, gjetja e një hapësire më të madhe që do të ishte në pronësi të tij të përhershme, do t’i krijonte më shumë levërdi, dhe do te ishte zgjidhja më e qëlluar, për të zhvilluar një biznes të qëndrueshëm.

Pas hulumtimeve të shumta në rrethinat e Gjilanit, ai do të përcaktohej për një hapësirë private, jashtë qytetit, përkatësisht në fshatin Makresh i Epërm, tetë kilometra jashtë Gjilanit, që sot administrohet nga Komuna e Novobërdës, përkatësisht Artanës.

Ishte një hapësirë afërsisht e rrafshtë, e tipit kodrinoro- malor, përgjatë rrugës së asfaltuar Gjilan – Novobërdë, ku, si ajri, si uji, si hapësira…me një fjalë e gjithë natyra për rreth i jepte mundësi që, të nis një jetë të re biznesi, e cila i mundësonte në staza pak më të gjata, edhe një perspektivë familjare.

Shumëkujt kjo lëvizje e tij, i dukej jonormale kur, të gjitha rrugët e migrimeve përfundonin nga fshatrat në qytet, ai bënte të kundërtën. Por, me kohë, pas tij do nisen edhe shumë familjarë të tjerë të cilët kishim mundësi financiare për të blerë hapësira, e ta krijonin komoditetin për ta kaluar një vikend familjar, në qetësinë e thellë dhe të paqtë të natyrës.

Nga viti 2006, kur Ganiu bëri blerjen e parë të tokës në Makresh të Epërm e deri më sot, në këtë lokalitet në thellësi të maleve të Artanës, do të blejnë dhe do të krijojnë shtëpiza apo “vikendica” siç po quhen, afro 300 pronarë të rinj dhe, jo vetëm nga Gjilani.

Realisht, tash këtu, ngjitas Makreshit të Epërm, i banuar deri vonë kryekëput me serbë, është ndërtuar mbase pjesa më e bukur e një vendbanimi malor, çfarë nuk ka ekzistuar kurrë më parë.

Ganiu me kohë nisi të mendojë për zhvendosjen e Restaurant “Lurës” nga Gjilani në Makresh të Epërm, sepse, “e ardhmja e biznesit që e kultivoja unë, të ardhmen e kishte këtu” thotë pa hamendje, ai.

Në vitin 2012, ai do ta përurojë Villa Lurën, investimin e tij më të madh familjar, para njerëzve të biznesit si dhe të pushtetit, qoftë nga niveli lokal, qoftë nga ai qendror.

Për vite të tëra, njëjtë si më parë në Gjilan, do të përgatis dhe servojë ushqim të traditës si dhe meny tjetër, në hap me kërkesat e kohës, për klientët e rregullt, kryesisht familjarë, grupe individësh si dhe strukturash të ndryshme vendore e ndërkombëtare, duke dëshmuar cilësi, korrektësi dhe mikpritje të ngrohtë. Por, edhe tendencë për rritjen dhe shtrirjen e biznesit që, krijon vende të reja dhe angazhim edhe të komunitetit për rreth me produkte të ndryshme vendore. Tash, edhe me ndihmën e fëmijëve të tij të rritur, Gencit, arkitekt e Flakës, dizejnatore.

Hidromorava

Avancimi i mëtejmë i biznesit

Ëndrra e kësaj familje, e cila gati po i mbush dy dekada veprimtarie, ishte krijimi i një fshati turistik në thellësi të këtyre maleve, synim i cili kishte ndikuar për ta braktisur qytetin dhe, për t’u ngulitur me krejt familjen këtu në Makresh të Epërm.
Meqenëse një projekt i tillë, ishte hartuar nga arkitekti I ri Genci, kërkonte një shumë të madhe investuese, ai parashihte që për një periudhë pesë- gjashtë vjeçare ta realizonte atë ëndërr.

Dhe, siç thonë, ëndërrimtarëve të tillë që janë edhe punëtorë të mbarë, ju prinë dhe fati.
Njëjtë ndodhi dhe me Ganiun e djalin e tij Gencin. Bashkimi Evropian, Zyra në Kosovë, përmes Fondit të IPA-s (Instrumenti i paraantarësimit në BE) ka lansuar programin, “Zhvillimi i Turizmit Rural, Rekreacionit dhe Bujqësisë”, duke nxitur projekte të përbashkëta për ndërtimin e ndonjë fshati turistik si dhe zhvillimin e bujqësisë në viset rurale.

“Kjo ishte një mundësi e mirë për ne” shprehet, Genci, i cili pa hamendje do ta plotësojë dokumentacionin e duhur dhe do të aplikojë pranë kësaj Zyreje në Prishtinë.

Pas shqyrtimeve të gjithanshme të projektit si dhe inçizimit të terrenit e investimeve të kësaj familjeje në këtë pjesë të Kosovës, Zyra e BE-së në Kosovë, në mars të këtij viti nënshkruan kontratën me këtë familje, kontratë kjo dyvjeçare, për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij fshati turistik në Makresh të Epërm të Artanës, ku parashihet zgjerimi i objektit të Restaurantit me sallën e konferencave, me bodrumin e verës si dhe me gjashtë shtëpiza tjera, të cilat do të krijonin një kapacitet akomodimi të përnjëhershëm për së paku pesëdhjetë persona. Plus, këtyre ju shtohen hapësirat tjera rekreative, kryesisht të sportit si dhe shëtitjes po, edhe kultivimi dhe përpunimi i prodhimeve vendore, të cilat do t’i japin rast komunitetit për t’i sjellur këtu prodhimet e veta me çmime të leverdishme.

Kornizat e një fshati turistik

Nga marsi i këtij viti e këndej, në këtë pjesë malore të Artanës, janë intensifikuar punët në rritjen dhe zhvillimin e Fshatit turistik, krahas angazhimeve të pandërprera të familjes dhe stafit tjetër në punët e përditshme të restaurantit dhe pritjes e shërbimit të mysafirëve.

Tashmë, janë kryer një pjesë e madhe e punëve dhe nga ajo që e pamë në vendngjarje dhe e mësuam prej Gencit, janë kryer pjesët e vrazhda të gjashtë shtëpizave, njëra prej të cilave është në funksion qe një kohë dhe mund të shfrytëzohet nga të interesuarit.
“Na kanë mbetur për t’i kryer dhe pjesët tjera të projektit si terrenet sportive, pjesa tjetër rekreative dhe stazat e shëtitjes dhe gjërat e tjera të planifikuara, të cilat do t’i përfundojmë gjatë vitit 2018 dhe mbi të gjitha jemi të lumtur sepse po krijojmë modelin e ardhshëm të fshatit kosovar” shprehet Genci, bukur i lehtësuar sepse, sipas tij, tashmë janë krijuar kushtet për ta realizuar atë që e kishim ëndërr nga fillimi.

Vjeshta e vitit 2018, do ta gjejë të përfunduar Fshatin Turistik Villa Lura, dhe do t’i mirëpres të gjithë ata të cilët duan t’i shijojnë këto bukuri që i kanë falë natyrës, këto hapësira të bukura të Artanës.

Largpamësia e Ganiut po shpërblehet./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.