Eko Higjiena

Fryma e Nënës Terezë në Kosovë

/ 12 minuta lexim
Uji Dea

Në shtator të vitit që lamë pas, Nëna Terezë, me emrin civil Gonxhe Bojaxhiu, njëra nga figurat shqiptare më me ndikim në botë, u shenjtërua në Vatikan. Me dekretin e Papa Franceskos, ajo u shpall shenjtore më 4 shtator, duke lumturuar kështu shqiptarët e çdo besimi.

Nëna Terezë, me etni shqiptare, që krijoi një rend në lagjet e të varfërve të Kalkutës, edhe pse për vite veproi jashtë atdheut, atë e mbajti përherë në zemër dhe u kthye ta vizitojë në mundësinë e parë. Për shkak të rrethanave politike që dihen, Nëna Terezë arriti të shkojë në Shqipëri vetëm në gusht të vitit 1989, ku kishte lënë familjen, por në Kosovë ajo erdhi disa vite më herët.

Siç konfirmon për Gazetën Zëri edhe Don Lush Gjergji, ajo për herë të parë pas largimit nga trojet shqiptare erdhi në Kosovë në korrik të vitit 1970, për ta vizituar Kosovën sërish në mars të vitit 1978, në korrik të vitit 1980 e prapë në vitin 1982, deri te vizita e fundit e saj në vitin 1986, ku pas qëndrimit të saj në Zagreb erdhi edhe në Kosovë. Atëherë ajo vizitoi motrat e saj në Pejë.

“Me atë rast i dhurova Nënës Terezë monografinë ‘Lule për Nënën’ dhe pata një intervistë me të”, tregon Don Lush Gjergji.

Vizitën e saj në Prishtinë, më 28 mars të vitit 1978, e ka të freskët në kujtesë prishtinasi Luan Tashi. Atëbotë ai si 14-vjeçar u bë autor i tetë fotografive, që sot e asaj dite mbesin të vetmet që dihen deri më tani, të cilat dokumentojnë atë vizitë të saj në Prishtinë, krahas disa të tjerave të realizuara në Pejë.

“Ne të gjithë kemi ditur për Nënën Terezë, por në atë kohë në ish-Jugosllavi pikëpamja religjioze ka qenë më pak e shprehur. Unë jam rritur në ‘Ulpianë’, afër kishës dhe atë kohë kur ka ardhur Nëna Terezë unë kam qenë fotograf amator. Duhet pasur parasysh që të jesh fotograf në atë kohë nuk ka qenë punë e lehtë”, rrëfen për “Zërin”, Tashi.

“Një ditë në mars të ’78-s e shoh nga dritarja një turmë të njerëzve afër kishës. Ishte pasdite, pak para perëndimit të diellit. Aty ishin mbledhur rreth 30-40 persona dhe disa automjete. I dëgjova fëmijët duke thirrur se ka ardhur Nëna Terezë. Si fëmijë u çudita dhe vrapova ta marr aparatin. Për fat e kam pasur gati edhe filmin, edhe blicin dhe kam vrapuar. Pas meje ka ardhur edhe nëna ime. Duke vrapuar fushës prapa bllokut ‘C12’ mbërrita tek kisha jonë shqiptare dhe kur kam hyrë brenda Nëna Terezë ishte në mes të oborrit. Rreth saj ishin disa priftërinj e disa motra dhe njerëzit e tjerë që kishin ardhur sikur unë që ta shihnin. E di që 5-6 minutat e parë vetëm kam qëndruar duke e shikuar. Kam qenë ndoshta një metër afër saj. Ajo fliste shqip shumë bukur. Një shqipe shkupjane, e rrjedhshme. Ajo ishte e buzëqeshur tërë kohën. Rrezatonte mirësi”, e përshkruan kështu Tashi takimin me Nënën Terezë.

Siç tregon ai, atë ditë ka realizuar tri fotografi në oborr të kishës. Në një prej tyre shihet vetëm Nëna Terezë. Në një fotografi tjetër shihet ajo bashkë me të pranishmit, ku janë edhe Mark Sopi e Dom Gjergj Gjergji, meshtari nga Stublla e Epërme e Vitisë, i cili vdiq këtë vit. Ndërsa në fotografinë e tretë është Nëna Terezë bashkë me nënën e Tashit. Brenda në kishë janë edhe pesë fotografi të tjera.

“Do të kisha realizuar shumë më shumë se tetë fotografi, por bateritë ishin duke u harxhuar dhe brenda ishte errët. Më kujtohet se mezi prisja të shkoja dhe ta zhvilloja negativin në laboratorin tim privat që e kisha në shtëpi. Shiritin e negativit e ruaj ende”, thotë Tashi, duke përshkruar se sa me gëzim ua kishte treguar edhe shokëve që e kishte fotografuar Nënën Terezë, ndonëse si fëmijë nuk ishte shumë i vetëdijshëm për vlerën e këtyre fotografive.

“E di që ka pasur edhe në atë kohë fotografë që ndoshta do t’i kishin realizuar më mirë këto fotografi, por atë ditë unë isha thjesht në momentin e duhur, në kohën e duhur dhe me pajisjet e duhura”, thotë Tashi.

Ndonëse këto fotografi janë të rralla, askush nga institucionet shtetërore, por as nga Kisha Katolike, nuk ka kërkuar të bisedojë me Luan Tashin për këto fotografi.

“Fotografitë nuk janë ekspozuar askund. Unë qëndroj stoik prapa të drejtave autoriale të miave. Janë historike dhe prapa tyre qëndron një mund i madh. Çuditem se si askush prej Kishës Katolike apo prej Ministrisë së Kulturës nuk kanë kërkuar t’i kenë në arkivin e vet”, duke shtuar se me këto tetë fotografi mund të bëhet një ekspozitë ekskluzive.

“Kjo do t’i mbetej historisë së Kosovës. Unë do të doja të lajmërohej dikush që mendon që ia vlen që këto fotografi të ekspozohen, sepse tek e fundit edhe Katedralja e Prishtinës e mban emrin e saj”, përfundon Tashi.

Në Kosovë, të frymëzuara nga veprat e Nënë Terezës, dy motra të Qendrës së Motrave të Bamirësisë së Urdhrit të Nënës Terezë në Pejë, po vazhdojnë misionin e nisur nga ajo.

Shtëpia e tyre, ngjitur me Kishën e Shën Katerinës, në Pejë, tash e 28 vjet është një qendër shprese për nevojtarët e të gjitha moshave dhe përkatësisë etnike. Motër Teresila dhe motër Konsuela janë pagëzuar të dyja nga Nënë Tereza. Përderisa njëra ishte nxënëse e saj, e tjetra një nga misionaret që ishte pranë Nënës Terezë, që të dyja ndihmojnë nevojtarët në heshtje pa shumë bujë e paraqitje mediatike, prandaj shumë pak në Kosovë dinë për vendndodhjen dhe punën humanitare të tyre.

Profili i Nënës Terezë është ngulitur në zemrat dhe mendjen e tyre. Në rrugën e saj, një banore e Indisë dhe një e Kosovës, po përcjellin përkrahje e dashuri ndaj njerëzve të braktisur.

E ardhur nga Kalkuta e Indisë në Kosovë, para katër vjetëve, në misionin e saj për t’u shërbyer të varfërve dhe njerëzve në nevojë, motra Teresila ishte edhe nxënësja e Nënës Terezë. Madje vetë Nëna Terezë, siç rrëfen ajo, e ka pagëzuar me këtë emër dhe është ajo që ka ndikuar në formimin e saj në rregullin të cilin ajo tanimë i shërben.

Në Kosovë thotë se është dërguar t’i ndihmojë nevojtarët. Motër Teresila tregon se në Shtëpinë e Bamirësisë në Pejë janë strehuar dhe po kujdesen për njerëzit që nuk kanë kujdes. Në këtë shtëpi ajo thotë se do të ketë përkujdesje ndaj nevojtarëve deri në vdekje. Mirëpo, edhe misionarët e bamirësisë do të jenë përgjithmonë në Kosovë.

Motër Teresila thotë se jo vetëm veprimtaria e Nënës Terezë, por vetë Nëna Terezë ka qenë e drejtuar kah Zoti.

Fundamenti

“Neve motrave ajo na ka shtyrë apo na ka drejtuar drejt Zotit, ka rritur dashurinë tonë ndaj Zotit”, thotë ajo duke treguar për formimin e saj nga Nëna Terezë, në Kalkutë, ku ka qëndruar tri vjet bashkë me Nënën Terezë.

“Ne e kemi pasur mësuesen tonë, mirëpo një herë në javë na ka dhënë mësim Nëna Terezë. E kam parë, e kam dëgjuar atë, ajo ka qenë njeri shumë i thjeshtë dhe shumë i mirë. Nuk ka zgjedhur asnjëherë diçka të veçantë. Për mua ajo ka qenë një profetësh”.

Motër Teresila tregon se si për Nënën Terezë një person ka qenë shumë i rëndësishëm, jo një grup personash.

“Nëna Terezë ka pasur një afirmim të veçantë për personat, jo për një grup personash. Unë personalisht e dua Nënën Terezë. Ajo na ka mësuar si ta duam Zotin, ta duam njeriun dhe të jemi në ndihmë të tij. Zoti për mua është shumë praktik në jetën time dhe krejt kjo është prej asaj çfarë kam dëgjuar nga Nëna Terezë. Unë e kam parë atë duke punuar dhe duke jetuar me Zotin”, thotë motër Teresila.

Edhe motra Konsuela është pagëzuar nga vetë Nëna Terezë. Nga fshati Gjurakovc i Istogut, ajo në vitin 1992 do t’i bashkohet misionit të bamirësisë së Nënës Terezë.

Rruga e saj e bamirësisë me Nënën Terezë, nga India e solli sërish në vendin e saj. Të dyja shprehen të lumtura që Nëna Terezë është shenjtëruar.

“Ajo ishte e shenjtë edhe përpara, ka qenë e shenjtë gjithmonë, veprat të cilat ajo i ka bërë janë të ardhura prej Zotit, sepse po të ishte një vepër personale do të ishte shuar”, thotë motër Konsuela duke kujtuar shprehje të Nënës Terezë: “Në qoftë se është për të fituar diçka për vete, bëje o Zot që të shuhet ajo vepër, por kjo është vepër e Zotit”. Kështu që, ajo thotë se Zoti e ka zgjedhur Nënën Terezë dhe vazhdon kjo veprimtari e saj në mbarë botën.

“Shtëpitë tona janë në shërbim të fëmijëve të braktisur, të moshuarit dhe njerëzit në nevojë, si dhe strehim për skamnorët”.

Motër Konsuela, që ka qenë pranë Nënës Terezë, e përshkruan atë si një njeri shumë të thjeshtë, të dashur dhe shumë të afërt me njerëzit pa dallim feje, race, gjuhe e kombi.

“Pra, të gjithë njerëzit që kanë ardhur nën kujdesin e saj ajo e ka parë Zotin e pranishëm në këta njerëz. Secili njeri ka pasur mundësi t’i afrohet Nënës Terezë. Nuk ishte si një njeri i madh e vështirë që t’i afrohesh”, thotë për Gazetën Zëri, motër Konsuela, duke theksuar se Nëna Terezë ishte një nënë me duar dhe zemër të hapur për t’i pranuar të gjithë.

“Kush e ka takuar ka mbetur shumë i lumtur, sepse ajo ishte vërtet nënë”, thotë ajo duke ringjallur emocione të kohës kur Nëna Terezë ishte në mesin e tyre.

Motra Konsuela tregon se Nëna Terezë lutej për popullin shqiptar. Kurse në Shqipëri pas rënies së komunizmit thotë se Nëna Terezë kishte shkuar dy herë në vit prej vitit 1991 deri më 1995.

E kjo, sipas saj, ka ndodhur derisa Nëna Terezë është sëmurë dhe gjendja shëndetësore ia ka pamundësuar të shkojë në Shqipëri.

“Gëzimi i saj ishte t’i shohë njerëzit tek i drejtohen Zotit dhe që të gjithë të jetojnë në dashuri dhe në paqe”, thotë motër Konsuela, duke treguar se Nëna Terezë ishte shumë e thjeshtë dhe nuk ka pasur dëshirë që të jetë e pranishme në televizione dhe medie të tjera, sepse për të ishte një pendesë shumë e madhe, një vështirësi shumë e madhe, por për dashurinë e Zotit, nevojën e kishës dhe gjithë njerëzve ajo e ka pranuar këtë afrim ndaj gjithë botës”, thotë ajo.

Sipas Motër Konsuelës, mesazhi që Nëna Terezë e ka dërguar në tërë botën është që njerëzit të jetojnë në paqe, ndërsa thotë se Nëna Terezë e ka marrë gjithmonë këtë paqe në familje.

“Ajo thoshte: “Kur familja është e mbledhur me Zotin, pa marrë parasysh fenë, kombin dhe racën e ka paqen e Zotit dhe ajo duhet të shpërndahet në mbarë botën”. Nëna Terezë nga ka shkuar e ka shpërndarë këtë paqe, këtë dashuri të njërit për tjetrin. Ajo bënte thirrje që kjo dashuri të fillojë në familje, në lagje, në shtet dhe në mbarë botën”. Sipas saj, Nëna Terezë vazhdimisht i mësonte që gjërat e vogla duhet bërë me dashuri të madhe.

Nënë Tereza është në vitin e shenjtërimit të saj, ajo është nderuar edhe në Prishtinë. Krahas aktiviteteve të shumta mjeshtri i mozaikëve, Saimir Strati, ka punuar në Muzeun Kombëtar të Kosovës në rreth 1.5 milion kopsa teli portretin e buzëqeshur të humanistes shqiptare, të cilin e përuroi në festën e madhe të shqiptareve, më 28 Nëntor.

Afër portretit të Shën Terezës, mjeshtri Strati ka vendosur një thënie në gjuhën angleze që e përkthyer në shqip do të thotë “Paqja fillon me një buzëqeshje”, që sipas tij i përshtatet mozaikut, i cili paraqet fytyrën e qeshur të shenjtores shqiptare. Vepra tredimensionale është e madhe dhjetë metra katrorë dhe kopsat e telit, të cilat me goditje janë vendosur në dru, kanë ngjyrë të kaltër dhe të bardhë. “Çdo goditje është një thirrje për paqe”, shprehej Strati duke folur për procesin e punës së kësaj vepre. Me këtë vepër artisti Strati pritet të hyjë në librin e rekordeve “Guinness”.